Lila: 200% në fushë

Andi Lila po shijon një rini të dytë profesionale, pasi Kombëtarja Shqiptare i dha një mundësi të artë në jetë. Për një futbollist është maksimumi pjesëmarrja në një kompeticion të tillë si europiani dhe mbrojtësi kuqezi e pranon se, dëshira në grup është e madhe që skuadra t’u dhurojë emocione edhe më të mëdha mbështetësve të saj anembanë globit. Ai premton se Shqipëria nuk do të tolerojë në asnjë centimetër të fushës që në përballjen e parë kundër Zvicrës.
“Gjendja psikologjike e skuadrës është shumë e mirë. Ndeshjen me Zvicrën e pres me padurim dhe mendoj që do të bëjmë më të mirën në atë ndeshje. Do të futemi në fushë për rezultat maksimal. Janë të gjitha mundësitë që të dalim sa më mirë nga kjo ndeshje. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Duhet të ndjekim rrugën e drejtë që na solli deri këtu. Çdo futbollist do të japë 200% në fushën e lojës për të nderuar fanellën”, u shpreh Lila.
30-vjeçari e pranon se po jeton një përrallë, pasi magjia e momenteve të tilla nuk qëndron thjesht në faktin se do të zbresin në fushë përballë më të mirëve të kontinentit. “Këto ditë e kanë forcuar më tepër grupin tonë. Më duket vetja ndonjëherë sikur jemi në fëmijëri me shokët. Kjo është shumë pozitive për ndeshjet në vazhdim. Me rezultatet e mira ne do të jemi edhe më të afërt me njëri-tjetrin. Kemi kohë që stërvitemi dhe punojmë për ndeshjen e parë. I kemi të gjitha mundësitë për rezultat pozitiv. Unë nga natyra jam optimist dhe shpresoj që të dalim me tre pikë nga kjo ndeshje. Pikët do të na ndihmonin shumë për të kaluar grupin”, tha ai.
Dy humbjet në eliminatoret e Botërorit 2014 kundër Zvicrës ku Lila ka qenë një nga protagonistët, janë një histori e kaluar për lojtarin e lindur në Kavajë, i cili thekson se Shqipëria do të jetë e kujdesshme për të mos bërë asnjë gabim. Ai shton se do të pranojë çdo vendim të trajnerit për pozicionin e tij në fushën e lojës, duke premtuar se do të japë maksimumin.
Në fund, Lila i rikthehet sërish gjendjes emocionale, pasi për mbrojtësin kuqezi atmosfera e krijuar i kujton vitet ‘90 të shoqëruara nën himnin e netëve magjike të botërorit të Italisë. “Do të mundohem të shijoj në maksimum këto ditë. Kujtoj Gianna Naninin me këngën “Netët magjike”, pasi për mua këto janë netë të tilla”, përfundoi Lila.

Artikulli paraprak“Blick”: Ja çfarë simbolizojnë emrat e shqiptarëve të Zvicrës
Artikulli tjetërDrejtësi “e rreptë” për Shqipëri-Zvicër