Kush është banda e Rilindjes që po helmon Fierin

Nga Jonida Tashi

Sot, pranë këtyre banorëve nuk gjendet asnjë përfaqësues qeveritar qoftë edhe lokal. Deputeti i përhershëm i zonës, Ervin Koçi, djalë i lindur ngjitur me fshatin Verri, atë që gjendet buzë rrugës në Vajkan, e la mandatin për t’iu rikthyer karrierës së tij si ekonomist, fill pasi mori edhe një mesazh nga banorët që i kërkonin ndihmë. Ndjesën për asgjë që nuk bëri dot në aq vite për banorët e fshatit të tij më së pari, por jo vetëm, e bëri në postimin e tij në Facebook. Aty mori guximin të fliste, se në Kuvend se ka thënë kurrë një fjalë për asnjë shqetësim që kanë banorët në zonën e Fierit. As për ata maratonomakët e Zharrzës që u dergjen në protesta, greva e marshime epike për të kërkuar lekët për shtëpitë që po u shemben nga kompania private e lejuar nga shteti për të nxjerrë naftë. Po, u ka shkuar në derë një herë kur ka shoqëruar drejtues të partisë, ku ai bën pjesë për t’u kërkuar votën, që e kanë marrë pa vështirësi, pasi zona njihet si e majtë ashtu sikurse është konsideruar edhe i gjithë Fieri, si një nga bastionet e socialistëve.
Ndërsa administratori i Njësisë Administrative Mbrostar, Gëzim Dhima, kushëriri i parë i deputetit Ervin Koçi, as i ka rënë në mendje halli i këtyre banorëve dhe pse i ka shoqëruar në distancë në protestat para Bashkisë. Pas administratorit, një tjetër njeri i afërt i Ervin Koçit, kushërira e tij e parë, drejtoresha e shkollës së mesme dhe 9-vjeçare “Vasil Sota” Verri, Aurora Bualli, mban nën presion nxënësit që të mos largohen nga mësimi për të shkuar në protestë. Ndërsa, kur i janë dashur kushëririt deputet për mitingje politike porta e shkollës është hapur në të dyja anët, e mësuesve u është bërë presion për pjesëmarrje, në të kundërt, duhet të iknin nga puna. Të tjerë të punësuar ka nga fisi i Ervin Koçit pranë institucioneve në Fier. Rilindja udhëheq me bandë, ky është një rast që e dëshmon mirë, ku një pjesë e Fierit drejtohet nga fisi i Ervin Koçit, që qeveria i ka besuar së fundi edhe detyrën e drejtuesit të një prej institucioneve më të rëndësishme të kontrollit të tregjeve, që është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Por e keqja për banorët e fshatit Verri, që nuk kanë parë kurrë asnjë ndihmë nga shteti nuk mbaron me djalin e zonës së tyre. Banorët kanë protestuar edhe para Bashkisë se Fierit, duke kërkuar sqarime nga kryetari i saj, Armando Subashi, që për hir të interesave të tij personale, hesht dhe lejon që një kompani fantazëm të nisi punimet në një tokë që ai pretendon se banorët e zonës ja ka dhënë vetë investitorit. E vërteta nuk është kështu! Asaj toke i ka dalë pronar i biri i Sabri Godos, Arben Godo, vëllai i doktoreshës së mirë onko-hematologe për fëmijë, Anila Godo. Arben Godo nuk ka asnjë lidhje me fshatin, as e di si jetohet aty apo çfarë dëmi do t’u shkaktohet banorëve, shumë prej të cilëve si zë gjumi natën nga meraku. Por për merakun e tyre sot nuk kujtohet askush.
Ministri i Mjedisit, Leter Koka, pasi lejoi ndërtimin e një inceneratori në zonën e Elbasanit, firmosi edhe kontratën e dytë koncensionare në dhjetor të vitit 2016, kësaj radhe për Fierin. Koka me siguri nuk pyeti e as dëgjoi ekspert, as ambientalistë, as i hyri llogarive të ndotjes, madje-madje harroi që jemi në prag fushate dhe si bëri hesapet mirë as me votat. Sot, pasi banorët i janë drejtuar zyrtarisht, ministri u ka bërë të ditur se nuk ka dhënë leje për ndërtimin e inceneratorit e se kontrata është ku duan të ndërtojnë një fabrikë helmuese.
Policia e Shtetit, siç ka dhe emrin, po i dhunon, po i  përndjek, po u bën presion banorëve të fshatit, duke i dërguar fletëthirrje që të paraqiten në Prokurori, njerëzve që s’kanë pasur kurrëfarë lidhje me krimin në jetë, por veç me punën dhe tokën që duan t’ua helmatisin. Deri tani kanë proceduar 18 banorë, të tjerë po kërcënojnë çdo ditë. Mendojnë se me frikë do të munden të mposhtin njerëzit e punës. Kreu i Bashkisë, Armanado Subashi, u ka dërguar fjalë banorëve të fshatit me të besuarit e tij se të gjithë do të përfundojnë në burg dhe inceneratori do të bëhet. Këta njerëz shtetin e kanë shndërruar në pronë private, që e përdorin si dhe për çfarë të duan. Para se të mbërrihej në Verri, lufta për mos lejimin e inceneratorit ishte zhvilluar nga banorët e fshatit Mbyet, pastaj ata në Mbrostar. Po shëtisin vend më vend për të gjejtur një copë tokë ku të ndërtojnë një impinat vdekje, e që njerëzve po ua shesin si mundësi punësimi, ndërkohë që për fshatin nuk janë kujtuar asnjëherë dhe tani që u ra mendja po kërkojnë ta zhdukin.

Artikulli paraprakNjë sinjal për qeveritë që po helmojnë njerëz
Artikulli tjetërMasakra e Stokholmit