Malltezi kërkon mbledhjen e 100 mijë firmave

Kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi ka shkruar sërish në lidhje me ndërtimin e kompleksit të pallateve tek lulishtja e ish-Parkut të Autobusëve.
Por jo vetëm.
Malltezi shkruan edhe për betonizimin e Tiranës, që po ndodh hap pas hapi.
Ai vjen edhe me një propozim konkret për të gjithë ata ambientalistë dhe aktivistë të shoqërisë civile: Mbledhjen e 100 mijë firmave për të bërë një referendum vendor kundër planit të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Ja çfarë shkruan Malltezi në Facebook:
Duan ta fusin debatin për lulishten/parkun në debate shterpë se kush ka përgjegjësi, ndërkohë që t’i japin kohë Besos të betonizojë parkun. Ftoj qytetarët të refuzojnë syzet partiake apo debatet shterpë dhe të bëjmë gjithçka për të ndalur betonizimin e parkut.
A mund të takohemi dhe organizohemi për të mbledhur 100.000 firma për një pyetje si referendum vendor për qytetarët pa dallim partiak?
Pra, a bashkëpunojmë të majtë e të djathtë për të shpëtuar mushkëritë e fëmijëve tanë? Unë jam i gatshëm të takohem dhe bashkëpunoj me këdo që mbron parkun pa dallim partiak. A bëhemi rreth 50 apo 100 aktivistë ambientalistë dhe ndahemi në grupe me nga 3-4 persona e shkojmë në çdo shtëpi për të mbledhur firma?
Nëse do të shkojë njëri grup oligarkët dhe përfaqësuesit e tyre politikë do të përpiqen ta na përçajnë si “e ka dërguar PD”, ndërsa nëse do të jemi bashkë të gjithë (dhe iniciuar për shembull, nga Qytetarët për Parkun) le të jenë në grupe mbledhje firmash të majtë e të djathtë pasi na bashkon dëshira për të mbrojtur parkun dhe shpëtuar mushkëritë tona në këtë zonë me ajrin më të ndotur në Europë.
100.000 firma nuk injorohen dot kollaj me arrogancë politike. Edhe Parku i Liqenit rrezikohet sipas të njëjtës skemë. Unë jam gati të takohem qysh sot.

Artikulli paraprak30 destinacionet më të preferuara të europianëve, asnjë nga Shqipëria
Artikulli tjetërTritan Shehu: Rama, autori i shndërrimit të Shqipërisë në Republikë kanabisi