LSI: Milionat e drogës po trondisin kursin e euros, Prokuroria nuk i sheh

Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, me anë të një statusi në Facebook ka reaguar mbi sasitë e drogës së kapur ditët e fundit në vend. Sipas Vasilit milionat e drogës po trondisin kursin e euros, për shkak të qindra milionë euro të drogës që futen në biznese ndërtimi në mes të Tiranës. “Qindra milionët e drogës trondisin kursin e euros, Prokuroria nuk i sheh….Kjo ishte Reforma në Drejtësi??? Prokurori i Antimafias Nicola Grattieri deklaron qartë që Shqipëria është vend i përfshirë nga droga dhe paratë e drogës blejnë zgjedhjet dhe janë futur në biznesin e ndërtimit. Në Shqipëri është tronditur kursi i euros për shkak të qindra milionë euro të drogës që futen në biznese ndërtimi mu në mes të Tiranës. Fakt shumë i qartë dhe shkatërrues për shoqërinë, ekonominë dhe demokracinë shqiptare, që e sheh çdo shqiptar, nga ekonomistët e deri tek qytetari më i thjeshtë. Prokuroria “çuditërisht” nuk e sheh, nuk lëviz gishtin, bën sikur merret me gjithçka, por jo me këtë. A mos janë futur paratë e drogës këmbëkryq edhe në Prokurori dhe ja kanë lidhur duart e i kanë mbyllur sytë. Sepse kullat e parave të drogës nuk ka nevojë as ti hetosh, pasi shihen edhe dritaret e Prokurorisë. Kjo heshtje është kriminale sa edhe vetë droga”.

Artikulli paraprakDegradimi i spitaleve, kosto tetë herë më të larta për pacient se QSUT
Artikulli tjetërKokaina magazinohet në Shqipëri pasi ka garanci politike