Kush e komandon Iranin

Arkitektura institucionale e Republikës Islamike të Iranit parashikon praninë e njëkohëshme e organeve me legjitimim popullor dhe të atyre me legjitimin fetar. Një guidë në “shtetin dual”

Arkitektura institucionale e Republikës Islamike të Iranit parashikon praninë e njëkohëshme e organeve me legjitimim popullor dhe të atyre me legjitimin fetar. Një guidë në “shtetin dual”
Irani është një aktor qendror në skakierën e Lindjes së Mesme dhe zhvillimet e viteve të fundit, duke filluar nga pushtimi amerikan i Irakut deri në luftërat përkatësisht në Siri e në Jemen, e kanë rritur influencën e tij. Nëse lëvizjet e tiij gjeopolitike janë në mënyrë konstante objekt i vëmendjes mediatike, më pak e njohur është arkitektura komplekse “duale” e tij, e karakterizuar nga bashkëprania e organeve të zgjedhura e jo të zgjedhura dhe nga qendra pushteti formale dhe informale, që e bëjnë të thjeshtë konfigurimin e një monoliti teokratik në majën e të cilit qëndron Guida Supreme.

Në të kundërt, sidomos pas reformës kushtetuese të vitit 1989 dhe vdekjes së Ajatollahut Ruhollah Khomeini, pushtetet e Rahbar-it (Guidës Supreme) nuk janë ato të një monarku absolut. Ai mbetet balancuesi i sistemit iranian, por i duhet të konfrontohet me forca të tjera. Për të kuptuar asetin institucional të Republikës Islamike, nevojitet që të zbresim në momentin e vendosjes së saj.

Më 11 shkurt 1979 festohej suksesi i revolucionit dhe rrëzimi i Shahut Reza Pahlavi, i larguar jashtë vendit. Pak më shumë se një muaj më pas, më 30 mars, një referendum sanksiononte me 98% të votave në favor krijimin e një forme të re shtetërore: Republikës Islamike të Iranit, e bazuar mbi parimin e velayat-e faqih të përpunuar nga Khomeini, që mbështeste menaxhimin e drejtpërdrejtë e pushtetit politik nga ana e faqih-ut, juristit ekspert fetar.

Pas referendumit u mbajtën zgjedhjet për të parën Asamble të Ekspertëve (Majles-e Khebregan), që kishte detyrën e hartimit të një kushtetute të re. Rezultati është një aset institucional hibrid, me praninë e njëkohëshme me legjitimin hyjnor dhe të tjerëve me legjitimim popullor. Një rezultat që tregon kompromisin e arritur midis idesë së Khomeini dhe asaj të Mehdi Bazargan, në atë kohë Kryeministër, në favor të një kushtetute të frymëzuar nga Republika e Pestë franceze dhe që pasqyron natyrën hibride e Revolucionit të vitit 1979, e vënë në lëvizje si nga forcat islamike, ashtu edhe nga ato laike.

Organet me legjitimim fetar
Pas reformës së vitit 1989 kushtetuta iraniane ia cakton Guidës Supreme, i zgjedhur përjetësisht, pushtetin e adresimit e të gjitha organeve shtetërore. Veç të tjerash, Rahrbar-i është Komandant Suprem i Forcave të Armatosura, të cilave u emëron Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, ka kontrollin e aparateve të sigurisë (shërbime sekrete e trupat paraushtarake Pasdaran dhe Basij) dhe të fondacioneve fetare (parasëgjithash, fondacionit shumë të fuqishëm Bonyad-e Mostazafin), emëron drejtuesit e pushtetit gjyqësor dhe të transmetuesve radiofonike e televizive kombëtare.

Pushtetet e Guidës Supreme janë të tilla sa të sanksionojnë mbizotërimin e administratës së Republikës Islamike deri mbi shtyllat e islamit. Në fakt, vetë Khomeini pohonte: «Qeveria e Islamit është një detyrim parësor që ka përparësi ndaj detyrimeve dytësore si falja, agjërimi dhe pelegrinazhi. Për të ruajtur islamin, qeveria mund të pezullojë një ose të gjitha detyrimet dytësore».

Me rëndësi të veçantë është e drejta dhënë Guidës Supreme për të emëruar 6 nga 12 anëtarët e Këshillit të Gardianëve të Kushtetutës. 6 anëtarët e tjerë e këtij Këshilli, që vepron si një lloj Gjykate Kushtetuese dhe që ka marrë një rëndësi gjithnjë e më të madhe pas vdekjes së Khomeini, emërohen nga organi i kontrollit të magjistraturës dhe ratifikohen nga Parlamenti.

Këshilli i Gardianëve ka luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm falë pushtetit të tij mbi elektoratin pasiv. Çdo kandidat, qofshin ata për zgjedhje presidenciale, parlamentare apo lokale, shqyrtohet në fakt nga Këshilli, i cili i vlerëson konformitetin me vlerat e Republikës Islamike dhe, për pasojë, i përcakton edhe zgjedhshmërinë. Vitet e fundit gjithnjë e më shumë kandidatë janë skualifikuar përpara zgjedhjeve. Veç të tjerash, Këshilli i Gardianëve kontrollon që të gjitha aktet e miratuara nga Parlamenti të jenë në linjë me sharian. Bëhet fjalë për një organizëm të dominuar nga konservatorët më dogmatikë që ka kontribuar fuqishëm në dështimin e propozimeve reformiste.

Reforma kushtetuese e 1989, duke ju përgjigjur zbehjes së karizmës së themeluesit të Republikës (Khomeini), ka krijuar edhe një organ të ri, Këshillin për Mprehtësinë (ose Këshillin për Mendimet e Konformitetit) me detyrën e zgjidhjes së kundërshtive midis Parlamentit dhe Këshillit të Gardianëve. Teorikisht, ky organ ka edhe pushtetin që të imponojë miratimin e një projektligji të refuzuar nga Këshilli i Gardianëve të Revolucionit, por nevoja e të cilit theksohet nga Parlamenti. Anëtarët e Këshillit për mprehtësinë emërohen drejtpërsëdrejti nga Guida Supreme me një mandat 5 vjeçar. Për vite të tëra ky Këshill ka qenë pak influent, por emërimi në vitin 2012 i ish Presidentit të Republikës Hashemi Rafsanjani (1934 – 2017) në krye të këtij institucioni ia ka rritur rëndësinë, deri sa ta çojë në mbikëqyrjen e të gjitha aktiviteteve të qeverisë. Dinamika e sapopërshkruar tregon edhe personalizimin e pushtetit në Iran, gjë që ka çuar në ndërtimin e një sistemi të artikuluar që «krijon lidhje transversale familjare, aleanca martesore, kufizime padrono – klienteliste dhe solidaritet shtrese shoqërore».

Organet me legjitimim popullor
Elektorati aktiv iranian përfshin të gjithë të rriturit, përfshi gratë, që me votë të fshehtë zgjedhin Presidentin e Republikës (votues mbi 16 vjeçarë), Parlamentin (Majles-e showra-ye islami, votues më të mëdhenj së 15 vjeç), këshillat komunalë e rajonalë dhe Asamblenë e të Urtëve.

Presidenti i Republikës, sot i moderuari Hassan Rouhani, kryeson qeverinë, të cilës i emëron ministrat, duke e luajtur funksionin e Kryeministrit pas abrogimit të kësaj figure në vitin 1989. Zgjidhet me sistem me dy raunde çdo 4 vjet, me kufizim prej 2 mandatesh radhazi, dhe është autoriteti zyrtar më i lartë pas Guidës Supreme. Neni i 115-të i kushtetutës përcakton se ai duhet të jetë mysliman shiit. Presidenti, lexohet në të, «zgjidhet midis personaliteteve me rëndësi në fushën fetare e politike që posedojnë kushtet e mëposhtme: origjinë iraniane prej lindjes nga prindër iranianë, shtetësi iraniane, aftësi drejtuese të dëshmuara nga përvoja të mëparshme, besueshmëri dhe virtyte, besnikëri të bindur ndaj parimeve të Republikës Islamike të Iranit dhe të besimit fetar shtetëror».

Midis prerogativave të tij është emërimi i ambsadorëve, i drejtorëve të Bankës Kombëtare dhe i National Iranian Oil Company (NIOC). Pushtetet e Presidentit të zgjedhur janë të kufizuara nga prania e posteve jo të zgjedhshëm sidomos në disa aspekte, si politika e jashtme. Një shembull domethënës në këtë kuptim kanë qenë negociatat për marrëveshjen lidhur me bërthamoren (JCPOA) që kanë qenë të mundura pse Presidenti dhe Ministri i jashtëm Mohammed Javad Zarif gëzonin miratimin e Guidës Supreme. Por veprimi i Presidentit të zgjedhur mund të pengohet jo vetëm nga qendrat me legjitimim fetar, por edhe nga Parlamenti. Në ndryshim nga sa ndodh normalisht në demokracitë perëndimore, qeveria iraniane nuk mund të mosbesohet nga kjo asamble. Megjithatë, raporti midis Presidentit dhe Parlamentit është shpesh konfilktual dhe Mexhlisi mund ta bllokojë aksionin e qeverisë duke ia mosbesuar ministrat.

Kushtetuta përcakton që Parlamenti përbëhet nga 270 anëtarë, shifër e rritur më 1999 në 290 në funksion të rritjes së popullsisë. Zgjedhjet mbahen çdo 4 vjet nëpërmjet një sistemi të përzier kolegjesh njëemërore dhe shumë emërore, me 5 ulëse të rezervuara pakicave fetare: nga një secili për hebrenjtë, zoroastrianët, kristianët asiro – kaldeas dhe dy për armenët, njëri për ata të veriut dhe tjetri për ata të jugut të Iranit. Midis pushteteve të Parlamentit njëdhomësh iranian janë miratimi i bilancit shtetëror, raatifikimi i traktateve ndërkombëtare dhe sidomos i 6 anëtarëve të mbetur të Këshillit të Gardianëve të Revolucionit, të përzgjedhur nga organi i kontrollit të magjistraturës. Për vite të tëra, zgjedhjet parlamentare kanë qenë «thelbësisht demokratike, me një përzgjedhje preventive të kandidatëve gjithsesi e kufizuar (…) dhe me manipulim minimal të rezultateve elektorale». Klima ndryshon në vitin 2004, kur grupet konservatore dhe ultraradikale kanë filluar të eliminojmë nga konkurrenca elektorale shumicën e kandidatëve të moderuar e reformistë, duke e ndryshuar rëndshëm rezultatin e votës.

E fundit midis organeve me legjitimim popullor është Asambleja e të Urtëve, detyra më e rëndësishme e të cilës është të zgjedhë nga rangjet e saj Guidën Supreme. Me seli zyrtare në Qom, ky organ parashikohet nga Neni 107 dhe Neni 108 i kushtetutës iraniane, që i përcaktojnë zgjedhjen e drejtpërdrejtë. 88 anëtarët që e përbëjnë duhet të kenë një besim fetar të provuar, të jenë të besueshëm dhe të kenë një qasje moralisht të pakritikueshme; të jetë në gjendje të interpretojë të drejtën islamike në mënyrë që të mund të gjykojë nëse Guida Supreme është i denjë apo jo për një post të tillë; të njohë tematikat politike e sociale të vendit dhe, së fundi, të besojë në sistemin e Republikës Islamike e ta ketë mbështetur gjithmonë atë.

Kohëzgjatja e këtij organi të zgjedhshëm, kandidatët e të cilët paraprakisht miratohen nga Këshilli i Gardianëve (u skualifikua deri Hassan Khomeini, djali i themeluesit të Republikës), është e fiksuar çdo 8 vjet. Duke pasur parasysh moshën e Guidës Supreme aktuale, Ajatollahut Ali Khamenei, tashmë 80 vjeçar, zgjedhjet e fundit e mbajtura më 2016 janë ndjekur me një vëmendje të caktuar, duke hipotezuar se përpara 2024 mund të jetë e nevojshme të zgjidhet një Rahbar i ri.

Siç është parë, secila zgjedhje politike apo ekonomike iraniane është frut i përzierjes së interesave, pushteteve dhe prerogativave të tipologjive të ndryshme të organeve: i gjithë sistemi vepron me qëllim që efikasiteti i organeve të cilat gëzojnë legjitimim popullor të jetë i kufizuar nga prania e qendrave formale të pushtetit të legjitimuar fetarisht (Guida Supreme, Këshilli i Gardianëve të Revolucionit dhe Këshilli i të Urtëve) dhe informale, si fondacionet dhe trupat paraushtarake. Ja pse, më shumë sesa të nxisin reforma të pamundura apo ndëshkime aventureske, politikat perëndimore dhe ato amerikane në veçanti duhet të kërkojnë të forcojnë figurat jo ekstremiste që për momentin qëndrojnë në organet e zgjedhshme.
(nga Fondacioni Oasis)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakTotti tërbon serbët me reagimin ndaj postimit të këngëtares shqiptare Dua Lipa
Artikulli tjetërAmbasada e SHBA: Yuri Kim u takua me kryeministrin Rama për marrëveshjen e 5 qershorit