Kryeministri izraelit kritikon rëndë presidentin Obama

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke shprehur zemërim ndaj votimit në Këshillin e Sigurimit që bën thirrje për t’i dhënë fund aktiviteteve të mëtejshme të ndërtimit të vendbanimeve në territoret e pushtuara, tha se do të urdhërojë qeverinë e tij të ndalë financimin e pesë institucioneve të OKB-së.
Në deklaratat televizive të shtunën, zoti Netanjahu tha se Izraeli do të ndalë gati 8 milionë dollarë financime për institucionet e OKB-së, por nuk dha hollësi të tjera.
“Kam udhëzuar Ministrinë e Jashtme të përfundojë brenda një muaji, një vlerësim të ri të të gjitha kontakteve tona me institucionet e Kombeve të Bashkuara dhe të përfaqësive të OKB-së prezente në Izrael”.
Zoti Netanyahu tha se Izraeli do të injorojë dispozitat e rezolutës.
“Dua të siguroj izraelitët se rezoluta që u votua në Kombet e Bashkuara është e shtrembëruar, e turpshme, por ne do ta harrojmë”.
Ai akuzoi presidentin amerikan, Barack Obama për tërheqje nga angazhimi afatgjatë për të qëndruar përkrah Izraelit.
Ish-negociatori palestinez për paqen Saeb Erekat e quajti votimin “një mesazh të qartë dhe unanim” për zotin Netanyahu se politikat e tij nuk do të çojnë në paqe apo siguri as në Izrael e as në rajon.
Zoti Netanyahu tha se mezi pret të punojë me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump “për të shfuqizuar efektet e dëmshme të kësaj resolute absurde”.
Zoti Trump merr detyrën e re më 20 janar. Të premten, Trump premtoi ndryshim në rolin e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara kur të marrë postin. Në një postim në Twitter ai tha “gjërat do të jenë ndryshe pas 20 janarit”.
Rezoluta u miratua në Këshillin e Sigurimit të premten pasi Shtetet e Bashkuara vendosën të mos i vënë veton, ashtu siç kishin vepruar në shumë raste kur anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit kishin kërkuar që Izraeli të ndalonte zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor.

Artikulli paraprakMerkel drejt mandatit të katërt
Artikulli tjetërMerkel: Të vazhdojnë hetimet e sulmit në Berlin