Malaj: Kjo nuk është skemë patronazhi por një skemë shantazhi…

Nga Arben MALAJ

I dashur patronazhisti im, i nderuar Florian, ju falinderoj nga zemra për vetëshërbimin tuaj jo vullnetar për të krijuar profilin elektoral të një prej 3.6 milionë votuesve në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Nuk e di ku punoni, nuk e di kush ju ka paguar me lekë, vende pune apo premtime abuzive, një gjë ju garantoj qe ju këtë vetëshërbim nuk po e bëni për atdheun por me verbëri po e bëni si shërbim ndaj udhëheqësit të madhërishëm dhe në shërbim të disa rilindasve hajdutë, arrogantë dhe të babëzitur.

E di që përballë kërcënimeve për pushim nga puna, përballë varfërisë ndoshta ke patur arsye të bëhesh pjesë e kësaj skeme kriminale.

Profile të tilla përndjekëse se për kë do të votoj, i krijojnë dhe i keq-përdorin vetëm mentalitete diktatoriale.

Kam milituar në PS që në themelimin e saj deri në vitin 2013, si shumë kolegë të përndjekur nga Krye-rilindasi – kam kontribuar për modernizimin e PS. Ju garantoj se kurrë në PS nuk ka patur skema dhe databazë shantazhi.

E trishtueshme keqpërdorimi jo vetëm i juaji.

Jeni disa mijëra individë, janë disa mijëra orë pune, janë disa miliona lekë shpenzime direkte dhe indirekte të keq-përdorura për mbijetesë personale të disa arrogantëve dhe të babëziturve në shërbim të oligarkisë dhe për pushtet ekonomik e politik të përjetshëm!

Kjo skemë shantazhi do të mbetet një njollë e zezë në historinë e “Rilindjes” së mentaliteteve dhe praktikave neo-diktatoriale – fatkeqësisht në një prej forcave politike që ishte më e hapura dhe demokratike në tranzicionin politik të Shqipërisë.

Artikulli paraprakPse Vuçiç mbështet Ramën duke futur hundët në punët e brendshme
Artikulli tjetërRendi në Shkodër në rënie të lirë!