BE: Rama jo faktor stabiliteti në rajon

Eurodeputeti dhe ish-ministri për Punë të Jashtme i Sllovakisë, Eduard Kukan, ka reaguar ashpër për të ashtuquajturën platforma shqiptare e partive që i prezantojnë votuesit shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë, e cila sipas tij kjo platformë është përgatitur nga kryeministri i shtetit fqinjë, Edi Rama, përcjell Telegrafi Maqedoni. Deputeti i Parlamentit Europian, Eduard Kukan, dënoi fuqishëm platformën shqiptare të arritur nga subjektet politike shqiptare në Maqedoni, platformë e cila sipas tij, është përgatitur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Siç shkruan agjencia e lajmeve shtetërore “MIA”, Kukan i cili është në krye të Partisë Popullore Europiane (EPP) në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka thënë se një platformë e tillë është krejtësisht e papranueshme si për të, ashtu edhe për Bashkimin Europian. “Shqipëria gjithmonë ka pasur rezultate të mira në drejtim të bashkëpunimit rajonal dhe ajo vlerësohet, por tani do të ndalemi këtu. Aktivitetet e kryeministrit të Shqipërisë pas zgjedhjeve në Maqedoni, për mua janë krejtësisht të papranueshme. Të ftohen subjektet politike shqiptare nga Maqedonia, të diskutohet platforma e tyre dhe çfarë duhet të bëjnë kur të kthehen në vendin e tyre, mendoj se është me të vërtetë e tepruar. Unë jam i befasuar që askush nuk e përmendi publikisht, por unë e di se ka shkaktuar shumë kritika. Kjo nuk është mënyra për të kryer punët”, ka deklaruar eurodeputeti Kukan. Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, me ndërmjetësim e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët e partive politike shqiptare zotohen se nuk do të marrin pjesë në qeverinë e re në Maqedoni, nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.

Maqedonia reagon zyrtarisht kundër Edi Ramës

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në emisionin “Tonight Ilva Tare” mbi të drejtat e shqiptarëve atje. Në reagim i kërkohet kryeministrit të Shqipërisë që të respektojë pavarësinë e Maqedonisë dhe vullnetarin e qytetarëve, duke shtuar se shqiptarët në këtë vend kanë përfaqësuesit e tyre legjitimë. Me anë të një deklarate, Ministria e Jashtme e Maqedonisë thotë se, “politikanët nga vendet fqinj që kërkojnë me këmbëngulje të tërheqin vëmendjen nga problemet në vend, duke ndezur zjarrin tek fqinjët janë në kundërshtim me vlerat evropiane”.
“Natyrisht që më tërheqëse është të merren me vendet fqinjë në kushte kur vështirë se ju shkon me nevojat reale të qytetarëve në vendin e tyre. Megjithatë, për të gjithë do të jetë më mirë të përkushtohen në reformat që janë shumë të nevojshme para se të ëndërrojnë për udhëheqje dhe të krijojnë ndarje në rajon. Nuk duam të komentojmë më shumë se kush është duke u përzier në Maqedoni, por ju bëjmë thirrje që të respektojë pavarësinë e Maqedonisë dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve. Qytetarët për ne janë të rëndësishëm dhe prej atyre pritet që të sjellin vendime brenda në shtet.
Praktika na dëshmon se vendimet e mira për vendin duhet të rrjedhin nga interesat e qytetarëve tanë. Qëndrimi i tillë është edhe në funksion të integrimit evropian të vendit. Vetëm një Maqedoni sovrane, efektive dhe efikase mund të kontribuojë në projektin, i cili është masivisht i mbështetur nga qytetarët e Maqedonisë”, thuhet në deklaratë.

Artikulli paraprakLufta PS-LSI, policia merr peng gruan e ministrit Koka
Artikulli tjetërProkuroria: Nën hetim 40 zyrtarë policie për drogën