Intervistë imagjinare me Kim Jong Un

Fareed Zakaria

Ndonjëherë më pyesin se çfarë figura botërore dëshiroj më shumë që të intervistoj. Për mua, përgjigjja është e qartë: Kim Jong Un. Përshtypja e përgjithshme rreth globit vazhdon të jetë se udhëheqësi i Koresë së Veriut është i çmendur, provokues dhe i paparashikueshëm, por mendoj se ai mund të jetë strateg, i mençur dhe krejtësisht racional. Sepse unë nuk kam gjasa që ta marr atë në intervistë, kam vendosur ta imagjinoj një të tillë.
– Marshall Kim, përse vazhdoni të ndërtoni dhe testoni armë bërthamore dhe raketa, edhe pse ato rezultojnë me sanksione masive dëmtuese ekonomike?
Kombi im përballet me një sfidë themelore – mbijetesën. Regjimi është më i kërcënuar se kurrë më parë. Paraardhësit e mi e kishin të lehtë. Udhëheqësi i Madh, gjyshi im, udhëhoqi me mbështetjen e superfuqisë tjetër në botë në atë kohë, Bashkimin Sovjetik, si dhe fqinjin tonë gjigant, Kinën. Udhëheqësi i Dashur, babai im, akoma kishte ndihmën e Pekinit për pjesën më të madhe të udhëheqjes. Por sot, Bashkimi Sovjetik është histori dhe Kina është bërë më e integruar me sistemin perëndimor. Dhe superfuqia e vetme, Shtetet e Bashkuara, e ka bërë të qartë se ajo kërkon ndryshimin e regjimit në vendin tim. E megjithatë, ne kemi mbijetuar me ideologjinë dhe sistemin tonë të paprekur. Si? Sepse ne kemi ndërtuar një mbrojtje për veten tonë në formën e armëve bërthamore.

– Por Kina ende ju siguron furnizime të rëndësishme të ushqimit dhe karburantit. A nuk e sheh si aleat?
Kina është një shtet pragmatist pa mëshirë. Na mbështet për interesat e tij egoiste. Nuk dëshiron miliona refugjatë – ose një Kore të bashkuar në kufirin e saj, që është një version më i madh i asaj që Koreja e Jugut është tani, me trupa amerikane dhe një aleancë traktati. Por unë besoj se Kina nuk na konsideron një aleat. Ajo ka votuar për të na sanksionuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Presidenti i tanishëm, Xi Jinping, kultivon marrëdhënie të ngushta me Korenë e Jugut. Ai kurrë nuk është takuar me mua, udhëheqësin e Koresë së Veriut, diçka që udhëheqësitë e Kinës kanë bërë gjithmonë. Ndërkohë, ai ka pasur rreth 10 takime me dy presidentët e fundit të Koresë së Jugut. Në festimet madhështore në Pekin dy vjet më parë në përkujtim të 70-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai vendosi në krahun e tij presidentin e Rusisë dhe presidentin e Koresë së Jugut. Në Korenë e Veriut, ne i kushtojmë shumë vëmendje ceremonive dhe asaj që ata sinjalizojnë.

– A është kjo arsyeja pse ju duket se po vazhdoni në rrugën tuaj për të vënë në siklet Kinën dhe Xi-në në veçanti?
Ne nuk do të stepemi prapa. Kemi dëgjuar se zyrtarë të lartë në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara po diskutonin nëse do të inkurajonin një grusht shteti në Korenë e Veriut për të vendosur një sundimtar më të butë. Kështu që unë kam marrë hapa për të siguruar që kjo të mos ndodhë. Njeriu në qeverinë tonë, i afërt me kinezët, të cilët mund të kishin organizuar një përpjekje të tillë grusht shteti, ishte xhaxhai im. Njeriu që do të ishte zëvendësuesi im i natyrshëm ishte gjysmë vëllai im. Të dy janë likuiduar, ashtu si dhe më shumë se 100 zyrtarë jobesnikë të nivelit të lartë.

– Pra, do të vinit në tryezën e negociatave? A do të pranoni denuklearizimin në këmbim për heqjen e sanksioneve?
Po dhe jo. Ne do të ishim të gatshëm të vinim në tryezë. Por ne kurrë nuk do të heqim dorë nga arsenali ynë. Ne nuk jemi budallenj. Ajo është e vetmja gjë që na mban të gjallë. Shikoni Saddam Hussein – dhe kurrë nuk e harrojmë që Koreja e Veriut u emërua si pjesë e “boshtit të së keqes” një vit para se Shtetet e Bashkuara të pushtonin Irakun. Shikoni çfarë ka ndodhur me Moammar Gaddafin në Libi, pasi ai pranoi të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore. Shikoni se çfarë po ndodh tani me Iranin. Pasi Uashingtoni nënshkroi një marrëveshje dhe iranianët janë çertifikuar se po i përmbahen kësaj, Presidenti Trump tani thotë se do ta anulojë atë gjithsesi. A mendoni se ne do të ishim aq budallenj sa të besonim premtimet amerikane pas gjithë kësaj? Ne jemi një fuqi bërthamore. Kjo nuk është e negociueshme. Ne jemi të gatshëm të flasim për kufizime, ndalime provash, ngrirje – por neve duhet të na jepet diçka në këmbim dhe jo vetëm para. Ne kemi nevojë për siguri, në formën e njohjes diplomatike nga Uashingtoni dhe garancive për mosndërhyrje nga Kina, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

– Shumë amerikanë shqetësohen që së shpejti do të keni kapacitetin dhe qëllimin për të nisur raketa drejt Shteteve të Bashkuara.
Do të kemi kapacitetin. Dhe shërben qëllimet e mia për t’ju mbajtur jashtë punëve të mia. Por pse do ta godisja Amerikën dhe të inicioja një kundërsulm që do t’i jepte fund regjimit tim? Mbaheni këtë në mend, i gjithë synimi i kësaj – e gjitha strategjia ime, të gjitha përpjekjet tona dhe vështirësitë që kemi përballuar – është të sigurojmë që regjimi im dhe unë të mbijetojmë. Pse do ta rrezikoja këtë? Unë besoj në vrasje, jo në vetëvrasje.

Artikulli paraprakLSI ironizon Ramën, çfarë ka ndodhur me listën e kriminelëve të drogës?
Artikulli tjetërNjë grua kryeprokurore në vendin e minuar nga korrupsioni