Lobimi i bankës së Lindës për të kapur NBG rrëzon ofertat e larta

Marrëveshja për shitjen e Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG) tek Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI Bank) pritet të nënshkruhet shumë shpejt (edhe brenda ditës së sotme). Burime të bankave thanë për Monitor se, marrëveshja është arritur që në fund të vitit të kaluar, por nënshkrimi i saj u shty pak në kohë për shkak të disa problemeve teknike në sistemin e teknologjisë së informacionit.
Njoftimi pritet të bëhet zyrtar nga NBG menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Pas arritjes së marrëveshjes mes dy palëve, ajo të çohet për miratim tek Banka e Shqipërisë. Kjo e fundit ka pohuar do të marrë vendimin, pasi të shohë planin e biznesit dhe strategjinë e bashkimit mes tyre. Gjithsesi, nuk pritet që banka qendrore ta refuzojë këtë blerje, pasi ABI është një bankë me aktivitet të qëndrueshëm.
Në garë për të blerë NBG ishin edhe Banka e Parë e Investimeve (FiBank) dhe Eurosig. Që në fillim, ABI Bank mësohet se ishte e preferuar dhe lobimi ka qenë i madh për ta shpallur atë fituese, ndërsa Banka e Shqipërisë favorizonte FiBank, ndërsa Eurosig ishte jashtë loje, për shkak të mungesës së përvojës së sistemit bankar. Procesi zgjati disa muaj për shkak të çmimit të ulët të ofruar.
NBG e Greqisë, që pas krizës së borxheve greke nxori në shitje filialet e saj të rajonit, si pjesë e planit për t’u ristrukturuar në linjë me rekomandimet e Bankës Qendrore Europiane. Në shitje është edhe Tirana Bank, pjesë e grupit bankar të Pireut, por edhe banka të tjera, ndaj vitit 2018 pritet të jetë aktiv në proceset e shit-blerjeve. Për këtë arsye, drejtuesit e NBG nxituan që të mbyllnin marrëveshjen brenda këtij viti.
Asetet e NBG Albania, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, ishin 40 miliardë lekë, ose 2.8% e totalit të sistemit bankar. Banka kishte gati 4% të stokut të huave dhe 2.6% të depozitave, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Për 9-mujorin ajo kishte deklaruar një humbje prej rreth 133 milionë lekësh.
Ndërsa asetet e Bankës Amerikane të Investimeve (ish-Crédit Agricole që në 2015-ën u ble nga NCH Capital) ishin 2.81 miliardë lekë, ose 2.85% e totalit. Në këtë mënyrë, pas blerjes ABI do të ketë 5.65% të totalit të aseteve të sistemit bankar, duke u ngjitur në bankën e gjashtë më të madhe në sistem, pas BKT (27.8%), Raiffeisen (17%), Credins (12.06%), Intesa (11%), Societe (5.8%).
Pas shitjes së NBG dhe përthithjes së Bankës Veneto nga Intesa San Paolo, sistemi bankar do të ketë 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të këtij viti, teksa procesi i konsolidimit të sistemit pritet të vazhdojë me intensitet edhe vitin e ardhshëm.

ABI Bank e regjistruar në parajsat fiskale

ABI Bank përbën një precedent në sistemin bankar të Shqipërisë. Ajo është e vetmja bankë, pronësia e së cilës është e pagjurmushme, pasi vjen nga parajsat fiskale. Përtej pronësisë së pagjurmueshme, ABI përbën dhe një tjetër preçedent, pasi në bordin e saj drejtues ulet bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, zonja Lindita Rama.
A po shfrytëzon ABI lidhjet e saj të ngushta me qeverinë, për të zgjeruar pozitat e saj në treg? Ky është një dyshim, të cilin duket se nuk e ka vetëm opozita dhe ekspertët, por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ekspertët e FMN druhen se, zgjerimi agresiv i ABI Bank dhe shndërrimi i saj në një nga lojtarët kryesorë në treg mund të përkeqësojë treguesit e mbikëqyrjes. Lidhjet e ngushta me qeverinë do t’i mundësonin asaj të anashkalonte kërkesat rregullatore për kapitalin dhe treguesit e tjerë të detyrueshëm.
Kjo nuk do të ishte hera e parë, që ABI arrin t’u shmanget kërkesave ligjore. Dy vjet më parë, Banka e Shqipërisë e liçencoi atë në kundërshtim flagrant me rregulloren, e cila e detyron BSH që “në shqyrtimin e kërkesave për licencë të vlerësojë kapacitetet financiare, integritetin dhe reputacionin etik dhe profesional të aksionerëve, për arsye se këto elemente janë të rëndësishme dhe ndikojnë direkt në besueshmërinë e publikut ndaj bankës dhe ndaj sistemit bankar, në përgjithësi”.
Rrjedhimisht rregullorja nuk e lejon BSH-në që të liçencojë banka me aksionerë të panjohur, që vijnë nga parajsat fiskale.
Për këtë arsye, FMN është detyruar të ngrejë tonet publikisht, duke paralajmëruar Bankën e Shqipërisë të mos licencojë banka me konflikt interesi.

Banka nën hetim për pastrim parash

Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave ka gjobitur Bankën Amerikane të Investimeve për shkelje të ligjeve që ndalojnë pastrimin e parave. Çështja është zbuluar në Gjykatën Administrative të Apelit, pasi banka e regjistruar në parajsat fiskale, e ka ankimuar vendimin.
Gjykata nuk i ka bërë publike detajet e çështjes. Por sipas njoftimit në faqen e saj zyrtare, Banka Amerikane ka kërkuar konstatimin e paligjshmërisë së aktit administrativ të DPPPP-së.
Burime konfiedenciale i thanë SYRI.net se, bëhet fjalë për mosraportim të transaksioneve dhe transfertave të dyshimta financiare.
Banka Amerikane e Investimeve përbën një risi të çuditshme në sistemin financiar shqiptar. Në bordin e saj drejtues bën pjesë, bashkëshortja e kryeministrit, zonja Lindita Rama. Por kjo nuk është risia e vetme. Pronësia e kësaj banke është tërësisht e pagjurmueshme, pasi kalon përmes parajsave fiskale.
Të gjitha bankat e licencuara në Shqipëri zotërohen nga grupe të mirënjohura financiare kryesisht nga Europa Perëndimore. Pronësia e tyre është transparente dhe aksionerët që i zotërojnë janë të njohur publikisht.
Por në rastin e ABI Bank, çuditërisht kjo traditë u thye, duke ngritur dyshime të forta edhe ligjore për licencimin e bankës në dhjetor të vitit 2015.
Gjobitja e ABI Bank për shkelje të rregulloreve që lidhen me pastrimin e parave shton më shumë pikëpyetjet mbi këtë bank. Opozita e ka denoncuar publikisht si bankën personale të kryeministrit të vendit.
Emërimi i zonjës Linda Rama në bordin drejtues ABI Bank si dhe regjistrimi i saj në parajsat fiskale, sipas opozitës, janë prova të qarta se përmes kësaj banke kryeministri pastron paratë e korrupsionit.

 

“Monitor”

Artikulli paraprakPost flluskë-thirrjes
Artikulli tjetërEkspertët: Shqipëria në krye të vendeve të rrezikuara nga tërmetet