Kura Klop nuk funksionon

Vetëm 1 fitore në 10 ndeshje edhe ajo ndaj modestëve të Plymouth në Fa Cup. Viti 2017 ka nisur në mënyrë katastrofike për Liverpulin që ka rrëshkitur nga vendi i dytë në të 5-tin dhe është eliminuar nga të dyja kupat. Për momentin e ardhmja e Jurgen Klop në stolin e të “Kuqve” nuk është në dyshim, por dueli i kësaj të shtune ndaj Tottenham-it në “Anfield Road” mund të përcaktojë shumë gjëra. 16 muaj më parë Klop mori drejtimin e Liverpulit me shumë bujë dhe në skuadër u ndje menjëherë dora e trajnerit gjerman, i cili arriti rezultate shumë të mira.
Por nuk mund të thuhet e njëjta, pas një janari katastrofik më 2017-tën. Nëse u hedhim një sy statistikave, Klop në këto 16 muaj nuk i ka dhënë asgjë më shumë Liverpulit se paraardhësi i tij Brendan Rodgers, përveç faktit se të kuqtë kanë arritur të mposhtin shpesh skuadrat e mëdha të kampionatit anglez dhe në këtë sezon nuk kanë marrë asnjë humbje ndaj ekipeve të 6-shes së parë. Bilanci paraprak thotë që Klop ka regjistruar 26 fitore, 16 barazime dhe 12 humbje në 54 ndeshjet e tij të para me klubin nga “Anfield Road”, ekzaktësisht si Brendan Rodgers.
Efekti Klop është zhdukur papritur nga Liverpuli me të “Kuqtë” që nuk kanë fituar asnjë nga 5 ndeshjet që kanë zhvilluar një kampionat në këtë fillim 2017-te. Për të gjetur një ecuri të ngjashme të Liverpulit në një fillim viti duhet të kthehemi shumë pas në kohë, pikërisht në vitin e largët 1954. Për të parë skuadrën e tyre të rikthehet te trofetë, tifozët e Liverpulit duhet të presin minimalisht edhe një tjetër sezon sepse deri tani revolucioni që ka bërë Jurgen Klop te “The Reds” nuk ka dhënë efektet e shumëpritura.

Artikulli paraprakA do të hiqet noterizimi i çertifikatave për importet?
Artikulli tjetërLeicester në 1/8 e FA Cup