Lirohet personi i arrestuar pas sulmit në Berlin

Prokurorët gjermanë thanë se një person i arrestuar pas sulmit me kamion në një treg Krishtlindjesh të Berlinit është liruar për shkak se nuk kishin prova të mjaftueshme që e lidhnin atë me sulmin.
Prokurorët federalë thanë të martën se personi në fjalë, një pakistanez i ardhur në Gjermani vitin e kaluar si azilkërkues, mohoi përfshirjen në sulmin që vrau 12 vetë dhe plagosi rreth 50 të tjerë.
Prokurorët thanë se dëshmitarët arritën ta ndjekin shoferin e kamionit deri në njëfarë vendi, por pastaj ai u humbi. Pamja e personit të arrestuar përputhej me përshkrimet e dëshmitarëve, por hetuesit nuk ishin në gjendje të provonin se ai ishte në kabinën e kamionit në kohën e sulmit.
Sipas ligjit gjerman, prokurorët kanë kohë deri në fund të ditës kalendarike për të kërkuar një urdhër arresti kur i dyshuari është në paraburgim.
Autoritetet thanë se nuk ka “asnjë dyshim” se sulmi i ditës së hënë me kamion në Berlin ishte i qëllimshëm. Personi i dyshuar, përplasi një kamion të vjedhur në një treg Krishtlindjesh, pranë kishës Kaizer Vilhelm, duke vrarë 12 persona dhe plagosur rreth 50.
Autoritetet gjermane e quajtën ngjarjen në Berlin “një akt terrorist” që kishte të gjitha shenjat e ekstremizmit islamik.
Kreu i Zyrës së Policisë Kriminale Federale tha se, nuk mund të përjashtohet mundësia që një i dyshuar apo të dyshuar të përfshirë në ngjarjen e mbrëmjes së të hënës të jenë ende të lirë, pavarësisht arrestimit të personit pak pas sulmit.
Kancelarja Angela Merkel dhe zyrtarë të tjerë të lartë gjermanë vendosën dje trëndafila të bardhë në vendin e ngjarjes. Zonja Merkel shoqërohej nga ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier dhe kryebashkiaku i Berlinit, Michael Mueller.
Zonja Merkel tha se autoritetet mendojnë se sulmi ishte një akt terrorist.
Ajo tha se do të ishte “tepër e rëndë për të gjithë” nëse përgjegjës për sulmin do të ishte dikush që kërkon mbrojtje dhe azil.
“Kjo do të ishte sidomos e neveritshme për shumë, shumë gjermanë, të cilët çdo ditë punojnë aktivisht për refugjatët, si dhe për ata njerëz, të cilët në fakt kanë nevojë për mbrojtjen tonë dhe që bëjnë përpjekje për t’u integruar në vendin tonë”, u tha ajo gazetarëve.
Shtëpia e Bardhë shprehu ngushëllime në një deklaratë me të cilën dënonte “atë që duket të ketë qenë një sulm terrorist”.
Dëshmitarët thanë se tregu popullor i Krishtlindjeve ishte i mbushur me turistë dhe banorë vendës kur aty u përplas kamioni, që duket se ishte me shpejtësi më të madhe se 60 kilometra në orë. Autoritetet thanë se automjeti ishte i ngarkuar me trarë çeliku.
Departamenti amerikan i Shtetit kishte bërë thirrje më herët për kujdes në sheshe dhe vende të tjera publike në të gjithë Evropën.
Ndërsa vazhdojnë ende hetimet për sulmet në Gjermani dhe në Turqi të hënën, Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump fajësoi terroristët islamikë për vrasjet. Ai u zotua për çrrënjosjen e rrjeteve rajonale dhe globale të terroristëve.

Merkel: Gjendje e vështirë pas masakrës

“Në rrethanat aktuale mund të mendojmë se kemi të bëjmë me një sulm terrorist”, tha Merkel në Berlin. “Kjo është një ditë shumë e rëndë për Gjermaninë”. Merkel tha në një prononcim, se ajo në këto çaste mendon në radhë të parë për të vdekurit dhe të plagosurit. Një vend i tërë është i bashkuar në hidhërim. “Unë jam me mendime edhe tek forcat e shpëtimit, policët, zjarrfikësit, mjekët e kujdestarët”. Ajo i falënderoi ata “nga zemra për angazhimin e tyre të vështirë”.
Kancelarja tha se, ka besim të madh tek hetuesit, që po punojnë për ta zbardhur këtë akt. Sipas saj ky është një akt “mizor dhe i pakuptueshëm”, që më ka shokuar. Ky akt do të ndëshkohet, “aq rreptë sa e kërkojnë ligjet tona”.
Merkel theksoi: “Ne nuk duam të jetojmë me mendimin, se frika nga e keqja na paralizon”. Ne nuk do të heqim dorë nga tregjet e Krishtlindjeve.

Reagime të tronditura nga e gjithë bota

Pas mësymjes së kamionit 40 tonësh në një treg Krishtlindjesh në Berlin të hënën në mbrëmje, policia flet se autori e ka futur me dashje kamionin në tregun pranë sheshit Breitscheid. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere është shprehur se ka “shumë” të dhëna që flasin për atentat. “Nuk dua të flas për një atentat, por ka shumë të dhëna që flasin për këtë”, tha De Maiziere për televizionin “ARD”. “Aktualisht po marrim në pyetje një të dyshuar, tha ai “por tani jam me mendje tek të afërmit e viktimave dhe të plagosurit e ngjarjes së tmerrshme”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka qenë që nga orët e mbrëmjes në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Brendshëm, sipas zëdhënësit, Steffen Seibert është shprehur me hidhërim për sulmin në Berlin dhe ka theksuar se “ne mbajmë zi për viktimat”. Presidenti gjerman, Joachim Gauck e ka quajtur të hënën një “natë të rëndë për Berlinin”. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave.
Presidenti francez, François Hollande u shpreh se “francezët ndajnë dhembjen me gjermanët përballë kësaj tragjedie që godet të gjithë Europën”. Ndërsa Kryeministri francez Cazeneuve ka theksuar se “e gjithë Franca është në krah të Gjermanisë”. E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini është shprehur se “Europa u godit edhe një herë. Mendimet tona janë tek viktimat dhe familjet e tyre”.
Edhe qeveria amerikane e ka dënuar sulmin. Presidenti Barack Obama e ka dënuar “me shumë ashpërsi” ngjarjen në Berlin. “Ne jemi bashkë me Berlinin në luftë kundër të gjithë atyre që kërcënojnë mënyrën tonë të jetesës dhe shoqërinë tonë”, ka thënë Obama. Presidenti i zgjedhur, Donald Trump është shprehur se ky është një sulm i tmerrshëm dhe se “bota e civilizuar duhet të ndërrojë qëndrim”.

Artikulli paraprakBarazimi i së keqes, nuk i shërben dekriminalizimit
Artikulli tjetërMediu: Dy çështjet ndaj Tahirit nuk i kap ligji