LSI, gati për protesta. Edhe PDIU, votë kundër kryeprokurorit të PS

Të gjitha partitë parlamentare dhe jo vetëm opozita po dalin publikisht kundër zgjedhjes së kryeprokurorit të paralajmëruar nga Rama për të ndjekur rrugën antikushtetuese për emërimin e tij. Dje, Lëvizja Socialiste për Integrim përmes Kryetares Monika Kryemadhi denoncoi ashpër përpjekjet e Ramës për të kapur institucionin e organit të akuzës, ndërsa të njëjtën qendrim shprehu edhe aleatja në qeveri PDIU. Kjo e fundit bën me dije se nuk do të marrë pjesë në asnjë komision apo votim, duke e cilësuar antikushtetuese mënyrën se si PS do të zgjedhë kryeprokurorin e ri. PDIU më herët ka bashkuar votat e saj me kryeministrin Rama, por këtë herë duket se bashkohet me opozitën. “Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet qysh në fillim ka dhënë mbështetje pa kushte për Reformën në Drejtësi, duke besuar dhe shpresuar, se do të ishte një fillim i ri për rivendosjen e shtetit ligjor në shërbim të qytetarëve. Pas kaq muajsh vërejmë zvarritje pa asnjë shkak të reformës dhe akoma më keq, sot po tentohen të zëvendësohen organet e rëndësishme që kemi miratuar me Kushtetutë, me arrogancë dhe vullnet të njëanshëm nëpërmjet miratimit me vota minimale me një kuorum qesharak prej 36 votash të postit të Prokurorit të Përgjithshëm. Theksojmë se Prokurori i Përkohshëm, i cili mund të zgjidhet sipas interpretimeve të mazhorancës edhe me 36 vota, nuk ka asnjë referencë në ndryshimin që kemi bërë bashkërisht në nenin themeltar të shtetit në Kushtetutë. Ndaj sot përtej arrogancës personale do duhet të jemi të gjithë bashkë për të gjetur një zgjidhje. Theksojmë se zgjidhja nuk janë marrëveshjet e pista të natës që e kanë çuar vendin në këtë klimë armiqësore e varfërie të skajshme, por ndryshimet ligjore, që i çelin rrugë një drejtësie të lirë dhe që nuk është peng i politikës. PDIU nuk do të marrë pjesë në asnjë komision apo votim ku shkelet Kushtetuta e vendit”, thuhet në deklaratën e PDIU.

Kryemadhi: Jo Kryeprokuror pa 3/5 e votave

Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, e ka kundërshtuar me tone të ashpra, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm nga Partia Socialiste në shkelje të plotë të Kushtetutës, duke e konsideruar këtë si një rrëmbim. Në këtë këndvështrim, Kryemadhi ka kërcënuar me mbajtjen e protestave bashkë me PD-në në rrugë e sheshe, por vetëm pasi t’i bindin njerëzit se i kanë ndjekur të gjithë hapat ligjorë për ta penguar “rrëmbimin” e Prokurorit të Përgjithshëm nga Edi Rama; madje, “rrugët e sheshet janë më të bukura, kur janë me protesta”, vërejti Kryemadhi. “Patjetër që do t’i bashkohemi, sepse nuk jemi në ndonjë situatë, ku Shqipëria po lulëzon. Pavarësisht se shqiptarët kanë filluar të kenë frikë si në kohën e komunizmit për të thënë të vërtetën, se çfarë mendojnë dhe kjo duket shumë qartë, pavarësisht se uzurpimi i mediave, i editorialeve mediatike nga qeveria për të mos bërë këtë e atë ka qenë shumë i madh, nuk ka nevojë për ta diskutuar këtë gjë, do të shkojmë dhe drejt asaj. Por ne nuk mund të shkojmë në protesta dhe t’i nxjerrim njerëzit në rrugë, nëse nuk i bindim njerëzit se nuk i kemi zhvilluar të gjitha etapat që kemi ndjekur të gjitha rrugët ligjore për t’u treguar, se problemi nuk është opozita. Ne mund të kemi probleme si opozitë, por kjo nuk do të thotë se t’i mund të më heqësh të drejtën e protestës, se as sheshet, as rrugët nuk janë të Edi Ramës, janë të shqiptarëve dhe janë më të bukura madje kur janë me protesta”, tha Kryemadhi. Ajo deklaroi se, Komisioni i Ligjeve që bëri seancën dëgjimore është totalisht i paligjshëm, nuk e dimë me ça targeti e bën takimin. “Komisioni i Ligjeve nuk është Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Dëgjesat me kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm i bën Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Komisioni i Ligjeve është një komision i cili shqyrton ligjet, i përgatit për në seancat plenare dhe deri këtu. Kompetencat e këtij komisioni janë të shkruara në Kushtetutë, në rregulloren e Parlamentit. Ndërsa zgjedhjen e prokurorit, dëgjesat me kandidatët për prokuror janë të shkruara në Kushtetutë, e cila është e votuar me 140 vota si asnjëherë tjetër. Një vit e gjysmë më parë, janë të shkruara të qarta që dëgjesat për prokuror i bën Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Pse nuk është ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorisë? Kjo është një pyetje tjetër dhe kush është fajtori për mosngritjen e KLP? KLP duhet të ishte ngritur që në muajin shkurt-mars, pra deri në periudhën e fund prillit. Dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të ishin ngritur. Nuk janë ngritur, kjo jo për faj të opozitës, as për faj të LSI, por për faj të një Shoqërie Civile, të cilën ne e kemi vendosur në Kushtetutë që duhet të kenë përfaqësuesin e tyre. E them këtë për shkak të asaj, besoj të gjithë e mbani mend protestën që bëri shoqëria civile para Parlamentit, kur kërkonte Reformë në Drejtësi dhe tashmë që gjithë klasa politike është gati për Reformën në Drejtësi, gjithë opinioni publik mezi po pret Reformën në Drejtësi, Shoqëria Civile, e cila ka qenë dhe një nga hartuesit kryesor të Reformës në Drejtësi bashkë me partnerët ndërkombëtarë”, tha Kryemadhi. Ajo paralajmëroi se, Rama qëllimisht po zvarrit ngritjen e KLP. “Kanë qenë ata, të cilët kanë shkruar, kanë përkthyer, kanë organizuar tryezat, kanë organizuar debatet, janë ata të cilët nuk japin kandidatin e fundit përsa i përket Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kjo është absurde, unë mendoj që këtu ka vetëm një qëllim, mosngritja e këtij Këshilli të Prokurorisë, dështimi i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Por nuk është thjesht problem zgjedhja e Prokurorit, sesa është krijimi i mundësisë së rrëmbimit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe largimin ose mos hartimin e asnjëhershëm, përsa i përket çështjes së SPAKU-t dhe të Byrosë së Hetimit. Këto janë dy elemente, të cilat ngrenë dyshimet jashtëzakonisht të mëdha për mosfunksionimin e Reformës në Drejtësi. Në qoftë se ne sot do të zgjedhim një Prokuror të përkohshëm, të cilën nuk e kemi në asnjë vend në Kushtetutë, as në nenet tranzitore, zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm. Por nëse ne zgjedhim një prokuror të përkohshëm sipas mënyrës që ka zgjedhur PS me Komisionin e Ligjeve, sa do të zgjas ky prokuror, sa mendoni ju që duhet të rri? Dy muaj, tre muaj? Përderisa Shoqëria Civile nuk është e aftë për të paraqitur kandidatin e saj në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ky mund të rri dhe 10 vjet, se nuk do të ketë Shoqëria Civile kandidat tjetër”, tha Kryemadhi.

Mosngritja e KLP, një skenar i qëllimshëm

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi paralajmëroi dje se, mosngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, strukturës kyçe që emëron kryeprokurorin është një skenar i qëllimshëm dhe është zvarritur pikërisht nga Rama për të ardhur në këtë ditë, ku ai të mund të zgjedhë kreun e organit të akuzës me votat e tij. “Nuk do ngrihet KLP, nuk do ngrihet SPAK-u, as Byroja e Hetimit. Pra, ne do zgjedhim një prokuror të përkohshëm, i cili do të krijojë një perceptim për të kapur institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe për të thënë që, unë dosjen e Saimir Tahirit do ta mbyll, unë dosjet e shumë ministrave, të cilët kanë vite që flenë në zyrat e Prokurorisë që janë dhe ministra aktualë, por dhe ish-ministra që flenë në zyrat e Prokurorisë dhe nuk janë hapur. Ashtu siç e dimë shumë mirë që, rastet nga më të ndryshmet kanë bërë që prokurorët edhe pse kanë pasur dëshirën apo vullnetin për të hapur çështje janë shkatërruar provat në mënyrë të njëanshme, vetëm e vetëm për të mos arritur dhe për të mos pasur një luftë kundër korrupsionit. Megjithatë, kjo ngelet thjesht në një mendim tonin. Por për mua është shumë e qartë që, mos ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është një skenar i qëllimshëm për të vetmen arsye për të kapur si proces këtë institucion. Pra, për të rrëmbyer institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ne si LSI jemi shumë të gatshëm dhe të hapur për të rifilluar diskutimin. 19 votat tona janë të gatshme për të ndryshuar ligjin për prokurorin, pra përsa i përket KLP. Le ta përjashtojmë po themi ta largojmë Shoqërinë Civile se ka ngel vetëm kandidat i Shoqërisë Civile për të mos qenë pjesë e KLP”, u shpreh Kryemadhi.

Artikulli paraprakDy qarqet më të mëdha, Tirana e Vlora me papunësinë më të lartë
Artikulli tjetërPse Trump ka të drejtë për Jeruzalemin