Kujt po i shërben PAMECA?

Bledi KASMI

Nuk mund të gjesh askund një raport të një misioni policor sikurse ai i PAMECA-s të dy ditëve më parë në Tiranë që t’u dalë në krah vrasësve dhe krerëve të organizatave kriminale dhe të sulmojë Prokurorinë për hetimet dhe Gjykata pse i kanë burgosur ata.
Lajmi ka trazuar mediat dhe më pas ka sjellë një revoltë në rrjetet sociale ndaj këtij misioni. Komentuesit, të cilët ishin jo anonimë i identifikonin drejtuesit e këtij misioni të vënë në shërbim të interesave të pista dhe të shitur.
A kanë të drejtë qytetarët në revoltën e tyre apo e kanë tejkaluar kufirin? Kjo pyetje kërkon një përgjigje dhe është e ndërlidhur me përgjigjen e pyetjes tjetër; se kujt po i shërbejnë drejtuesit e PAMECA-s në Shqipëri?
Për t’i dhënë një përgjigje të saktë duhet studiuar raporti i këtij misioni, i cili çuditërisht kishte vendosur në qendër të tij, tre personazhe të damkosura në të gjithë shoqërinë dhe nga drejtësia si pjesë e krimit të organizuar. Bëhej fjalë për Shullazin, përdhunuesin e Bashkisë së Kavajës dhe trafikantin e drogës, Roshi, si dhe për vrasësin e Komisar Dritan Lamajt, Arben Frroku.
A nuk kishte të burgosur të tjerë tek të cilët mund të përqendrohej ky mision policor si PAMECA për të parë dosjet e tyre të hetimit dhe të gjykimit? Fjala vjen, përse u përzgjodh për të linçuar Prokurorinë e gjykatat, Shullazi, Frroku dhe Roshi, në një kohë që në burgje mbahet padrejtësisht një emër i artit dhe koleksionit si Gjergji Thimo, i cili është viktimë direkte e hakmarrjes kryeministrore për t’i grabitur koleksionin e tij të veprave të artit?
Duket se që nga përzgjedhja që ka bërë PAMECA në raportin e vet vjen erë, sepse ky mision që shqetësohet për Shullazin, Frrokun e Roshin deri tani ka heshtur dhe hesht për dhjetëra mijëra qytetarë që janë burgosur për faturat aforfe të energjisë apo se kanë vendosur disa tjegulla në shtëpitë e tyre gjatë këtyre tre viteve.
Dhe për më tepër, nuk është dëgjuar asnjëherë për të na rrëfyer se çfarë po ndodh me Shqipërinë e kthyer në një plantacion gjigant droge, gjë të cilën e ka edhe për detyrë ta bëjë në bazë të marrëveshjes që kanë me Parlamentin shqiptar.
Akoma më shumë rëndohen pozitat e këtij raporti me të vërtetën dhe besueshmërinë publike si dhe transparencën përpara taksapaguesit europianë, kur lexon se çfarë është shkruar në të.
Në pjesën ku analizohet hetimi për çështjen Shullazi, raporti thotë se i referohet burimeve mediatike për të shtjelluar këtë çështje. Po si mundet një mision i Bashkimit Europian si PAMECA t’i referohet burimeve mediatike dhe të arrijë lehtësisht në përfundimin se Prokuroria nuk paska vepruar drejt në arrestimin dhe hetimin e njeriut që kërcënoi dy pedagogë dhe që nga Shtetet e Bashkuara është konsideruar si koka e krimit të organizuar?
Ky nuk mund të jetë kurrsesi standardi i Bashkimit Europian. Këto janë dy standarde që ngrenë dyshime të forta se bëhen nga individë të caktuar me axhendë të përcaktuar dhe personale dhe që për interesa të dyshimta po kontribuojnë negativisht në besimin që shqiptarët kanë tek Bashkimi Europian.
Ky është Misioni i katërt i PAMECA-s në Shqipëri. Ai është nënshkruar në dhjetorin e vitit 2013 dhe përfundon në dhjetorin e këtij viti. Ndoshta pas këtij raporti të fundit, Rama dhe Tahiri duhet të kenë mbetur të kënaqur për të pasur edhe një mandat të ri të PAMECA-s.
Po taksapaguesit europianë a do të vazhdojnë të paguajnë 4 milionë euro të tjera për raporte të tilla si ai i tre ditëve më parë që mund t’i shërbejnë një Kryeministri dhe ministri të kapur nga mafia, por kurrsesi qytetarëve dhe luftës ndaj krimit të organizuar?

Artikulli paraprakBasha takon të përmbyturit: Bashkia na tha hipni në kodër
Artikulli tjetërFaqja e pare