Macron nuk kërkoi dialog, por plotësoi kërkesat e protestuesve

Hamit TAKA

Sot në vendin tonë është në qendër të vëmëndjes, para syve dhe pranë zemrës së gjithë shqiptarëve, prostesta më e pafajshme dhe më e qytetërura e studentëve tanë në mbarë vendin.

Një protestë deri tani me karakter thjesht ekonomik, por, që, në se nuk kuptohet apo nuk ka dëshirë të kuptohet, mund të precipitojë në politike e më gjerë.

Protesta ka patur e ka kudo ku ka patur dhe ka njerëz. Ato mund të jenë individuale apo kolektive si një akt apo mënyrë për të shprehur publikisht pikëpamjet e tyre, një dëshirë për të ndikuar në opinionin publik apo politikën qeveritare, apo të ndërmarrin veprime të drejtëpërdrejta, në përpjekje për të arritur ndryshimet e dëshiruara.

Si të tilla ato mund të prekin aspekte ekonomike, politike, kulturore, fetare, deri dhe ato sportive. Protestat dhe demonstratat masive kanë tendencë të ndodhin kur teknikat e tjera të avokimit të dështojnë. Në botë njihen protesta studentore, që kanë lënë gjurmë të thella, duke sjellë ndryshime rrënjësore në historinë e vendeve e popujve.

Mjafton të sjellim në vëmendje: Lëvizja për të Drejtat Civile në Shtetet e Bashkuara, viti 1960. Veprimet e disa liderëve zezakë të rinj dhe më pas i një grupi të panumërt të tjerëve, që ndoqën shembullin e tyre, hapën rrugën për kalimin e Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964, duke nxitur përparimin aty ku disa e mendonin të pamundur.

Revolucioni i kadifenjtë-Çekosllovaki, 1989, i cili ishte një lëvizje jo e dhunshme, e udhëhequr nga studentët, duke protestuar ndaj qeverisë njëpartiake të Partisë Komuniste të Çekosllovakisë. Pas shtypjes brutale të një demonstrate studentore në Pragë më 17 nëntor 1989 (Dita Ndërkombëtare e Studentëve), shpërthyen protesta masive dhe greva në të gjithë vendin.

Vetëm shtatë ditë pas protestës fillestare, udhëheqësit kryesorë të Partisë Komuniste dhanë dorëheqjen dhe shteti njëpartiak u çmontua. Kjo ngjarje cilësohet si një nga transferimet jo të dhunshme të pushtetit më të suksesshëm në historinë botërore.

Po ashtu Anti-Apartheid-Afrika e Jugut, 1970-94. Afrika e Jugut kishte një sistem zyrtar të ndarjes racore të institucionalizuar nga viti 1948-91, i njohur zakonisht si aparteid (“apartness” përkthyer nga Afrikaans). Lufta kundër aparteidit vazhdoi derisa legjislacioni i aparteidit u hoq në vitin 1991 dhe Afrika e Jugut shënoi zgjedhjet e para multi-raciale.

Në këtë vazhdë të protestave jo të dhunshme, që kanë sjellë ndryshime rrënjësore, me krenari e plot gojën ne shqiptarët mund të përmendim protestat e studentëve në Dhjetorin e vitit ’90, rezultat i të cilave ishte përmbysja e diktaturës më shëmbëllore në Europë dhe instaloi sistemin demokratik.

Mjaft njerëz këto ditë tek ne, nga dëshira e madhe e ndryshimit të politikës dhe pushtetit, që u ka zënë frymën, duan ta ekuivalentojnë protestën 9-ditore të studentëve të mbarë vendit me atë të Dhjetorit 1990, aq më tepër edhe pse përkon me fillimin e muajit dhjetor.

Sido që unë kam rezerva për këtë krahasim, shpresoj që ajo të bëhet shpresa e realizuar e shqiptarëve të sotëm dhe të shënoi një pranverë të re shqiptare, siç kam dëgjuar nga mjaft qytetarë, mbështetës të kësaj proteste.

Kjo protestë model, kaq e qetë dhe qytetare, me kërkesa thjesht ekonomike, është miratuar nga mbarë shqiptarët syçelur e mëndjehapur, me përjashtim të kryeministrit dhe grupit parlamentar të mazhorancës. Kërkesa këmbëngulëse e zotit Rama, për dialog duket se është bërë nyja gordiane e zgjidhjes.

Por ai ka një model të gatshëm e të freskët: Presidenti francez, Makron, nuk u kërkoi dialog protestuesve, ai dëgjoi kërkesat, i kundërshtoi, pastaj u ul e gjykoi dhe ua plotësoi. Uroj që zoti kryeministër ta shikojë e studiojë këtë madel dhe sa më shpejt të veprojë.

Artikulli paraprakDy vitaminat që duhet t’i merrni për të mos ndjerë lodhje
Artikulli tjetër“Ti je e Djathtë”, ndarja jonë nisi në ’45!