Latifi: Krenar për Kombëtaren

Liridon Latifi po përjeton momentet më kulmore të karrierës. Kontributi i dhënë në kualifikimin e Skënderbeut në fazën e grupeve të Europa League, transferimi te Akademia Pushkash në kampionatin hungarez dhe ftesa e Cristian Panuccit për dy ndeshjet e radhës eliminatore të botërorit. 23-vjeçari e deklaroi në konferencën për shtyp të kombëtares, se në çdo hap të karrierës së tij ka menduar për ngjyrat kuqezi. “Çdo sekond të karrierës sime kam menduar që një ditë të jem pjesë e kombëtares. Çdo gjë e bëj për të mirën time dhe për t’i lënë përshtypje trajnerit. Jam i gatshëm në çdo moment për Kombëtaren. Shpresoj që aftësitë e mia t’i shpreh edhe në Kombëtare”, u shpreh Latifi.
Pasardhësi i De Biasit për shkak të dy mungesave të rëndësishme, ka në dispozicion vetëm Sadikun për rolin e sulmuesit të avancuar. Duke anashkaluar komentet për mosgrumbullimin e Cikalleshit, Latifi shprehet i gatshëm për të dhënë kontributin në çdo pozicion kur trajneri e sheh të arsyeshme. “Për kombëtaren duhet të pranojmë të luajmë në çdo pozicion, me rëndësi është që të ndihmojmë kombëtaren. Për sa i përket dënimit të Cikalleshit nuk kam përgjigjje, i përket trajnerit dhe futbollistit. Unë thjesht duhet të respektoj vendimet e trajnerit”, tha ai.
Sipas Latifit Panucci është një trajner i shkëlqyer dhe ka filozofinë e tij, ndërsa e ka të qartë se pa Balajn dhe Cikalleshin, mundësitë për të qenë në fushë ndaj Lihtensteinit, janë më të mëdha. “Çdo trajner ka filozofinë e vet, edhe Panucci ka futur gjëra të reja. Është një trajner i ri që ka të ardhme të shkëlqyer. Nëse mungojnë tre lojtarë kemi shanse më shumë për të luajtur, sepse sakonisht të parët që zëvendësohen janë sulmuesit. Janë dy ndeshje të rëndësishme, por fillimisht duhet të fokusohemi te Lihtenshtejni”, tha Latifi.
Në fund Latifi jep arsyet pse vendosi të pranonte ofertën e Akadmisë Pushkash. “Akademia Pushkash ka bërë shumë blerje dhe ka një projekt shumë ambicioz sigurisht, që ka qenë edhe oferta financiare që ka patur ndikimin kryesor në vendimin tim”, përfundoi Latifi.

KE, ndryshon kalendarin prej Skënderbeut

Në pritje të fillimit të sezonit të ri të Kategorisë Superiore, Komiteti Ekzekutiv me kërkesë edhe të klubit të Skënderbeut që do të marrë pjesë në grupet e Europa League, pasi atij kualifikimi historik që kulmoi me kalimin e 4 tureve, ka bërë disa ndryshime në kalendar përsa i përket datave të ndeshjeve të kampionatit. Ngjeshja e kalendarit edhe për shkak të fillimit të sezonit me shumë vonesë ka detyruar Komitetin Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit të shtyjë dy raunde që ishin në program për të luajtur këtë vit për t’i dhënë mundësi edhe Skënderbeut të ketë shumë kohë të përgatitet në mënyrën më të mirë për ndeshjet e grupeve në Europa League, ku korçarët synojnë të bëjnë një paraqitje pozitive. Me ndryshimet e fundit java e 3-të e Kategorisë Superiore që ishte në program për të luajtur mesjavën e 20 shtatorit është zhvendosur në datën 24 shtator.
Komiteti Ekzekutiv ka spostuar edhe raundin e 15-të të kampionatit i detyruar edhe për faktin se ndeshjet e kësaj jave ishin planifikuar për t’u zhvilluar të mërkurën e 6 dhjetorit, ndërkohë që vetëm një ditë më pas, Skënderbeu do të sfidojë në ndeshjen e fundit në grup në Europa League, zviceranët e Young Boys. Java e 15-të do të luhet në 10 dhjetor dhe në këtë mënyrë si rrallëherë faza e dytë e kampionatit nuk do të përfundojë gjatë këtij viti, por në fillim të 2018-ës, pasi 2017-ta e Kategorisë Superiore do të mbyllet me 16 raunde të zhvilluara. 2 javët e spostuara, ndërkohë me kalendarin që do të vazhdojë rregullisht sipas rradhës, do të zëvendësohen në 28 shkurt dhe në 9 maj të 2018-ës. Fillimi me vonesë i kampionatit i shoqëruar me ndeshjet europiane të Skënderbeut ka prekur të gjitha klubet e kategorisë Superiore, të cilat do ta vuajnë gjatë vitit 2018-të më shumë se kurrë kalendarin e ngjeshur, kjo edhe për faktin se nga janari deri në fund të majit do të luhen 20 javë të kampionatit.

Artikulli paraprakGrezda: Lihtenshtejni prioritet, fitojmë edhe ndaj Maqedonisë
Artikulli tjetërAlarm kuqezi!