Leksione nga zgjedhjet amerikane

Michael J. Boskin
Fitorja e papritur e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane ka krijuar një industri të vërtetë analizash post-mortem dhe parashikimesh, brenda dhe jashtë Amerikës. Disa e lidhin fitoren e Trumpit me një trend më të gjerë populizmi në Perëndim, veçanërisht në Europë, të bërë më të dukshëm nga vota e Britanisë për të dalë nga Bashkimi Europian. Të tjerë fokusohen në tërheqjen që ka pasur Trumpi si një figurë e jashtme e elitës politike, i aftë për të trazuar sistemin në një mënyrë që ish-rivalja e tij demokrate, Hillary Clinton, nuk do të mund ta bënte dot kurrë. Këto mund të jenë shpjegime me vend, veçanërisht ky i fundit, por historia është më e gjatë se kaq.
Gjatë muajve që paraprinë zgjedhjet, mediat, ekspertët dhe ndjekësit e sondazheve përsërisnin vazhdimisht se Trumpi kishte një mundësi tepër të vogël për të fituar. Ajo që nuk arritën të kuptonin ishte shtrirja e jashtëzakonshme e pakënaqësisë ekonomike nga familjet punëtore në shtetet kyçe, falë destabilizimit të tregut të punës që kishte krijuar teknologjia dhe globalizimi.
Por siç u theksua dy muaj përpara zgjedhjeve, këto pakënaqësi shtriheshin edhe më larg, së bashku me të ndjerit të injoruar dhe të lënë pas – dhe ishte vetëm Trumpi ai që më në fund i bëri këta njerëz të shiheshin dhe të dëgjoheshin. Kjo është arsyeja përse duhej marrë në konsideratë një fitore e mundshme e Trumpit, pavarësisht rezultateve të mira të Clintonit në sondazhe, me pesë pikë diferencë vetëm një ditë përpara zgjedhjeve.
Trump pati rezultat të ngushtë fitoreje në shtetet që republikanët nuk kishin fituar në dekada (Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani) dhe triumfoi me një diferencë të madhe në shtetin historikisht të kontestuar ngushtësisht, Ohio. Në fakt, republikanët arritën të siguronin një fitore të gjerë. Partia ruajti kontrollin e Senatit dhe tashmë kanë 33 guvernatorë, krahasuar me 16 të demokratëve.
Që pas zgjedhjes, Trumpi ka nisur të përcaktojë pozicionin e tij. Republikanët, edhe ata që e kanë kundërshtuar Trumpin gjatë fushatës, janë mbledhur të gjithë pas tij duke e mbështetur. Ndërkohë, demokratët në qeveri, veçanërisht presidenti Barack Obama, janë fshehur pas fjalimit të hijshëm të Clintonit ku thoshte se Trumpit i duhet dhënë mundësia të drejtojë vendin dhe të tregojë se çfarë mund të bëjë. Rezultati i papritur i zgjedhjeve amerikane përçon katër leksione kryesore, të cilat janë të aplikueshme për të gjitha demokracitë e avancuara nëpër botë.
Së pari, rritja e mund rishpërndarjen. Plani ekonomik i Clintonit i diskutuar shumë pak, ishte të zgjeronte më tej axhendën e majtë të Obamës, në mënyrë që të dukej si një platformë më socialiste, si ajo e kundërshtarit të saj demokrat, Bernie Sanders. Taksa më të larta për të pasurit, si dhe më shumë shërbime “falas” (të paguara gjithmonë nga taksapaguesit), ishin sipas saj mënyra më e mirë për të luftuar pabarazinë. Trump në të kundërt, fliste gjithmonë për punësim dhe të ardhura. Edhe pse mediat mbulonin më shumë mesazhet e tij të diskutueshme dhe më hiperbolike, ishte pikërisht mesazhi i tij ekonomik ai që arriti t’i garantojë mbështetjen që e çoi drejt fitores. Njerëzit duan shpresë për një të ardhme më të mirë dhe kjo vjen nga rritja e të ardhurave dhe nga futja e njerëzve në punë.
Leksioni i dytë ka të bëjë me rrezikun që buron nga injorimi dhe mospërfillja e pakënaqësisë së votuesve. Që në fillim, Clinton  nuk pëlqehej gjerësisht. Gjërat e zbuluara gjatë fushatës, për shembull, që në një fjalim të vitit 2015 kishte thënë se “kodet kulturore, besimet fetare dhe paragjykimet strukturore duhet të ndryshohen” për t’i garantuar grave më shumë të drejta, e shtuan frikën se ajo do të ndiqte një axhendë sociale tepër progresive.
Duke u ndërgjegjësuar për këto mangësi, Clinton u përpoq t’i fitonte zgjedhjet duke e bërë figurën e Trumpit të papranueshme. Por deklaratat e saj se mbështetësit e Trumpit i përkisnin “shportës së të mjerëve” – se ishin racistë, seksistë, homofobë, ksenofobë e islamofobë – krijoi bindjen se ajo dhe partia e saj i shikonin votuesit si individë moralisht jo të shëndetshëm, madje edhe budallenj. Këto lloj deklaratash kanë ndikuar me siguri të shtyjnë kundër Clintonit disa nga votuesit e pavendosur.
Leksioni i tretë është se kapaciteti i një shoqërie për të thithur ndryshimin është i kufizuar. Kur progresi teknologjik dhe globalizimi, për të mos përmendur ndryshimet sociale dhe kulturore, e kapërcejnë aftësinë për t’u adaptuar, ato bëhen të patolerueshme, shqetësuese dhe mbytëse. Shumë votues – jo vetëm në Amerikë – kanë frikë nga terrorizmi dhe emigracioni, veçanërisht nëse i shohin së bashku me këto ndryshime të menjëhershme.
Leksioni i katërt ka të bëjë me rrezikun e flluskës ideologjike. Pretendimi i vazhdueshëm nga votuesit e tronditur të Clintonit, të cilët thoshin se nuk njihnin asnjë person që do të votonte për Trumpin tregon se sa shumë njerëz – republikanë dhe demokratë – jetojnë brenda një flluske sociale, ekonomike, informuese, kulturore dhe të komunikimit.
Rënia e besimit në mediat kombëtare, së bashku me përhapjen e komunikimit në internet, ka krijuar një botë ku lajmet e lexuara nga njerëzit shpesh krijohen për t’i bërë “virale”, për të tërhequr sa më shumë klikime, jo për të informuar publikun. Rezultati është që nuk mund të quhen më lajme. Më tej, imformacioni që njerëzit shikojnë shpesh është i filtruar, në mënyrë që të përforcojë vetëm idetë e tyre. Këto zhvillime nuk i lejojnë njerëzit të angazhohen në diskutime racionale të informuara, jo më në debate të mirëfillta ku shpalosen perspektiva, vlera dhe interesa të ndryshme ekonomike.

Artikulli paraprakMerkel, tentativë për të kuptuar të ardhmen me Donald Trump
Artikulli tjetërKatër violinistët, kush i sponsorizon?