Kurum rrëzon alibinë e Sotës: Nuk e kemi klient

Alibia e Orest Sotës se 863 mijë eurot ishin të destinuara për blerjen e hekurit tek Kompania Kurum kanë rënë. Kompania e pyetur nga prokurorët ka sqaruar se Sota nuk bën pjesë tek lista e klientëve të kësaj kompanie dhe se ajo në asnjë rast nuk operon me shumë para në dorë, por vetëm përmes transfertave bankare.
Sota kishte deklaruar se paratë ishin për blerjen e hekurit tek kjo kompani, ndaj dhe kishte marrë drejtimin drejt vendit ku ndodhet fabrika. Kjo rezulton një mashtrim, i cili nxjerr zbuluar Sotën. Po përse duhet të gënjejë Sota? Kjo është pyetja që ka një përgjigje tjetër. Ai po kërkon të fshehë të vërtetën. Kjo nuk është gënjeshtra e parë e Sotës për prokurorët. Ai ka gënjyer edhe kur është pyetur për Tahirin duke deklaruar se nuk e njeh atë. Në të vërtetë dokumentat e bëra publike nga Basha kanë treguar se Sota ka udhëtuar tre herë së bashku me ish-ministrin e Brendshëm jashtë vendit.

Hetimet i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Hetimet e mëtejshme të dosjes Sota dhe dy patentave të Tahirit kanë kaluar nga Prokuroria e Elbasanit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Do të jetë kjo Prokurori, e cila do të zbardhë të vërtetën e 863 mijë eurove si dhe të dy patentave të Tahirit. Po kjo Prokurori vazhdon të hetojë edhe dosjen e Antimafias italiane për Habilajt dhe Tahirin.

Udhëtimet e Sotës me Tahirin

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Orest Sota janë bashkëpunëtorë në trafikun e drogës. Tahiri ka udhëtuar dy herë jashtë shtetit me Sotën, një herë në Itali dhe një herë tjetër në Malin e Zi, ndërsa një herë tjetër Tahiri i ka dhënë Sotës makinën e tij për të udhëtuar jashtë shtetit. Denoncimi është bërë ngë kryetari i PD, Lulzim Basha. Në një postim në Facebook, Basha shkruan se, sa më shumë përpiqet Edi Rama të mbrojë Tahirin, aq më shumë i del boja si i lidhur me krimin dhe përfitues i tij. “Rama po gënjen prapë për llogari të Tahirit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten e tij. Tahiri dhe Sota janë bashkëpunëtorë në trafikun e milionave të drogës dhe po përpiqen çdo minutë të fshehin provat.
Burime të sigurta informojnë se:
1. Tahiri dhe Sota kanë udhëtuar bashkë për në Itali, me datë 2 gusht 2016 nga Porti i Durrësit. Ata janë larguar nga Italia bashkë dhe janë rikthyer në Shqipëri me datë 7 gusht 2016 me të njëjtën linjë.
2. Në 1 shtator 2017 Tahiri dhe Sota janë larguar bashkë nga Shqipëria nëpërmjet Muriqanit dhe janë kthyer bashkë me datë 3 shtator 2017 po nëpërmjet Muriqanit.
3. Në 6 shtator 2017 Orest Sota ka dalë nga Shqipëria, duke përdorur makinën e Tahirit.
Fakte të tjera tronditëse pritet të publikohen së shpejti. Edi Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi. Largimi i tyre është imperativ kombëtar”, deklaroi Basha.
Sota u arrestua nga Policia e Elbasanit, ku gjatë një kontrolli iu gjetën në makinë 863 mijë euro dhe 2 leje drejtimi për mjete lundruese në emër të Saimir Tahirit. Policia mbajti të fshehtë lajmin dhe u detyrua ta publikojë pas denoncimit të kryetarit të PD, Basha. Në deklaratën e saj, Policia nuk e thotë shumën e eurove të bllokuara dhe gjetjen në makinën e Sotës të dy patentave të drejtimit të mjeteve lundruese të Tahirit.

Oresti kishte lidhje edhe me Ramën dhe Olsin

Orest Sota kishte lidhje jo vetëm me Tahirin, por edhe kryeministrin Rama dhe vëllain e tij Olsin. Një qytetar ka informuar ish-Kryeministrin Berisha se, Tahiri në kohën kur ishte ministër i Brendshëm e përcillte Orestin në Rinas drejt Gjermanisë. “Ja lidhjet e Orestit me Olsi, Edi Ramën dhe si e përcillte Sajmir Trafiku, Orestin në Rinas! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Doktor. Desha të informoj për disa fakte mbi lidhjet e Orestit me Ramën dhe Tahirin. Thuhet se burri i motrës së Orestit që u ndalua është tek ai grupi i kokainës, ku bën pjesë Olsi. Sidoqoftë duhet riverifikuar. Atë vit, Oresti shtroi të jëmën në spital në Gjermani me talasemi, ku ishte shtruar dhe babai i Tahirit dhe u bënë shumë miq. Që atëhere, ai hynte e dilte nga VIP i Rinas me valixhe që njoftohej nga Tahiri ose i jati. Në VIP, këtë e dinë të gjithë si familjar i Tahirit dhe është regjistruar.

Ja kush e pajisi me leje lundrimi Tahirin

Ish-Kryeministri Berisha në një postim të tij të fundit në profilin e tij në Facebook ka treguar nëpërmjet një mesazhi të ardhur nga qytetari dixhital, se si është pajisur Saimir Tahiri me patentë lundrimi. “Ja si u pajis me dy patenta lundërtari i madh Saimir Trafiku! Dokeri dixhital denoncon”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje doktor. Lefter Sota është partner biznesi me Ibrahim Domin. Ibrahim Domi ka të vetin Hamdi Domin. Hamdi Domi është ai që ka firmosur patentat dhe që është përgjegjësi i sektorit të mjeteve lundruese dhe detare (gjithashtu dhe pjesë e QNOD). Për firmosjen e patentave të Saimir Tahirit në kundërshtim me çdo ligj është paguar mirë edhe Paulin Ndreu.
Nga ana tjetër, Ibrahim Domi është edhe partner me Fatmir Volotin, që besoj se e di që është prestanome i Gjushit. Voloti është një nga dy-tre të vetmit që ndërton sot në Durrës. Ka ndërtuar te Lulishte “1 Maji” ku u zhdukën ato rrënojat antike”, shkruan qytetari.

Prokuroria, nën hetim të gjitha pasuritë e Orest Sotës

E gjithë pasuria e Orest Sotës pritet të kalojë nën sitën e Prokurorisë. Biznesmeni 25-vjeçar do të duhet të justifikojë para drejtësisë burimin e 863 mijë eurove që iu gjetën në makinë, së bashku me dy patenta për lundrim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai ka deklaruar se, paratë i kishte për të paguar një paradhënie në kompaninë Kurum për të blerë hekur për një firmë ndërtimi të babait të tij, por ky version është rrëzuar nga Kurum.
Prokuroria dyshon se kjo shumë mund të ketë ardhur nga aktivitete të paligjshme ose nuk është deklaruar për t’iu fshehur tatimeve. Nisur nga këto dyshime, dosja mund të kalojë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Elbasanit po shqyrtojnë të dhënat hetimore dhe do të vendosin për të nisur hetimin për pasuritë e Sotës dhe të afërmve të tij.
Në sitën e hetuesve mund të kalojë kompania “Eko Konstruksion” e Sotës apo firma e ndërtimit e babait të tij. I ati i Sotës mësohet se është shprehur se paratë ishin kursime të tij ndër vite dhe ishin të destinuara për blerjen e hekurit te kompania Kurum.
Burime nga grupi hetimor thonë se, pritet që të merren deklarime në formë proceduriale nga drejtuesit dhe menaxherët e kompanisë turke në Elbasan. Ata pritet të japin deklarime, nëse kishin porosi për hekur nga biznesmeni Sota dhe nëse kishin ndonjë pagesë për të marrë me paratë që mbante me vete 25-vjeçari.
Edhe pse dosja mund të kalojë te Krimet e Rënda, burime nga grupi hetimor sqarojnë se deri tani nuk ka ndonjë të dhënë për ta bashkuar dosjen e biznesmenit me hetimin e nisur për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, si të përfshirë në grupin e trafikut të drogës, të drejtuar nga vëllezërit Habilaj.

 

Artikulli paraprakDrejtori i doganës së Rinasit, në rrjetin e kontrabandës së orave të shtrenjta
Artikulli tjetërÇfarë fshihet pas mashtrimit të Ramës me 80 “agjentët e FBI”?