LSI: Kjo qeverisje është një sinjal alarmi për të gjithë

Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, theksoi se varfëria e shqiptarëve, çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe jetesës në vendin tonë, si dhe problemet e mëdha që na shoqërojnë çdo ditë, vijnë vetëm për shkak të mungesës së seriozitetit nga ana e qeverisë shqiptare dhe arrogancës së ministrave dhe kryeministrit Edi Rama. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Vasili theksoi se mungesa e seriozitetit të qeverisë shqiptare ndaj institucioneve europiane dhe ndaj vetë qytetarëve shqiptarë është në kulm. “E duke i qëndruar kryesisht besnik asaj ideje që të mos flas me çfarë thotë opozita, megjithëse kemi një qeveri, e cila ka një nivel budallallëku që të mos dëgjojë asgjë ç’thotë opozita, së paku t’u referohem atyre se çfarë thonë institucionet ndërkombëtare që na asistojnë, që na financojnë, dhe së paku ato për shqiptarët janë një burim informacioni, edhe korrekt, edhe i ndershëm. Për qeverinë jam i bindur që do të jetë e njëjta shurdhtësi, që vjen e rrjedh nga një budallëk dhe arrogancë që është pa shërim. Çfarë thotë Banka Botërore për sektorin e energjisë, përtej ekzaltimeve që dëgjova nga disa kolegë që më çuditën, që ose nuk lexojnë fare, ose kanë marrë atë detyrën që të themi ç’thotë partia dhe të ecim përpara. Banka Botërore thotë që humbjet në rrjet vazhdojnë të jenë 28%, ndërkohë që objektivi i qeverisë ka qenë ulja në 26% në 2016, dhe 22.5% në vitin 2017.

Ky është elementi i parë themelor dhe thelbësor i dështimit në energji. Vijojmë më tej, niveli i humbjeve teknike, në 3 vjet të monitorimit të Bankës Botërore, jo të opozitës, rrini të qetë se nuk është e opozitës, se kur e thotë opozita filloni e dridheni të tërë që nga kryeministri, fillon një histeri kolektive. Po të vijmë te Banka Botërore, se te Banka e mbyllin gojën. Nga 15.3% që ka qenë baza kur ka nisur monitorimi në 3 vjet ka zbritur afërisht në 15% dhe shumë larg objektivave që ka Shqipëria të vendosur nga strategjia, të negociuar dhe me Bankën Botërorë përkatësisht dhe për të marrë financimin. Dhe Banka Botërore rekomandon hartimin e një plani të ri për rimëkëmbjen financiare të sektorit energjetik, pra do të thotë që plani që bëtë dështoi. Nuk jemi për të ekzaltuar, jemi pse jo dhe për të vënë duart në kokë, sepse kemi nisur një reformë, e cila degradoi vetëm për të futur njerëz në burg, ata që s’paguanin energji, por që ishin të varfër, sepse të mëdhenjtë dolën publikisht që kishin nga 1 milion euro dhe s’guxonte të shkonte dhe tua kërkonte njeri. Pra, ishte një terror për të varfërit dhe një parajsë për të pasurit që mos ta paguajnë. Vijojmë më tej, një tregues tjetër, edhe ky skandaloz, është që Shqipëria sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, të jeni prapë të qetë, këtë nuk e thotë opozita, le të mos shqetësohet askush, është që konsumatorit shqiptar i mungon energjia elektrike 97 orë, më shumë nga të gjithë në Ballkan, dhe është 50 herë më e lartë se sa krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Kush di aritmetikë e kupton që është edhe më e lartë se Kosova, më e lartë se Maqedonia, nuk bëhet fjalë fare për Bosnjen, dhe për të siguruar këtë energji nuk është kursyer burgu për mijëra vetë, të raportuara gjerësisht dhe mediatikisht, dhe për njerëz, të cilët në kushtet e dëshpërimit, kanë humbur edhe jetën në burg.

Tjetra që është akoma dhe më interesante. Sekretariati i Energjisë në Vjenë ka paditur Shqipërinë në Këshillin e Ministrave të Evropës, jo opozita, sepse ka thyer jo një, por tre detyrime që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit për Energjinë dhe e ka thënë shqip: Shqipëria ka dështuar të transpozojë Nenin 25 të Direktivës mbi Ndarjen Ligjore dhe Funksionale të Operatorit të Shpërndarjes, i cili administrohet nga shteti. Sipas Sekretariatit, jo vetëm që qeveria nuk e miratoi në kohë ligjin, por qeveria dhe OSHEE dështuan në ndarjen praktike të kompanisë, ndërsa vetë kompania nuk miratoi oficerin e etikës, një funksion kyç”, tha Vasili. Më tej, Vasili nënvizoi se “në fund të këtij diskutimi dalim në përfundimin që: rrënimi i seriozitetit qeveritar, përzier me arrogancën janë dy shina ku ecën rrënimi i qeverisjes së vendit dhe debati i sotëm dhe komedia e paradites është një sinjal alarmi për të gjithë për të kuptuar se rrënimi është shumë më i shpejtë se ç’e mendojmë”.

Artikulli paraprakVOA: Drama e Amarildos, të cilit qeveria i preu ndihmën ekonomike
Artikulli tjetërGabriel në Kosovë: Serbia duhet ta njohë Kosovën