Lampard kritikon Conten

Antonio Conte e largoi me një sms, por Chelsi tashmë e ka shumë të vështirë për të gjetur një sulmues në lartësinë e tij. Kampionët e Anglisë tashmë pa një qendërsulmues pasi Diego Costa është nxjerrë në shitje, po hasin vështirësi të mëdha për të siguruar një bomber që të arrijë të zejë vend në skemat e trajnerit italian. Sulmuesi spanjoll që u bashkua me Chelsin në vitin 2014 ka fituar dy tituj në Premier League, por tashmë ai është pjesë e së shkuarës.
Ish-kapteni i bluve, Lampard kritikon në njëfarë mënyre sjelljen e trajnerit Conte për ta larguar nga ekipi sulmuesin më të mirë. “Do të jetë shumë e vështirë që të zëvendësohet një sulmues si Costa. Ai është një lojtar shumë fizik dhe i vështirë për t’u zëvendësuar. Nuk është aspak e lehtë për të gjetur një lojtar që të shënojë kaq shumë gola sa ai”, thekson Lampard. Gjatë sezonit të fundit, Diego Costa shënoi 22 gola në 42 ndeshje, por Chelsea shikon belgun Lukaku si pasuesin e tij ideal dhe ish-mesfushori Lampard bën një koment edhe për këtë emër.
“Ai është një lojtar që po zhvillohet me ritme të shpejta dhe do të ishte një opsion shumë i mirë, por mendoj se sërish do të jetë e vështitrë të plotësohet vendi i lënë nga Diego Costa”, shton ish-kapiteni i bluve. Aktualisht, Chelsea është në bisedime me Atletico Madrid për transferimin e sulmuesit me origjinë braziliane edhe pse klubi iberik nuk mund të bëjë merkato deri në janarin e vitit 2018 për shkak të bllokadës së vendosur nga FIFA. Diego Simeone shpreson në një vendim në favor të klubit pasi çështja është ankimuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Në rast se Atletico do të lejohet të blejë lojtarë edhe gjatë merkatos verore, atëherë rikthimi i Diego Costas në Madrid do të jetë thjesht çështje detajesh.

Artikulli paraprakShpërthen Raiola
Artikulli tjetërOrë të vrullshme për merkaton e Arsenalit