Lufta PS-LSI, policia merr peng gruan e ministrit Koka

Thellohet lufta brenda mazhorancës qeverisëse. Me urdhër të Ramës policia mban nën vëzhgim dhe përndjek makinat e ministrave të LSI. Pre e kësaj përndjekje nga policia ka rënë ministri i Mjedisit, Lefter Koka, vetëm pak ditë pasi ai deklaroi se, “qeveria dhe policia është e lidhur me krimin dhe trafikun e drogës”. Ditën e enjte, policë me maska kanë ndaluar makinën e ministrit të LSI, Koka dhe kanë ushtruar kontroll në makinën e tij në të cilën ndodhej edhe bashkëshortja e ministrit. Policët e maskuar, pasi kanë ushtruar kontroll dhe nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë në makinë e kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Bëhet e ditur se, policët me maska i kanë thënë ministrit Koka se po e dërgojnë makinën në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, pasi kishin urdhër nga lart për një verifikim. Nuk dihen arsyet se përse është bërë ky kontroll brutal ndaj mjetit të ministrit të LSI-së, por dyshohet se policët e maskuar e kanë ndërmarrë këtë operacion pas urdhrit të Ramës.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili në një status në Facebook shkruan se, gruaja e ministrit të Mjedisit është marrë peng dhe është shoqëruar në kundërshtim me ligjin nga forcat e policisë. Berisha shkruan se, kjo është një hakmarrje e pastër për deklaratat e ministrit Koka për lidhjet e policisë dhe qeverisë me krimin.
“Fol po deshe Lefter! Se unë jam Edvin Shullazi! Të marrim hanëmin peng! Të dashur miq, vetëm 5-6 ditë pas deklaratave bombë të ministrit Koka për lidhjet e policisë dhe qeverisë me krimin, të cilit Rama iu përgjigj me shprehjen ‘qentë le të lehin karvani shkon përpara’, dje mbasdite policia shoqëroi në kundërshtim me çdo ligj, pra mori peng Lefter hanëmin. Tani, e kishin për t’i thyer turinjtë Lefterit apo për të zbatuar porosinë e tyre, për të cilën Petrit Vasili paralajmëroi deputetët apo për të dyja, këtë gjejeni vetë?!”, shkruan Berisha.
Para një jave, ministri i Mjedisit Lefter Koka u shpreh në një intervistë për “Ora Neës”, se në Qarkun e Durrësit po angazhohen persona të inkriminuar të infiltruar në forcat policore, për fushatë elektorale, gjë e cila rrezikon të sjellë sipas Kokës, destabilitet dhe zgjedhje pa standarde. Sipas tij, policia përpara se të merret me zgjedhjet duhet të merret me detyrat që i takojnë siç është kultivimi i kanabisit, problem i cili sipas tij po e kthen Shqipërinë në gazin e botës.
Koka më tej shtoi se, policia është mirë që të merret me detyrat e saj, pasi fenomeni i kanabisit po e kthen vendin në gazin Evropës. Sipas tij, janë eksponentë të lartë të policisë që marrin direkt në mbrojtje trafikantët.
Duket se ky ka qenë shkaku që policia është vënë në përndjekje të tij. Bëhet e ditur se, Koka i ka telefonuar Ramës dhe Tahirit për këtë ngjarje të paprecedent, por nuk ka marrë asnjë përgjigje prej tyre. Makina është mbajtur për rreth një orë në Drejtorinë e Policisë së Durrësit dhe më pas është lënë e lirë.
Pak ditë më parë, Rama shkarkoi nga detyra e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjanin për shkak të akuzave të rënda që ky i fundit kishte adresuar ndaj kryeministrit dhe sidomos ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Akuza ndaj policisë ka hedhur edhe kreu i Grupit parlamentar dhe zv/kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i cili dje nisi detyrën e ministrit të Drejtësisë. Vasili u bëri thirrje zyrtarëve të LSI që të kenë kujdes nga policia, pasi mund të ju vendosnin drogë në makinë. Burime nga LSI bënë të ditur se, deputetët e LSI-së janë në shënjestër dhe se policia do t’i inkriminojë edhe si transportues droge.

R.POLISI

Artikulli paraprakPërdorja e ambasadorëve, Llalla: Withers bëri shantazh për të mos hetuar Ramën
Artikulli tjetërBE: Rama jo faktor stabiliteti në rajon