Drejtësi “e rreptë” për Shqipëri-Zvicër

UEFA caktoi 45-vjeçarin, Carlos Velasco Carballo, si gjyqtarin kryesor të sfidës së parë të kuqezinjve në Euro 2016. Arbitri spanjoll u konfirmua në faqen zyrtare të Konfederatës Europiane, kur kanë mbetur edhe pak orë nga dueli i së shtunës në Lens. Carlos Velasco Carballo është një gjyqtar i kolegjiumit të Madridit, që drejton ndeshje në Primera Division prej vitit 2004, ndërsa gjykon në arenën ndërkombëtare prej vitit 2008.
Prej vitesh, ai cilësohet si një prej arbitrave më të mirë europianë, me UEFA-n që në 2011-ën i besoi finalen e Europa League ndërmjet Portos dhe Bragës, ndërsa e përfshiu edhe mes 12 gjyqtarëve të Euro 2012. Por, Velasco Carballo njihet mbi të gjitha për reputacionin si një arbitër i ashpër dhe që nuk i kursen kartonët. Përkundrazi, ndëshkimi i lojtarëve në fushë ngjason me një hobi.
I rreptë, në shumë raste ndoshta edhe më tepër nga sa e parashikon rregullorja, bilbili spanjoll ka statistika të frikshme, për një skuadër që Shqipëria, lojën e saj e bazon te lufta e fortë fizike. Në 33 ndeshje sezonale, mes kampionatit spanjoll, Kupës së Mbretit, Champions dhe Europa League, por edhe kualifikueseve të Kampionatit Europian, Carlos Velasco Carballo ka akorduar 180 kartonë të verdhë dhe 11 të kuq. Me shifra kjo statistikë përkthehet në rreth 5,5 kartonë të verdhë për ndeshje.
Në përballjen e fundit të drejtuar, finalen e titullit në Arabinë Saudite ku Al Ahli fitoi 2-1 ndaj Al Nassr, arbitri iberik nxorri nga xhepi 4 herë kartonin e verdhë dhe një herë të kuqin. Në dhjetë ndeshjet e fundit të këtij sezoni që Velasco Carballo ka drejtuar, ai ka akorduar plot 60 kartonë të verdhë dhe 4 kartonë të kuq. Për kartonët e shpeshtë të dhënë, në mars të këtij viti arbitri spanjoll u kritikua nga Jurgen Klopp pas ndeshjes së 1/8-ve të Europa League, ku Liverpool fitoi 2-0 në derbin përballë Manchester United.
Kontestime ndaj Carlos Velasco Carballo ka pasur në Euro 2012, kur ai drejtoi sfidën hapëse të turneut ndërmjet Polonisë dhe Greqisë. Gjyqtari nxiti polemika pas kartonit të kuq të mbrojtësit grek Sokratis Papastathopoulos në pjesën e parë të sfidës. Ai u kritikua edhe për paraqitjen në Botërorin 2014, në sfidën çerekfinale ndërmjet Brazilit dhe Kolumbisë, pas ndërhyrjes jashtë çdo norme të Zuniga-s ndaj yllit të seleçao-s, Neymar.

Artikulli paraprakLila: 200% në fushë
Artikulli tjetërRritje tarifash edhe për kontrollin teknik të makinave