Luksemburg, azilkërkuesit shqiptarë po kthehen në problem

Pas Holandës e Francës, dhe Luksemburgu ka shprehur shqetësimin për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria. Ministri i Luksemburgut për Emigracionit dhe Azilit, Jean Asselborn, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare, shprehu hapur se “fluksi i azilkërkuesve shqiptarë është problematik” dhe se Luksemburgu nuk mund t’i strehojë më ata. Gjatë një deklarate të përbashkët shtypi me ministrin e Punëve të Jashtëm, Ditmir Bushatin, deklaroi: “Nuk është vetëm problem i Luksemburgut, por edhe i vendeve të tjera europiane. Në Luksemburg fluksi i azilkërkuesve [shqiptarë] është problematik. Pas liberalizimit të vizave në 2010 qëllimi kryesor i regjimit pa viza nuk është që të promovohen kërkesat e pabazuara për azil. Të miturit dërgohen pa prindërit e tyre. Duhet të përpiqemi të mos lejojmë një gjë të tillë”. Pak javë më parë, Franca dhe Holanda kanë shprehur idenë e rikthimit të regjimit të vizave për Shqipërinë, për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve shqiptarë. Edhe pse ambasadorët kanë deklaruar në mënyrë të vazhdueshme se, Shqipëria është vend i sigurtë origjine dhe se azilkërkuesit shqiptarë nuk do të pranohen, numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil vazhdon të jetë i lartë. Pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të shteteve evropiane, Kryeministri Rama vazhdon ta mohojë si problem, rritjen e numrit të azilantëve shqiptarë.

Artikulli paraprakNis përgatitja për Spanjën
Artikulli tjetërPaketa ‘1 miliard dollarë’ e Ramës, falimenton Shqipërinë