Kur një President sulmohet edhe për gjëra të paimagjinueshme

Ideja është kjo: ndoshta në vend që të çmendet ai, pasi i çmendur është, aq sa të jetë bërë President pavarësisht gjithçkaje, ndoshta pse, siç e ka deklaruar saktësisht edhe vetë, ai ka qenë gjithë jetën mendërisht i qëndrueshëm dhe tejet tejet brilant, ka mundësi që Donald Trump po luan nga fiqiri demokratët e liberalët e Amerikës dhe jo vetëm. Ja po përmendim një. Midis gjërave të shkruara në librin e Michael Wolff, “Fire and Fury”, del në Twitter një postim nga Pixelated Boat, që është një account satirik. Është popullor dhe ka më shumë se 100000 ndjekës.
I specializuar në parodi, sajon se Trump dëshiron të shikojë absolutisht në dhomën e tij të gjumit The Gorilla Channel dhe përderisa ky kanal televiziv misterioz nuk ekziston, atëherë këshilltarët dhe ndihmësat e tij detyrohen që të bëjnë bashkë dokumentarë dhe emisione lidhur me gorillat e famshme dhe t’i thonë se është kanali që Presidenti kapriçoz e do me çdo kusht. Ai kalon 17 orë në ditë me të.
Këtë e kanë ngrënë shumë njerëz dhe jo vetëm qytetarë të thjeshtë që urrejnë Presidentin, por edhe personazhe të themi të shquar, që teorikisht duhet të kenë trurin dhe arsimimin e duhur sa për të dalluar një lajm fals të bujshëm nga një lajm i vërtetë. Por jo. 17 orët e Presidentit të Shteteve të Bashkuara përpara televizorit me gorillat janë konsideruar të besueshëm nga gazetarja e “Sky News” Samantha Maiden, nga aktori Don Cheadle, nga profesorja e King’s College të Londrës Christine Cheng, që më pas ka pranuar me ndershmëri se e ka besuar lajmin pasi “Trump is beyond parody”. Përkthimi është i kotë….
Në fund, përpara një idiotësie të tillë, ata të Pixelate i kanë vënë një titull lajmit, “The Gorilla Channel thing is a joke”, lajmi për kanalin e gorillave është një shaka.
Fillimisht një sulm i fortë ndaj Steve Bannon, në demonstrim të faktit se nëse Bannon shpreson në një pajtim të ardhshëm apo llogarit që të futet me një listë në zgjedhjet e mesit të mandatit të 2018, gabohet.
Në “cicërimat” e tij Presidenti kujton se në momentin e shkarkimit ka nisur të lutet e të pëqyrret dhe se tani të gjithë sponsorët e tij e kanë braktisur. Referimi këtu është për Robert Mercer, miliarderin që financon “Breitbart” dhe që është distancuar nga libri dhe nga deklaratat e Bannon.
Pastaj Trump merr me gjoks atë që ka kuptuar se është qëllimi i vërtetë i librit të Michael Wolff, domethënë tentativën për të vënë bashkë prova ose të paktën insinuata se shëndeti mendor i tij po vjen duke u përkeqësuar. Tani se historia e bashkëpunimit me Rusinë, pas një viti shoshitjeje të hollësishme, ka demonstruar se është një blof total në sytë e publikut amerikan, demokratët dhe lakejtë e tyre, Fake News Mainstream Media, po nxjerrin nga mënga skenarin e përdorur me Ronald Reagan dhe sokëllijnë lidhur me stabilitetin mendor dhe me inteligjencën.
Vazhdon: “Gjatë gjithë jetës time të ardhurat e mëdha që kam pasur kanë qenë stabiliteti mendor dhe të qenit, le ta themi kështu, vërtet brilant. E ka provuar tashmë gënjeshtarja Hillary Clinton ta luajë këtë kartë dhe i ka dalë keq. Unë kam kaluar nga biznesmen, në yll televizioni, në President të Shteteve të Bashkuara me tentativën e parë. Them se kjo më kualifikon më shumë se brilant, si një gjeni dhe një gjeni shumë shumë i qëndrueshëm”.
Paqëndrueshmëria mendore apo humbja e ekuilibrit përbëjnë motiv për impeachment edhe në mungesë të çfarëdo debie apo inkriminimi kundrejt Presidentit.
Vetëm se edhe një herë akoma beteja politike e pamëshirshme kundër kësaj presidence ndodh pa armë apo instrumente reale, që vetëm politika mund t’i sigurojë. Përderisa menaxhimi i vendit po ecën vaj, besimi i amerikanëve është i lartë, kthehen kapitalet, politika e jashtme më së fundmi po lëviz, gjithçka përqendrohet mbi shkatërrimin e figurës dhe personalitetit të Presidentit e të familjes së tij, mbi një paligjshmëri të supozuar të zgjedhjes.
Për këtë qëllim çdo ditë dalin nga ato që e përditshmja “New York Post” i quan “the rise of impeachment porn”, domethënë histori nëpërmjet gazetash apo televizionesh që lajmërohen si të mrekullueshme dhe që në fakt nuk përmbajnë asgjë, përveçse informacione jo të verifikuara të dorës së tretë.
Praktikë tejet e zakonshme e gazetarisë europiane, por që përbën risi në atë amerikane. Për shembull, “New York Times” lëshon bombën lidhur me përpjekjet e Presidentit për të kontrolluar investigimin lidhur me Rusinë, sikur të kishte pasur një informacion drejtpërsëdrejti nga zyra e Robert Mueller.
Por për çfarë bëhet fjalë, çfarë ka bërë kaq të tmerrshme Presidenti? Në qoftë se lexohet me vëmendje artikulli, kuptohet se Trump ka provuar ta mbajë prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions, duke i kërkuar këshilltarit të tij Donald McGahn që të provojë ta bindë se tërheqja ishte vetëm një dorëzim ndaj prepotencave të demokratëve, pasi Sessions nuk kishte bërë asgjë të keqe. Është një opinion legjitim, Sessions nuk e ka dëgjuar dhe është tërhequr nga investigimi, si është e mundur të bëhet krahasim me kërkesat e Richard Nixon ndaj CIA-s për ta frenuar me çdo kusht investigimin e FBI-së lidhur me Watergate? Në fund të leximit të “skupit”, të mbetet vetëm pak mjegull.
Në rrëmujën e madhe, midis librave skandalë dhe insinuatave lidhur me stabilitetin mendor të Presidentit, rrezikon të kalohet pa u vënë re krejt një seri manovrash që në fakt do të duhej të ndiqej me shumë vëmendje. I rihapur hetimi lidhur me keqpërdorimet në fondacionin Clinton, bëhet kthimi gjithmonë në të njëjtën pikë, domethënë shitjen e uraniumit amerikan Rusisë në një aferë shumë të pistë, që përdori para të ricikluara dhe përfshiu në cilësinë e aktorëve apo të dëshmitarëve të prirur nga heshtja personazhe që sot janë në plan të parë duke hetuar mbi Trump dhe stafin e tij, si prokurori Mueller dhe zëvendësprokurori i Përgjithshëm Rosenstein, që lidhur me Rusinë pas tërheqjes së shefit të tij Sessions ka pushtet të plotë.
Domethënë kërkesën e Kongresit për të nisur një hetim lidhur me gënjeshtrat e thënë edhe në betim nga ish-spiuni anglez Christopher Steele, që për llogari të demokratëve dhe të Hillary Clinton hartoi një dosje plot gënjeshtra që do të duhej të digjte kandidatin Trump.
Gjë e fortë kjo, sigurisht që do të ishte për libër, pak a shumë si ai i gurus demokrate Donna Brazile në të cilin rrëfehet e gjithë qelbësira e fushatës elektorale së Hillary. Që si për ironi të fatit, pas fishekzjarreve të ditëve të para, mbi këtë libër ka rënë heshtja e madhe. Fashisti Bannon është bërë hakmarrësi, kurse shoqja Brasile një qenie e turpshme.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakNë fushë nuk futen ata që e meritojnë
Artikulli tjetërVidal zbulon të ardhmen