Marota: Nuk po kërkojmë Pjaniç

Nga Pjaniç te Montolivo për të vazhduar me Kovaçiç e Ibrahimoviç. Drejtori i Përgjithshëm i Juventusit, Beppe Marotta në një intervistë zbuloi disa detaje mbi merkaton e ardhshme, ndërkohë që preku edhe një sërë temash të tjera. Në ditët e fundit është folur për një interesim të mundshëm të Juventusit për mefushorin boshnjak të Romës, Miralem Pjaniç, por sipas Marottës asgjë nuk është e vërtetë. Drejtuesi bardhezi u shpreh se Pjaniç është një lojtar i klubit kryeqytetas dhe kampionët e Italisë në asnjë moment nuk kanë hyrë në bisedime me të. Edhe Ricardo Montolivo po përflitet si përforcim i Juventusit për sezonin e ardhshëm, por Marotta i siguroi të gjithë se mes kapitenit të Milanit dhe Zonjës së Vjetër nuk ka patur asnjë kontakt gjatë kësaj periudhe. I pyetur nga gazetarët për një afrim të mundshëm të Mateo Kovaçiç te kampionët e Italisë, drejtori i përgjithshëm i Juventusit bëri të ditur se, objektivi primar i klubit bardhezi është të ruajë grupin aktual të futbollistëve, dhe vetëm nëse largohet ndonjë lojtar me peshë do të ketë afrime të rëndësishme. Përsa i përket Zlatan Ibrahimoviç e ardhmja e të cilit sëfundmi është lidhur shpesh me skuadra të tilla si Milani, Napoli e Interi, Marotta nënvizoi se Seria A, ka nevojë për kampionë të mëdhenj si Ibra, për t’u shndërruar në një kampionat akoma edhe më të fortë.
Rikthehen zërat për një interesim të mundshëm të Juventusit për Alexis Sanchez. Nga Spanja sigurojnë se, sulmuesi kilian nuk ndihet komod në radhët e Arsenalit, situatë që i ka shtyrë bardhezinjtë të studiojnë mundësinë e transferimit të tij në Torino. Një skenar mëse i pranueshëm edhe për faktin se, Alvaro Morata është i destinuar të kthehet te Reali i Madridit.
Sanchez ka qenë i parapëlyeri i drejtuesve të Juventusit që në kohën e Antonio Contes, por Arsenali u tregua më konkret, duke e shkëputur nga Barcelona. Pavarësisht se ka shënuar 13 gola në Premier League këtë sezon, rendimenti i tij nuk ka qenë ai i pritshmi, i ndikuar edhe nga dëmtimet e shpeshta.
Mirëpo për Sanchez nuk interesohet vetëm Juventusi. Bayerni i Mynihut dhe Manchester City i ofrojnë stimuj të rinj dhe një pagë të majme. Gjatë merkatos së verës pritet të ketë një ankand për 27-vjeçarin, ku sigurisht bardhezinjtë mbeten favoritë.

Artikulli paraprak“Dështim i Realit”
Artikulli tjetërBerlusconi, “ok” për shitjen e Milanit