Luajmë për fitore

Në Strumicë sot, Maqedonia dhe Shqipëria do të sfidojnë njëra-tjetrën për herë të 10-të në histori, në sfidën më të rëndësishme mes tyre, pasi në këtë duel luhet vendi i 3-të në Grupin G kualifikues të Botërorit Rusi 2018-të. Nga 1994 e deri më sot në 9 përballjet e mëparshme bilanci flet në favor të maqedonasve, por kuqezinjtë do të përpiqen të ndryshojnë këtë trend negativ dhe pas suksesit 2-1 në “Loro Boriçi” në sfidën e parë do të synojnë fitoren e 2-të radhazi ndaj Maqedonisë për të përmirësuar edhe statistikat në përballjet direkte mes tyre.
Në 9 ndeshjet e mëparshme kryeson Maqedonia me 4 fitore kundrejt dy të Shqipërisë, ndërsa tri takime kanë përfunduar në barazim, megjithatë kuqezinjtë kanë fituar sfidën që ka patur më shumë vlerë, pikërisht duelin e shtatorit të kaluar në Shkodër. 8 nga këto 9 ndeshje mes Maqedonisë kanë qenë miqësore me sfidën e parë që është zhvilluar më 14 maj të 1994-tës dhe që ka përfunduar me fitoren e thellë 5-1 të maqedonasve. Kjo ka qenë edhe humbja më e rëndë e Shqipërisë në përballjet mes tyre.
Fitoren e parë kuqezinjtë e kanë regjistruar në një miqësore të vitit 1999 që përfundoi me suksesin 2-0, ndërsa të gjithë e mbajnë mend duelin e fundit në Maqedoni mes këtyre dy kombëtareve që u zhvillua në vitin 2011 në Prilep dhe që përfundoi në barazim pa gola. Në atë sfidë tifozët maqedonas ofenduan shqiptarët me koret e tyre raciste. Shpresojmë që të tilla ngjarje që kalojnë kufijtë sportivë dhe prishin bukurinë e futbollit të mos përsëriten në sfidën e kësaj të marte në Strumicë.
Odise Roshi kërkon fitore ndaj Maqedonisë. “Natyrshëm si në çdo ndeshje, kuqezinjtë do të hyjnë në fushë për fitore, por në llogaritë për vendin e tretë në grupin kualifikues edhe barazimi shërben”, tha Roshi.
Skuadra dhe stafi kuqezi u larguan nga hoteli i Shkupit rreth orës 10 të paraditës së djeshme dhe do të akomodohen në qytezën kufitare me Bullgarinë, ku do të zhvillojnë edhe seancën e fundit përgatitore nën drejtimin e trajnerit Christian Panucci. Nata në Shkup kaloi e qetë, ku Shqipëria u akomodua pas një udhëtimi që nisi nga Elbasani. Në dalje të hotelit, lojtarët u ndalën për disa momente për të bërë edhe disa foto me tifozë të ndryshëm që kishin mbërritur për të përcjellë ekipin. Ajo që ra në sy ishte prania e forcave të sigurisë që monitoronin në çdo moment lëvizjet e lojtarëve për t’u siguruar që gjithçka të kalonte e qetë.
Rreth 450 mbështetës shqiptarë do të jenë të pranishëm në qytetin më të largët lindor maqedonas, që ndodhet pranë kufirit me Bullgarinë. Kjo është shifra zyrtare e tifozëve të kombëtares që nuk do të mungojnë në stadiumin me kapacitet prej 6,500 vendesh dhe që është rinovuar vetëm gjatë muajve të fundit. Për herë të parë në 23 vjet Maqedonia do të luajë një ndeshje kualifikuese larg Shkupit, ndërsa stadiumi “Mlladost” i Strumicës është rinovuar në mënyrë artificiale, duke u klasifikuar në kategorinë e tretë të UEFA-s për ndeshje ndërkombëtare.

Artikulli paraprakZidane përlotet nga fjalët e të atit
Artikulli tjetërZahavi përçan Izraelin