Kur Gramoz Ruçi sulmoi me një gjuhë të paprecedentë Holandën…

Nga Dritan LAÇI

Kur e kruan me tulipan holandez…

Parlamenti holandez vendosi rikthimin e vizës për Shqipërinë, por arroganca që ka treguar qeveria e Ramës sidomos ndaj Holandës në vitet e fundit, do meritonte më shumë se një ndëshkim të tillë.

Mjafton të kujtojmë këtu se si iu drejtonte një vit më parë Hollandës, kreu aktual i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, për të kuptuar se përse Shqipëria “nuk duhet ta kruajë’ më kurrë me Holandën dhe seriozitetin e këtij shteti, kur këta të fundit paralajmërojnë herëpashere qeverinë Rama që të ketë kujdes me krimin e organizuar.

Ishte pikërisht 9 maj 2018, kur kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi sulmoi me një gjuhë të paprecedentë Holandën, në ‘Ditën e Evropës’, pasi kjo e fundit paralajmëroi se për shkak të kanabisit shqiptar, nuk do jepte viston për çeljen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë.

Por çfarë thoshte Ruçi me zë dhe figurë një vit më parë.

‘Nuk mund ta njollosin Shqipërinë një grusht kriminelësh në Hollandë.

Prostitucionin dhe drogën nuk i shpikën shqiptarët por i gjetën në Evropë.

Kanabisi është një njollë e zezë për Shqipërinë, por kanabisin dhe teknologjia vjen nga Holanda
Edhe tregu i shitjes së kanabisit është Holanda”

Dhe si të mos mjaftonin këto akuza ndaj një shteti kontribues kryesor në ndërtimin e Evropës së sotme, qeveria shqiptare nuk hoqi dorë nga sulmi ndaj Holandës edhe një ditë pasi parlamenti i këtij vendi vendosi me shumicë dërrmuese votash, kthimin e vizave për Shqipërinë.

Apo kur vetë Ministri i Brendshëm holandez, nguli një tabelë edhe në gjuhën shqipe në kufi, ku u kujtohet shqiptarëve se nuk janë të mirëpritur.

Dhe për ti fryrë zjarrit Rama ndërsen ndaj Holandës kanakarin e tij, Ministrin e deleguar të Jashtëm, Gent Cakaj, që del e thotë që “Vendimi i Holandës është politik, kjo për shkak të zgjedhjeve në Holandë, ku ka parti me qasje përjashtuese ndaj vendeve që nuk janë anëtare të BE dhe ka rritje të populizmit të djathtë”.

Pra sipas Qeverisë Rama, armiku i jashtëm nuk ka vdekur, madje është më i fortë se kurrë, madje tashmë është i kamufluar si tulipan holandez, dhe po ti besojmë deklaratës së fundit të zv.kryeministrit Braçe, “ky armik i jashtëm ndihmohet në punën e tij sabotuese nga armiku i brendshëm, Lulzim Basha”.

Sigurisht që Holanda do t’i ketë parasysh edhe këto deklarata të fundit të ministrave të Ramës…

Artikulli paraprakNdaloni o të mjerë! Agron Tufa është kalorës i pakapshëm prej jush!
Artikulli tjetërSkandali/ Në spitale nuk bën dot analiza, Ministrja flet për…