Kryeministri i Pakistanit me pasuri në Londër, nën hetim familjarisht

Gjykata e Lartë e Pakistanit po mban seanca dëgjimore për të vendosur fatin e kryeministrit Nawaz Sharif. Ai, së bashku me fëmijët e tij, po hetohen nën akuzat për pastrim parash, evazion fiskal dhe fshehje të pasurisë jashtë vendit.
Pasi analizuan pasurinë dhe pronat e familjes jashtë vendit, ekipi i përbashkët i hetimit, EPH, i caktuar nga gjykata, doli javën e kaluar në përfundimin se Sharifi, djemtë e tij, Hussain Nawaz e Hassan Nawaz, sikurse dhe e bija, Maryam Nawaz, po bëjnë një jetë që nuk përputhet me të ardhurat e tyre financiare.
Hetuesit akuzuan gjithashtu të bijën, e cila mendohet të jetë trashëgimtarja e Sharifit, se ka firmosur dokumente të falsifikuara për të fshehur pronësinë e apartamenteve të shtrenjta në Londër. Sharifi dhe fëmijët e tij i kanë mohuar të gjitha akuzat.
Në dëgjesat e para të ditës së hënë në ndërtesën e supermbrojtur të Gjykatës së Lartë, avokatë të partive politike kundërshtare i kërkuan një paneli me tre gjyqtarë për të shkarkuar menjëherë kryeministrin, pas rezultateve të ekipit të përbashkët të hetimit.
Përfaqësuesit ligjorë të familjes së kryeministrit Sharif vunë në pikëpyetje ligjshmërinë e EPH-së dhe zbulimeve të saj, duke pretenduar se hetuesit e kanë tejkaluar autoritetin që u jep detyra. Përfaqësuesit ligjorë të zotit Sharif ishin duke paraqitur argumentet e tyre, kur paneli i gjyqtarëve e shtyu seancën për të martën që vjen.
Ekspertët ligjorë mendojnë se, pavarësisht se familja Sharifi i ka kundërshtuar dhe mohuar akuzat, Gjykata e Lartë mund ta gjykojë kryeministrin për korrupsion duke u bazuar në raportin e ekipit të përbashkët hetimor, EPH, raport që përmban të dhëna të dokumentuara për pasuritë dhe bizneset jashtë vendit, të cilat zoti Sharifi nuk i ka deklaruar te autoritetet përkatëse në Pakistan.
Politikani 67-vjeçar ka qenë dy herë të tjera kryeministër në vitet ‘90 dhe në të dyja rastet, akuzat për korrupsion dhe keqmenaxhim të qeverisë së tij kanë rënë.
Navaz Sharifi u rizgjodh kryeministër për herë të tretë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 pasi u kthye nga vitet e gjata të azilit në Arabinë Saudite. Ai vazhdimisht i ka mohuar të gjitha akuzat për korrupsion të ngritura ndaj tij.
Gjyqi aktual ndaj kryeministrit pakistanez buron nga dokumentet financiare që dolën pas të ashtuquajturit skandal të Panama Papers, dokumente që hidhnin akuza edhe mbi djemtë dhe vajzën e Sharifit, së bashku me qindra pakistanezë të tjerë, se kishin fshehur llogari financiare dhe pasuri të majme jashtë vendit.
Imran Khan, udhëheqësi i opozitës pakistaneze, i cili kryeson betejën ligjore kundër Sharifit, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit pas bërjes publike të dokumenteve nga Panama Papers. Gjithashtu, partia Tehreek-e-Insaf e drejtuar nga Khani ka ndërmarrë protesta kundër qeverisë.
Ushtria, një institucioni i fuqishëm, i njohur për largimin e qeverive të zgjedhura me votë në Pakistan, ka mohuar përshirjen në betejën ligjore ndaj kryeministrit. Zoti Sharifi ka një histori të gjatë tensionesh me ushtrinë, e cila e largoi atë nga pushteti pas një grushti shteti në vitin 1999 dhe e detyroi të jetonte shumë vite në azil.

Artikulli paraprakBrexit-BE, çfarë ka në çantën e divorcit?
Artikulli tjetërTurqia zgjat gjendjen e jashtëzakonshme