Kush ishte arkitekti i njohur që humbi betejën me Covid-19  

Arkitekti i njohur Hajdar Kovaçi u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme nga Covid-19 pasi qëndroi prej thuajse 3 javësh i intubuar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Kovaçi ishte një personalitet i njohur në Durrës, një intelektual i nderuar dhe një njeri që gëzonte respektin e bashkëqytetarëve të tij. Për vite me rradhë ka qenë në detyra të ndryshme si zv/president i dhomës së Tregtisë, Industrisë së qytetit dhe për dy mandate, anëtar i Këshillit Bashkiak nga rradhët e PD, pjesëtar i Këshillit Rregullues të Territorit, anëtar i Klubit Rotarian të Shqipërisë në Tiranë etj. Në vitin 2000 u zgjodh president i Klubit Rotarian në Durrës.

Kush ishte arkitekti Hajdar Kovaçi?

222

Arkitekti i njohur Hajdar Kovaçi lindi në Durrës, në vitin 1946.  Shkollën fillore dhe atë të mesmen e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Tiranë, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.

Kur Kovaçi ishte në vitin e tretë të universitetit u hap dega e Arkitekturës, në të cilën konkuroi dhe fitoi mes 70 studentëve pjesëmarrës.

Në vitin 1972 emërohet arkitekt në qytetin e Bajram Currit, ku u dallua për përgjegjësi të lartë profesionale, kulturë dhe intelekt. Vitet e punës intensive që pasuan më vonë bënë që këtë arkitekt, falë aftësive të tij, ta shohim të emërohet në Durrës, në vendlindjen e tij, duke lënë në qytetin e Bajram Currit projekte që mbajnë siglën e ing Kovaçit, por që s’arritën të përfundoheshin.

Viti 1976 e gjen në Durrës ku krijon familjen e tij, pas martesës me arkitekten e dëgjuar Magdalena Furxhi. Një familje nobël që në jetë sollën dy djem të shkolluar. Ing. Kovaçi kaloi peripeci profesionale nga ku filloi kalvari i emërimeve që për shkak të biografisë nga byroja e projektimeve, fillon syrgjynosja. Aftësia e këtij çifti ideal se mposhti dot ambicien e njerëzve të paaftë që kërkonin ta përmbysnin çiftin Kovaçi duke e dërguar në detyra që s’kishin të bënin me profesionin e arkitektit.

I vendosur, kompetent dhe besnik i drejtësisë, ing. Kovaçi, fill pas përmbysjes së diktaturës, me një grup shokësh e miqsh, krijuan studion e parë të projektimit në qytetin e Durrësit. Vite pune intensive, përgjegjësi morale, qëndrim dinjitoz, cilësi që bën të shquhej akoma më shumë ky intelektual kompetent. Mbi 10 vite pune, shumë vepra të projektuara nga arkitekt Kovaçi. Një volum pune me përmasa të mëdha, mbi 200 firma të ing. Kovaçit në projektet e tij.

Në vitet 1992-1997 zgjidhet zv/president i arkitektëve shqiptarë duke përfaqësuar me dinjitet njerëzor e profesional vendin tonë në konferenca ndërkombëtare. Do të jetë ky intelektual voluminoz, pse jo enciklopedik, firma e të cilit prezantoi Shqipërinë në pellgun e Mesdheut, organizuar në Kretë të Greqisë, Marok, Tunizi, Qipro, Greqi, Maltë, Itali.

Arkitekt Kovaçi në Universitetin e Peskarës “Danuçio”, mbajti dy ligjërata për planin rregullues të qytetit të Durrësit dhe me modesti e plot krenari të ligjshme, i mbajti ligjëratat në italisht dhe shqip dhe ky qëndrim la mbresa të fuqishme të cilat u pasqyruan në shtypin e kohës.

Kovaçi mbante kumtesa, shkruante recensione profesionale, ishte pjesëmarrës aktiv në shtypin periodik, kritik e largpamës. Ai zotëronte një bibliotekë ku mbizotëronte literatura arkitekturale si dhe botime dhe volume në gjuhë të huaja si italisht, rusisht, anglisht.

Si hobi të tij kishte sportin e bukur të ujit, notin.

Arkitekti Hajdar Kovaçi ka gëzuar një reputacion dhe respekt mbarëqytetar për vlerat e tij në qytetin e Durrësit. Për vite me rradhë ka qenë në detyra të ndryshme si zv/president i dhomës së tregtisë, industrisë së qytetit dhe për dy mandate, anëtar i këshillit bashkiak nga rradhët e PD, pjesëtar i këshillit rregullues të territorit, anëtar i Klubit Rotarian Durrës, ndërsa në vitin 2000 u zgjodh president i Klubit Rotarian në Durrës.

Bashkim KADIU

Artikulli paraprakCO(Vidh) 2020, qeveria shfrytëzon virusin për pushtet personal dhe për zhvatjen e qytetarëve!
Artikulli tjetërLirohet polici që dhunoi gazetarin