Kush është Gjenerali Flynn, Makiaveli i Trump?

Presidenti i ri republikan, Donald Trump nuk e ka zgjedhur ende sekretarin e Shtetit të ri, por emërimin më të rëndësishëm të këshilltarit për politikën e jashtme tashmë e ka bërë. Është këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Gjenerali Michael T. Flynn.
Po kush është në të vërtetë Michael Flynn? Sigurisht një njeri pak diplomat, duke qenë se është shkarkuar nga Obama pasi thoshte hapur se Shtetet e Bashkuara kishin gabuar qasjen strategjike të luftës kundër xhihadizmit dhe pikërisht kjo qasje do t’i çonte tek humbja në Lindjen e Mesme. Pikërisht ky rajon qe pika e fortë e karrierës së tij, ku shërbeu si oficer i inteligjencës ushtarake fillimisht në Irak e më pas në Afganistan. Pikërisht këtu u bë kreu i DIA-s (Defence Intelligence Agency), përpara se të nxirrej në pension. Idetë e tij ai i ka përmbledhur në një libër të botuar bashkë me Michael Ledeen, me titull “The Field of Fight: How We Can Win the Global War Against Radical Islam and Its Allies”. Në të ai thekson se luftërat në Lindje të Mesme janë thellësisht të rrënjosura në historinë e rajonit dhe në historinë e islamit, se inteligjenca duhet të studiojë historinë, të lexojë libra, t’i mësojë shoqëritë lokale nga historianë dhe antropologë, të marrë seriozisht atë që vetë xhihadistët thonë për veten e motivacionet e tyre dhe të kuptojnë sesa është e thellë dhe e shtrirë mbështetja e popullsisë ndaj xhihadistëve. Vetëm mbi këto baza do të mund të mendohet dhe të vihet në zbatim një strategji suksesi, duke mos mohuar realitetin historik dhe social.
Sipas Christopher J. Fettweis, docent i Shkencave Politike në Tulane University dhe autor i librit “Making Policy Decisions”, Flynn është Makiaveli i Trump. Katër ide qendrore e dominojnë vizionin e tij të sigurisë. “Armiqësia ndaj Shteteve të Bashkuara ka bërë bashkë një tërësi laramane të madhe aktorësh dashakeqës në një aleancë antiperëndimore. Regjime të ndryshme autoritare të botës gjenden shpesh në kauzë të përbashkët midis tyre dhe me islamistët radikalë që kërcënojnë mënyrën amerikane të jetesës. Al Qaeda, ISIS dhe partnerët e tyre fondamentalistë janë të mbështetur aktivisht nga Rusia, Irani, Kina, Koreja e Jugut, Kuba, Venezuela. Urrejtja e tyre ndaj lirisë i bashkon kundër Perëndimit. Na pëlqen apo jo, Shtetet e Bashkuara do të jenë në luftë kundër kësaj aleance për gjeneratat që do të vijnë”.
Irani i ajatollahëve është në qendër të kësaj aleance: “Irani është bërë për shekullin XXI ajo që Bashkimi Sovjetik ishte për gjysmën e dytë e shekullit XX: origjina dhe mbështetësi i problemeve të botës, nga terrorizmi tek radikalizmi dhe tek proliferimi. “Rruga drejt fitores” në luftën kundër terrorit kalon kështu nga Teherani”. Regjimi i Teheranit është thelbësisht i brishtë, vazhdon Flynn. “Bashkimi Sovjetik është ulur poshtë nga brenda, pse jo Irani? Mbështetja e munguar ndaj ‘revolucionit të gjelbër’, sipas mendimit të tij, është një prej vendimeve të pafalshme të Presidentit Obama”.
Ideja e katërt dhe e fundit: Amerika është në rrezik real të humbasë luftën kundër terrorit. “Shtetet e Bashkuara po e humbasin luftën kundër Aleancës të së Keqes. Në njëfarë mënyre jemi një hap larg nga një rrëshqitje e pakontrolluar drejt sharias dhe despotizmit totalitar. Pa një veprim të vendosur, jemi të destinuar që ta humbasim luftën kundër aleancës armike, të destinuar që “të qeverisemi nga njerëz që pijnë me etje gjakun e armiqve të tyre të vdekur”.
Konkludon Fettweis: “Realistët mund të shpresojnë që Flynn të kuptojë se roli më i rëndësishëm i këshilltarit për Sigurinë Kombëtare është ai që ta ndjekë procesin në mënyrë neutrale, për t’i paraqitur Presidentit opsionet e qarta në marrjen e vendimeve. Shikohet roli i tij në rast të kundër si Makiaveli i Trump për të hartuar politika që i përshtaten vizionit të tij për botën, atëherë Shtetet e Bashkuara dhe bota bashkë me të mund të kalojë nga një periudhë e gjatë dhune në vitet në vazhdim. Përveç intimitetit të natyrshëm me Kremlinin, ish-gjenerali ka zbuluar një tjetër tendencë të habitshme, në favor të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Flynn punon për një studio holandeze, “Inovo BM”, që shërben si lobiste në Uashington për llogari të qeverisë turke dhe më 8 nëntor, të martën e zgjedhjeve, ka botuar në uebsajtin “The Hill” një editorial në të cilin kërkon që Uashingtoni të pushojë së ofruari mbrojtje Fethullah Gylenit dhe e ka krahasuar atë me Osama bin Laden.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakTurqia dhe Rusia po e diskutojnë armëpushimin në Alepo
Artikulli tjetërNdërpritet energjia elektrike edhe në spitale