Kthehet nga Gjermania dhe i bashkohet protestës në Shkodër: Babës tim i çojnë sms dhe e heqin nga puna 

Një grup qytetarësh dolën sot për të protestuar në mënyrë paqësore në Shkodër, pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një punonjës i Policisë së Shtetit. Një prej të rinjve që ishte në protestë, tregoi për Fax news se vetëm këtë të shtunë ishte kthyer nga Gjermania, dhe në vend që të qendronte me prindërit e tij, zgjodhi që të dilte në shesh.

“Pyetja duhet të jetë se pse nuk protestojnë të gjithë shqiptarët, të gjithë kanë nga një arsye që të protestojnë çdo ditë, shkaku më i fundit ka qenë dhe më i rëndi. Ne ndihemi të dhunuar jo vetëm nga Policia, por nga i gjithë sistemi, njerëzit kanë frikë që të flasin fjalën e lirë, do shkojmë në shtëpi me njëfarë frike, se prindërve mund t’iu bëjnë telefonata ‘shiko djali juaj ka qenë dhe ti ikën nga vendi i punës.

Të shtunën jam kthyer nga Gjermania, pasi studioj atje, unë nuk mund të qendroj në shtëpi të shijoj festat, por nuk mund të jemi kokëulur. Arsyeja kryesore se pse njerëzit nuk dalin në protestë, është ajo se kanë frikë për vendin e tyre të punës”, u shpreh i riu.

Protesta e sotme në Shkodër ishte tërësisht paqësore, dhe me një prezencë më të pakët të qytetarëve se ajo e javës së kaluar. Në fundin e protestës dy të rinj u shoqëruan nga ana e Policisë për shkak se iu gjetën shishe benzine me vete. Më pas qytetarët u shpërndanë paqësisht.

Artikulli paraprakKëmbanë alarmi që duhet ta dëgjojë çdo shqiptar
Artikulli tjetërGënjeshtrat e Ramës & Co