Manxukiç lë në hije 94 milionë euro

Situata e Gonzalo Higuainit sa vjen e bëhet më e vështirë. Pas kombëtares, tani edhe në Torino, sulmuesi që u pagua 94 milionë euro nuk po jep rendimentin e kërkuar, edhe pse trajneri Masimiliano Alegri vazhdon ta mbrojë: “Ka shënuar 10 gola mes kampionatit dhe Champions-it, nuk jam i shqetësuar për të”. Por ndërkohë, 49-vjeçari nuk ka ngurruar kurrë së bëri komplimente për kroatin, i cili edhe kur nuk ka shënuar ka marrë gjithmonë “përkëdheljet” e livornezit: “Higuain është një bishë, një që ndoshta nuk po shënon sa pritet, por ai ndihmon jo vetëm sulmin, por edhe mesfushën dhe mbrojtjen dhe kaq më mjafton”.
Dhe ndoshta Alegri ka shumë të drejtë, sepse ndoshta Mario Manxukiç ka pasur vetëm gjysmën e hapësirës së “El Pipita”-s, por tani që Paulo Dibala dhe Marko Pjaca janë jashtë për dëmtim, ballkanasi po tregon vlerat e tij të vërteta dhe nuk ka ngurruar që të lërë në hije atë që u pagua 94 milionë euro. Nëse e gjithë media nënvizon se, Higuain nuk përshtatet me Manxukiçin, kjo nuk duket shumë e vërtetë, duke parë se ish-bomberi i Atletikos nuk e vuan këtë fakt, pasi shifrat e konfirmojnë këtë.
Nëse argjentinasi ka shënuar vetëm 2 gola (1 kundër Lionit, 1 kundër Napolit) në 7 daljet e fundit me Juventusin, pikërisht, duke pasur përkrah kroatin, ky i fundit po shkëlqen, madje duke qenë edhe vendimtar për bardhezinjtë, në katër ndeshjet e fundit. Mario Manxukiç numëron 3 gola dhe ka dhënë një asist, duke qenë ai tashmë pika e referimit për sulmin e kampionëve të Italisë.
Prandaj, nëse dikush mendon se kundër Sevijes, në Champions, Masimiliano Alegri do t’ia besojë të gjithë sulmin Gonzalo Higuainit, janë shifrat ato që e ndalojnë trajnerin e torinezëve që të heqë dorë nga një “killer” zone si Manxukiç, i cili gjithsesi nuk e sheh këtë fakt si një mundësi për t’u mburrur ndaj shokut të repartit:
“Më vjen të qesh kur dëgjoj se, unë dhe Higuain jemi në luftë me njëri-tjetrin. Gonzalo është një bomber madhështor, i cili do të rikthehet shpejt te goli. Unë nuk jam në garë me atë. E vetmja garë që bëjmë, është ajo kundër rivalëve tanë për të fituar të gjithë trofetë sivjet”, u shpreh “Super-Mario”.

Artikulli paraprakÇmenduri për Mesin
Artikulli tjetërObama në APEC: Jepini një shans presidentit të ri!