Kryesia nuk është kusht për të qenë demokrat

Pranvera SHEHAJ

Kushdo lufton për qëllimin individual në vetvete dhe të rrallë janë ata që konfliktin me ata që i rrethojnë e çojnë përtej interesit vetiak. Forca e bashkëpunimit ka bërë të mundur triumfin në beteja thuajse të pamundura ashtu sikurse përçarja mes bashkëpunëtorëve ka çuar drejt humnerës suksese të padiskutueshme. Të besosh tek lidershipi që ke zgjedhur do të thotë të bindesh se mënyra e tij e punës do të ketë vendime frytdhënëse, shpeshherë të paraprira nga propozime jo fort bindëse. Por, ky është motivi pse betejat bëhen në grup dhe lideri nuk duhet të perceptohet si nxënës në fazë provimi ku presioni për të qenë i suksesshëm e diferencon prej grupit dhe betejën përfundon duke e luftuar i vetëm.
Sot për sot, beteja brenda së djathtës është sa reflektim i një proçesi demokratik, aq edhe një praktikë inerte dhe jo shumë vizionare për vetë profilin e së djathtës. Të presësh humbjen e forcës tënde politike për të treguar se lideri aktual dështoi nuk është fort profesionale. Nëse një lider duhet të zgjidhet me paramendimin se presim të dështojë atëherë humbja ka pasur një kauzë që shkon përtej marrjes së votave. Nëse modeli i Bashës u pranua si strategji për t’i hapur shteg zgjedhjeve për kryetar, atëherë mund të besojmë se lufta për votë dhe uniteti drejt fitores nuk ka qenë i ndershëm. Triumfi i së majtës nuk ishte rezultat vote aq sa ishte pasojë e debulesës së kampeve të tjera politike dhe rrjedhojë e mënyrës se si zgjodhi të bëjë fushatë, duke bastarduar demokracinë e proçesit elektoral në këmbim të një tjetër katërvjeçari.
Duke qëndruar në sfondin e garës për Kryesinë e PD, duke qenë se humbja i është faturuar tërësisht Bashës, atëherë po e nis analizën jo me pyetjen “përse humbi PD”, por “përse humbi Basha?”
Arsyeja e parë qëndron tek pavarësia e Bashës në vendimmarrje. Liria e vetëvendosjes si kryetar i të djathtëve iu dha shumë pak kohë përpara zgjedhjeve, duke i lënë fare pak hapësirë për të organizuar praktikën e tij në këto zgjedhje. Përgatitja për fitoren pas katër viteve duhet të nisë prej çastit që nga zgjedhjet del si humbës dhe jo në gjashtë mujorin e fundit përpara betejës së re elektorale.
Arsyeja e dytë është padyshim misioni i papërfunduar i çadrës, një nismë e Bashës, e cila u finalizua me një marrëveshje të keqinterpretuar nga shumica e të djathtëve. Marrëveshja me Ramën u perceptua si shtegu drejt një koalicioni të mundshëm midis dy forcave më të mëdhaja në vend, çka bëri që shumica e demokratëve të shkonin drejt kutive të votimit të paqartë për mënyrën se si do të vepronte e djathta. Pritshmëria e lartë për një koalicion paszgjedhor shpëtoi të majtën nga ndëshkimi dhe demotivoi të djathtët për të përmbysur katastrofën qeverisëse me votë. Është e qartë se, Basha iu dorëzua bashkëpunimit politik si rrugë demokratike për zgjidhjen e krizës politike në vend, por marrëveshjes mund t’i ishte dhënë tjetër sens dhe e djathta duhet ta kishte diferencuar programin, idetë dhe vizionin e saj prej së majtës, duhej të kishte qartësuar se në këto zgjedhje hynte dhe dilte e vetme.
Një tjetër pikë dobësie në proçesin zgjedhor ishte përfshirja e partive të vogla nën logon e demokratëve, çka nuk i la vend motivimit të tyre për t’iu dedikuar me gjithë forcën e luftës për votë. Humbja e zgjedhjeve, nëse nga dikush mund të lexohet si faturë debiti për Bashën, nga ata që e dinë se çfarë kërkohet në politikë, do të lexohej si pikënisje e një programi që do të mund t’i përshtatet në mënyrë më efektive nevojave urgjente të vendit.
Gara post zgjedhore për Kryesinë e PD, reflekton deri-diku një konflikt sa të pabazë aq edhe cinik. Shumëkush mund të mendojë se gabimi i PD qëndronte te modeli i Bashës, ndërsa e menduar më racionalisht, gabimi i PD qëndronte tek të djathtët, të cilët në këto zgjedhje nuk ditën dhe nuk mundën të ishin mjaftueshëm të djathtë. Të hapësh një diskutim të nxehtë për listat zgjedhore në prag votimi është reflektim i qartë i një cinizmi që nuk të lejon të shohësh përtej karriges. Të krijosh grup të djathtë brenda së djathtës, duke tronditur unitetin brenda kampit tënd politik vetëm sepse ke bindjen se ke kontribuuar më shumë se dikush tjetër në PD, nuk është dëshmi e pjekurisë politike dhe profesionalizmit si politikan. Këtë bënë disa prej pretendentëve për lidership. I dhanë një goditje të fortë kësaj force politike dhe u paraqitën përballë elektoratit skeptikë, kontestues dhe të tërhequr, e si rrjedhojë zgjodhën të prisnin duarkryq për të reflektuar menjëherë pas humbjes zgjedhore. Kam bindjen se qëndruan në pritje të humbjes, jo sepse me Bashën demokratët do të humbnin, por sepse politikanët e vjetër e dinë mirë se përçarja brenda njërës forcë politike përkthehet drejtpërdrejt në avantazh për kampin kundërshtar. Ky fakt i bën investitorë në humbje.
Ajo që rivalët e Bashës gabojnë është bindja se lideri zgjidhet vetëm për të udhëhequr betejat zgjedhore e si rrjedhojë, humbja e tyre u dashka të shoqërohet me dorëheqjen e tij. Nëse është kështu, atëherë le t’i japim mundësi kujtdo: studentit, punëtorit, fshatarit, qytetarit, të shkolluarit e të pashkolluarit të vijë e të kandidojë për kryesinë e partisë. Fundja, nëse jo këto zgjedhje, ato të ardhshmet do t’i fitojë.
Nuk është ky përkufizimi i liderit të dashur demokratë. Lideri vjen me një profil, një program dhe një filozofi për udhëheqjen. Lideri nuk vjen për t’u testuar, por për të sjellë brenda partisë ndryshim, progres dhe rritje politike. Liderit i jepet mundësi të gabojë, të praktikojë një gjuhë politike që mund të mos funksionojë, të ndërmarrë sfida politike në të cilat mund të dështojë. Suksesi i tij do të qëndrojë tek aftësia për të shkuar nga njëri gabim tek tjetri pa e humbur entuziazmin, besimin, vizionin dhe aftësinë për të drejtuar.
Nëse një kryetar i ri do të zgjidhet në PD, fakti që mandati i tij mund të përkojë me një fitore në zgjedhjet e ardhshme elektorale, nuk e bën një model më vizionar, më produktiv apo më të denjë se sa ai aktual, sepse detyra e liderit shkon përtej kalkulimit të fitores. Lider është ai që shpesh i duhet të sakrifikojë prestigjin individual në këmbim të demokratizimit të dialogut politik, ashtu sikurse pushtetin katërvjeçar e sakrifikon në këmbim të instaurimit të standardeve demokratike në politikë. Modeli i Bashës duhet të vazhdojë për t’u bindur se fakti që politika jonë ka degraduar nuk do të thotë të zbresim të gjithë në nivelin e mediokritetit të kundërshtarit. Duhet të vazhdojë propozimi i tij për ekonominë, punësimin, taksat, arsimin. Një betejë e humbur nuk është fundi i misionit dhe misioni kërkon më shumë se sa fitoren e një raundi zgjedhor.
Prandaj, zgjedhjet për Kryesinë e PD mund të kthehen në një praktikë që kërkon të ndërpresë zhvillimin e një modeli të munguar në politikën shqiptare. Ajo që Basha solli ishte reduktimi i propagandës, programi konkret me prioritet ekonominë, diaologu politik dhe komunikimi direkt me shqiptarët në zonat më të thella të vendit. Humbja e zgjedhjeve jo domosdoshmërisht përkthehet në dështim modeli, por duhet të lexohet më së shumti si pasojë e një të djathte që fatkeqësisht po lufton fuqishëm mes së vjetrës e së resë.
Zgjidhja nuk është kjo.
Një forcë politike ringrihet më fuqishëm se kurrë kur eksperienca e anëtarëve të vjetër shërben si mësim dhe mundësi për anëtarët e rinj. Zgjidhja nuk është gara, as lufta brenda llojit, por bashkëpunimi dhe uniteti brenda grupit. Karrigia dhe kryesia nuk janë i vetmi pozicion prej të cilit një demokrat mund të bëjë detyrën e tij. Përkushtimi dhe vizioni individual mund të gjejë vend midis demokratëve pa qenë nevoja domosdoshmërisht për kryesinë. Të jesh demokrat, të besosh tek forca e unitetit të grupit dhe të shohësh me pozitivizëm modelin e liderit që ke zgjedhur është mëse mjaftueshm për t’u bërë arkitekt i ringritjes së PD.

Artikulli paraprakFjalimi i Trumpit që i ka vënë fëmijët në rrugën e duhur
Artikulli tjetërTjetër shpërthim bombule gazi këtë herë në Lushnjë