Liroi trafikantin me 5 ton drogë, KLD kërkon hetim për gjyqtarin

Këshilli i Lartë i Drejtësisë filloi verifikimin ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Vlorës, Arqile Basho, i cili liroi nga burgu të pandehurin Rakip Arapaj i arrestuar për sekuestrimin e 5.2 ton drogë në Llakatund të Vlorës. Sipas KLD-së, veprimi u ndërmor pas ankesave publike në lidhje me këtë vendim. Arrestimi i Arapajt u bë në 14 korrik të këtij viti pas një operacioni të Policisë së Shtetit në fshatin Llakatund të Vlorës u sekuestruan gati 15 ton drogë në tre banesa.
Më 17 korrik, Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për tetë nga 9 të arrestuarit lidhur me ngarkesën e madhe të drogës së sekuestruar. Në burg u lanë dhe kryeplaku i fshatit Balil Gjata, Myzafer Tushaj, Ervin Tushaj, Rakip Arapaj, Kudret Tushaj, Elion Tafili. Gjykata la në burg edhe inspektorin e Policisë, Lirim Lamaj, së bashku me të vëllanë Astrit Lamaj.
Por më vonë, Gjykata e Vlorës bëri rivlerësim të masës së sigurisë, duke e lënë arrest shtëpie, Rakip Arapajn kundrejt garancisë prej 1 milion lekësh të reja.
Inspektorati i KLD-së, ka filluar verifikimit për mbledhjen e të gjitha provave të nevojshme që hedhin dritë mbi faktet e ekspozuara në ankesën publike, duke i kërkuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë paraqitjen e të gjitha vendimeve dhe procesverbaleve mbi procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj të pandehurit Rakip Arapaj lidhur me caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe lidhur me lirimin e tij nga paraburgimi”, thuhet në njoftimin e KLD-së.
Ndërkohë Prokuroria ka kërkuar apelimin e vendimit të Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit në Vlorë. Nga 9 të arrestuarit e operacionit në Llakatund, asnjë prej tyre nuk ndodhet aktualisht në masën arrest me burg. Të gjithë janë liruar nga Gjykata e Vlorës në masa më të buta sigurie.

 

Artikulli paraprakArrestohen në Itali dy shqiptarë për vjedhje
Artikulli tjetërSërish trafik droge nga Shqipëria drejt Greqisë