Lubonja: Mbështes protestën e opozitës

Publicisti Lubonja ka dalë hapur në mbështetje të protestës së opozitës, duke u shprehur se kjo lëvizje mund të nxisë bashkimin e të gjithë shqiptarëve të pakënaqur. “Kërkesat e protestës janë të drejta, dhe PD mund të nxisë bashkimin e të pakënaqurve”. Këtë qëndrim ka shprehur pasditen e sotme në rubrikën “Opinion” në “News24”, analisti Fatos Lubonja, duke u ndalur edhe tek situata politike e krijuar në vend.
“Kërkesat e paraqitura në protestën e opozitës janë të drejta. Unë e mbështes protestën e PD, por pa hipur në anijen e protestës. Them se jam dakord me kërkesat e tyre, për zgjedhje të lira e të ndershme, por nëse rruga e tyre ndryshon, do të hedhin nga anija e tyre, sepse unë do them ikim këtej, dhe ata ikin andej”, tha Lubonja.
Analisti thotë se pavarësisht ngjashmërisë në disa elementë me protestën e socialistëve gjatë qeverisjes së PD, ka disa diferenca. Sipas Lubonjës, një ndryshim i madh tashmë vihet re në qëndrimin e ndërkombëtarëve.
“Ngjashmëria me protestën e PS disa vite më parë është tek çadra, tek bllokimi i bulevardit, tek protesta. Por ka edhe diferenca. Sot shoh një faktor ndërkombëtar shumë më pak të rëndësishëm. Edhe qëndrimi i opozitës ndaj ndërkombëtarëve tashmë është i ndryshëm. Nuk i shohin më si negociatorë. Edhe vetë eurodeputeti Fleckenstein u shpreh se, me Bashën do të zhvillohej një takim për të biseduar mbi çështje të caktuara, dhe nuk do të negociojë për protestën. Dhe reagimi i Fleckenstein ishte i pritshëm. Unë bëj pjesë tek ata njerëz që përmirësimin e situatës në vend e presin nga shqiptarët e jo nga ndërkombëtarët”, tha ai.
Sa i takon këtij qëndrimi të politikës shqiptare ndaj ndërkombëtarëve, Lubonja shtoi se: “Dalja jonë nga projekti i BE, paraqet rreziqe të mëdha për vendin, duke marrë parasysh edhe situatën në politikën shqiptare”.
Analisti u ndal edhe tek bojkoti i opozitës, dhe shqetësimi real për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Pavarësisht miratimit të ligjit të dekriminalizimit, nuk është bërë asgjë. Marrim rastin e Roshit, i cili vijon të jetë në krye të Bashkisë së Kavajës. Një tjetër deputeti i dalin disa identitete. Dëgjojmë që po lirohen nga burgu disa persona me precedentë penalë. Si mund të shkohet në zgjedhje në këtë situatë. Si mund të flasin ndërkombëtarët vettingu, vettingu… apo Reforma në Drejtësi. Edhe deri më tani ka pasur diskutime në Parlament për dekriminalizimin, por asgjë nuk ka ndryshuar”, tha Lubonja.

Artikulli paraprakAmnesty International: 20 mijë shqiptarë kërkuan azil në BE në 2016
Artikulli tjetër‘New Europe’: Si Romana Vlahutin e bleu vilën me dyfishin e çmimit