Ky kryeministër është i pashpresë

Nga Red VARAKU

Ka një sforcim të jashtëzakonshëm të kryeministrit për të dhënë idenë që ai e ka gjithçka nën kontroll. Në çdo dalje të tij publike vihet re përpjekja e tij e dështuar për ta spostuar debatin politik tek pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit dhe pasojat e Covid 19, si dhe për ta larguar atë nga problemet e rënda të demokracisë dhe korrupsionit, që u zbuluan nga radiografia e ashpër e realitetit shqiptar vjet nga përgjimet e Zërit të Amerikës dhe BILD.

Ndërkohë, e gjithë armata e propagandistëve të PS, përfshi edhe tellallët brenda saj, shfaqen të eksituar për këto fatkeqësi, sepse kanë gjetur një mundësi për të mbuluar vjedhjet e zgjedhjeve, korrupsionin kapilar, zullumet e shtatë vjetëve plaçkitje dhe dhunimin e popullit shqiptar.

Në mënyrë krejt qesharake, edhe ata tentojnë ta paraqesin këtë si sfidë përfundimtare të qeverisjes, a thua se shqiptarët nuk i njohin thonjtë e pisët të Edi Ramës, hajdutllëkun e Erjon Veliajt, korrupsionin e Arben Ahmetajn, krimet e Tauland Ballës apo traun e Elisa Spiropalit.

Me gojët e tyre të shthurura, ata nuk reshtin së thururi lavde për shefin e tyre. Lavde që do të bënin me turp edhe më të pacipët. Kjo në kohën kur menaxhimi i pasojave të tërmetit ishte dhe vazhdon të mbetet katastrofik, ndërsa në menaxhimin e pandemisë këta idiotë, jo vetëm kanë dështuar sepse e kanë kthyer në mënyrë të pacipë në fushatë elektorale, por fatura që pritet t’i vijë ekonomisë shqiptare do të jetë e pabërballueshme.

Me një gjakftohtësi perverse, të njëjtët njerëz që kanë shtatë vjet që thithin gjakun e popullit më të varfër në Europë , shfaqen sot me fytyra të zvargura dhe të dhimbsura, si ‘bamirës’ në dyert e po këtij populli. Duke ofruar një pamje, jo vetëm të shëmtuar, por edhe fyese për një inteligjencë elementare.

Kjo me shpresë se nëpërmjet kësaj do të mund të largojnë shijen e hidhur që lanë përgjimet, edhe pse e kanë të qartë që bllokimi i rrotacionit nuk është më çështje shijesh, që mund të rregullohet, por është çështje e brendshme organike e demokracisë, që nuk e duron ilegjitimitetin, përndryshe shpërthen.

Sigurisht, që situata ku ndodhet sot vendi, i jep pak ‘frymëmarrje’ kësaj qeverie në kuptimin e kohës, sepse përballë ka një opozitë të përgjegjshme që ka zgjedhur të mbajë një profil konstruktiv, në respekt të jetës së shqiptarëve.

Por, sado që të lodhen dhe përpiqen, është e qartë që tërmeti dhe pandemia vetëm sa iu mbivendosën krizës që prodhoi bllokimi i rotacionit politik me votë. Kjo krizë nuk mundet kurrsesi të tejkalohet pa ndryshime radikale dhe rikthim të legjitimitetit.

Të gjitha parashikimet për të ardhmen, sado me ‘lot’ shenjtorësh të shfaqen , thërrmohen nga të vërtetat e përgjimeve, sepse ato dëshmuan se nëse do të vazhdohet kështu, nuk ka më asnjë shpresë, që pushteti këtu mund të ndërrohet me votë.

Cilindo variant të marrim, Shqipëria nuk do të ketë paqe nëse nuk i jepet zgjjdhje problemit që zbuluan përgjimet. Edhe sikur tërmetet të vazhdojnë në mënyrë të pandalshme, edhe sikur kurrë të mos gjendet një kurë apo vaksinë për Covid 19, asgjë nuk i ndryshon të vërtetat që po e kalbin kryeministrin të gjallë.

Sepse, asnjë tërmet dhe asnjë virus nuk është më i dëmshëm dhe më i rrezikshëm për jetën e qytetarëve se sa autoritarizmi, ndërsa të jetuarit pa shtet ligjor ku qeverinë nuk e zgjedhin qytetarët, por e vendosin dhuna dhe milionat e pista, është njësoj si të jetosh në robërinë e pushtuesit më barbar.

E vetmja recetë për t’i dhëne fund kësaj agonie janë vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme. E sigurt është se nëse kjo krizë nuk do të zgjidhet agonia do të vazhdojë deri sa të shpërthejë në revolta, sepse demokracia nuk e duron një pushtet që buron nga paligjshmëria.
Insinuatat se kjo qeveri do të mund ta asgjësojnë opozitën, apo se do të mund ta përçajnë ose blejnë atë, sot janë idiotësira dhe të pabesueshme dhe për vetë socialistët.

Opozita sot është më e bashkuar se kurrë, dhe më e fuqishme se kurrë, edhe pse këtë nuk mund ta kuptojnë ata që kanë ngrënë çorbën e kësaj qeverie. Neveria dhe përbuzja, që shoqëria shqiptare ndjen për këtë qeveri në këto momente, i ka tejkaluar me kohë limitet.

Dihet që fati i atij që vjedh vota, që i fyen qytetarët, që i përçan ata, që i shantazhon ata, që i poshtëron ata, është përmbysja. Deliri që ti mund të vjedhësh, poshtërosh, kërcënosh dhe ndëshkosh këdo sipas oreksit dhe kjo pa të hyrë asnjë gjemb në këmbë, është tipik deliri i një budallai, që e ka humbur sensin e realitetit.

Ndërsa, ideja që mund ta bësh këtë edhe pas 30 vjetësh demokraci, për shkak se të ka marrë koka erë, ngaqë ke të gjitha pushtetet dhe ke miliarda në xhepat e tu, jo vetëm që tregon paaftësinë për të nuhatur rrezikun, por njëkohësisht dëshmon nënvlerësim dhe përbuzje për dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.

Pra, pas të vërtetave që nxorrën përgjimet, dhe pas dështimit spektakolar me pasojat e tërmetit dhe pandemisë, Edi Rama është sot më i pashpresë se kurrë. Kush mendon se shqiptarët janë idiotë dhe pa dinjitet kanë shumë gabim. Kush e thotë këtë, qoftë ai shqiptar apo ndërkombëtar, gënjen veten dhe është hipokrit. Sepse, sot kjo nuk lidhet më me Ramën si individ, por me vetë natyrën e demokracisë. Ajo nuk e fal kurrë atë që e shpërdoron atë kundër qytetarëve të vet.

Artikulli paraprakBaçi publikon videon e protestës: Denoncojnë veprimet korruptive të bashkisë Fier dhe të qeverisë
Artikulli tjetërBasha: Qeveria ka shpërndarë për 1 muaj vetëm 10 milionë euro për qytetarët, për 4 oligarkë pagoi 22 milionë brenda ditës