Ku është Hillary Clinton?

Më tetë nëntor është rrënuar bota e Hillary Clinton-it. Ajo humbi zgjedhjet presidenciale, që për një kohë të gjatë dukej e pamundur. Fitoi kundërkandidati i saj, Donald Trump. Hillary Clinton heshti një kohë të gjatë. Më në fund pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe faktin që “Donald Trump do të jetë Presidenti i SHBA-së”.

Qytetare, aktiviste, pjesë e rezistencës
Prej humbjes në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton është vetëm një qytetare e thjeshtë. Ajo është larguar nga opinioni. Disa herë janë botuar fotografi të saj duke shëtitur nëpër mal me burrin Bill Clinton dhe qenin e tyre. Nga Hillary Clinton mund të lexoheshin vetëm ndonjë përshëndetje për festa, të dërguara me Twitter. Por ka pasur edhe disa deklarata të qarta kundër politikës së Trumpit, si ato kundër ndalimit të futjes në SHBA të shtetasve myslimanë nga disa vende. Hillary Clinton thotë se ka dashur të heshtë edhe më gjatë. “Por politika e Trumpit nuk e lejon”, ndaj me humor thotë se ka vendosur “të dalë nga mali” (out of the woods) dhe të prononcohet për gjërat. Hillary Clinton ka filluar të shkruajë një libër për fushatën paraelektorale, që është një proces i rëndë për të. Por gjysmë viti pas zgjedhjeve Hillary Clinton e ka të qartë se tani është vetëm një qytetare e thjeshtë, aktiviste dhe pjesë e rezistencës.
Edhe më tej beson se afera e e-mail-eve është shkak për humbjen e saj në zgjedhje. Vetëm disa ditë para votimit, shefi i FBI, James Comey, kishte paralajmëruar hapjen e hetimeve të reja kundër saj. Disa ditë më vonë tha se nuk ka nevojë për hetime, por kjo kishte efektin e saj. Hillary Clinton thotë se arsye për humbjen e saj është pikërisht kjo aferë: “Kam qenë një hap para fitores, por gjërat kanë ndryshuar pas letrës së Comey dhe botimit në WikiLeaks-in rus. Njerëzit që kanë dashur të votojnë për mua janë frikësuar”.

Organizata e re politike
Tani shumëkush merret me analiza, se çfarë do të ndodhte sikur Clinton të kishte fituar. Ndërkohë që edhe Trump ofron gjithmonë material të ri për barsoleta. Në skenën politike me siguri nuk do të kishte kaq shumë fjalë “great” dhe gjestikulime të Trumpit. Nga mesi i majit, Clinton është kthyer në skenë. “Onward together” quhet organizata që ka themeluar. Hillary Clinton do të mbështesë lëvizjet qytetare që i bëjnë rezistencë Trumpit. Por ajo do të mbetet në sfond – larg projektorëve – dhe do të mbështesë të tjerët. Shumëkush mendon se Hillary Clintonit i ka kaluar koha. Por fjalët e saj pëlqehen nga miliona amerikanë. Ajo kërkon nga njerëzit që të rezistojnë, të jenë të vendosur dhe të angazhohen për çështjet e tyre.

Artikulli paraprakLajmet e rreme janë armiku
Artikulli tjetërNishani: Sulmi ndaj Bashës e opozitës, i instrumentalizuar