Llalla takon homologun belg, e informon për Balilin e Frrokun

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka diskutuar në Bruksel me homologun e tij, Prokurorin Federal të Belgjikës, Frederic Van Leeuw, për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në çështjet me rëndësi globale, ku fokusi kryesor ishin masat e përbashkëta për luftën kundër terrorizmit.
Çështja “Balili” dhe vijimësia e procesit  gjyqësor ndaj deputetit Mark Frroku kanë qenë dy nga temat që janë diskutuar mes Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe homologut të tij belg, Frederic Van Leeuw.
Zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme bën me dije se gjatë takimit të zhvilluar në Belgjikë, Llalla informoi homologun e tij, lidhur me hapat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të luftuar dhe minimizuar rastet e rekrutimit të shtetasve shqiptare për konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme si dhe me problematikën e kriminalitetit shqiptar në atë vend, kryesisht për grupet që ushtrojnë veprimtarinë e paligjshme në shfrytëzimin e prostitucionit dhe trafikimit e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Për këto shqetësime, Prokurori i Përgjithshëm ka garantuar se Prokuroria, si edhe institucionet e tjera ligjzbatuese, do të vijojnë shkëmbimin e informacionit me autoritetet belge, si edhe do të intensifikojnë hetimet për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive në vendin tonë të shtetasve shqiptarë që janë të përfshirë në grupe kriminale në Belgjikë.
Nga ana tjetër, Llalla ka garantuar homologun e tij se, autoritetet e larta shqiptare po tregojnë një interes të lartë për luftën kundër narkotikëve. Si shembull konkret për këtë angazhim, Prokurori i Përgjithshëm përmendi në takim edhe faktin, që “Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë diskutoi pak ditë më parë për problematikën me narkotikët, nisur edhe nga një rast konkret, hetimi për të cilin ka nisur pikërisht nga autoritetet e Belgjikës.
Gjithashtu, Llalla informoi homologun e tij lidhur me hapat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të luftuar dhe minimizuar rastet e rekrutimit të shtetasve shqiptare për konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Prokurori i Përgjithshëm ka rikonfirmuar qëndrimin se,“vendi ynë do  të vijojë të jetë aleat i Belgjikës dhe i kujtdo tjetër që ka si objektiv primar ruajtjen dhe forcimin e sigurisë për çdo njeri, pavarësisht etnisë dhe besimit fetar”.

Artikulli paraprakPolicia dhunon një qytetar në Lushnje gjatë një inaugurimi nga Rama
Artikulli tjetërBB: Shqipëria me numrin më të lartë të vetëvrasjeve në Europë