Listat e Zeza, reagon Basha: Duhet bashkimi i çdokujt për një përballje popullore

Lulzim Basha e ka konsideruar si të turpshme listën e shpallur nga Rama ku kërkon ndëshkim për zyrtarë dhe intelektualë dhe ka kërkuar një bashkim popullor për një përballje të fortë.
“Lista e turpshme e publikuar nga Edi Rama dëshmon atë që Partia Demokratike dhe unë kemi thënë katër vjet rrjesht: për Edi Ramën drejtësia është ai vetë, shteti është ai vetë. Për të nuk ka ligj, nuk ka të drejta njerëzore, nuk ka llogaridhënie. Ai vendos se kush është fajtor e kush jo, kush duhet dënuar e kush jo. Ai nuk e ka problem të përlyejë, akuzojë dhe turpërojë publikisht si në kohën e Enver Hoxhës. Jo rastësisht në listën e tij nuk janë hajdutët dhe kriminelët e vërtetë shtetërorë: mungon ai vetë, mungojnë Ilir Beqaj, Sajmir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe gjithë ministrat dhe drejtuesit kryesorë shtetërorë që kanë privatizuar qeverinë për vete, për kriminelët dhe për klientët e tyre.
Ai që dhunoi zgjedhjet, tani ka filluar të dhunojë të drejtat e njerëzve. Ndaj duhet bashkimi i çdokujt për një përballje popullore të fortë dhe të vërtetë për ta ndalur dhe për t’u kthyer pushtetin qytetarëve”, shprehet Basha në postimin në Facebook.

Artikulli paraprak“Fëmijët e njerkës” të kontinentit
Artikulli tjetërNjë idiot i vlefshëm