LSI ironizon Ramën, çfarë ka ndodhur me listën e kriminelëve të drogës?

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama i kujton ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj listën me 124 emra trafikantësh e kultivuesish të drogës për të cilën, siç thotë ai, mbi një muaj e ca më parë, Kryeministri e pas tij edhe ministri teknik i PD-së, Demiraj deklaroi se kishin në dorë. “Një kujtesë për ministrin e Brendshëm!… Çfarë ka ndodhur me listën e kriminelëve të drogës?!… I nderuar zoti Ministër! Mbi një muaj e ca më parë, Kryeministri e pas tij edhe ministri teknik i PD-së që ju zëvendësoi për disa muaj në detyrën e ministrit të Brendshëm, u shprehën publikisht se kishin një listë me 124 emra trafikantësh e kultivuesish të drogës! Pa dashur të merrem me ‘tejkalimin e të drejtës’ prej tyre në prononcimin për këtë listë, me vullnetin për të qenë përkrah jush, përkrah Policisë së Shtetit e të gjitha agjencive ligjzbatuese në sfidën e përbashkët të luftës kundër krimit të organizuar dhe kultivimit e trafikimit të drogës, më lejoni t’ju drejtohem publikisht se a ekziston vërtet kjo listë? E nëse ekziston, çfarë është bërë e çfarë po bëhet ligjërisht me të? Nuk kam asnjë arsye të dyshoj në vërtetësinë e asaj që kanë deklaruar Kryeministri dhe ministri i Brendshëm, pra në ekzistencën e listës, por meqenëse më pas nuk u fol më për të, nuk u fol as për hapat procedurialë ligjorë që duheshin ndërmarrë, po ju drejtohem juve, me shpresën që ajo listë të mos jetë bërë e pavlerë! Prandaj, informojeni publikun zoti ministër, çfarë ka ndodhur me listën e kriminelëve të drogës?”.

Artikulli paraprakEurodeputeti: Droga ka qenë kusht i BE, nuk është shtuar
Artikulli tjetërIntervistë imagjinare me Kim Jong Un