Kryemadhi: Rama përfaqëson katër familje mafioze të denoncuara edhe nga Lu

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një mbledhje me strukturat e partisë në Gjirokastër, nuk i kurseu akuzat për qeverinë, ndërsa risolli në vëmendje deklaratën e ambasadorit Donald Lu. Mes të tjerash ajo tha se, shumë kush pyeste para zgjedhjeve se pse LSI nuk bëri sërish koalicion me PS, ndërsa shtoi se presioni ka qenë shumë i madh. “Presioni ka qenë shumë i madh, para zgjedhjeve, Vangjeli e di. Pjesa më e madhe e di dhe ndiheshin në presion. Deklaratat e Luan Ramës, e Ylli Manjanit, që ngrinin zërin për kanabizimin e Shqipërisë. Ndoshta se bënim dot menjëherë ngritjen e zërit, por e bëmë çdo ditë e më shumë. Tashmë kemi një qeveri të rënë moralisht dhe politikisht. Kemi një qeveri që përfaqëson 4 familjet mafioze, siç e ka thënë dhe ambasadori Lu. Situata është e vështirë, por ka një element shumë pozitiv, shqiptarët janë ndërgjegjësuar. Njerëzit janë të frikësuar dhe nuk vinë në selitë e partive, por shkojnë dhe falen tek bandat kriminale. Edhe pse grua, nënë me detyrime në familje, dua që ta çoj deri në fund misionin e LSI”, tha Kryemadhi. “LSI jo vetëm është pozicionuar qartë dhe prerë në anën e qytetarëve, por ka vendosur që të jetë zëri dhe fjala e tyre”, u shpreh dje Krytarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në mbledhjen e Kryesisë së LSI. Kryemadhi theksoi se, LSI e ka deklaruar vazhdimisht se, qeveria e Ramës nuk është qeveria e zërit të njerëzve, por zëri i krimit të organizuar. Sipas saj, gjithçka që LSI kishte paralajmëruar që gjatë fushatës së zgjedhjeve lidhur me kriminalizimin e jetës politike po konfirmohet shumë më shpejt nga sa e kishim parashikuar, krimi dhe qeverisja tashmë janë bërë një. Sipas saj, mungesa e një perspektive të qartë të zhvillimit ekonomik, rritja e papunësisë, shkurtimi i vendeve te punës, mungesa e investimeve serioze dhe e investitorëve të fuqishëm e të besuar, transferimi i autoritetit shtetëror tek koncesionet e dyshimta e klienteliste të qeverisë janë tabloja reale e situatës në vend”. Në këto, theksoi Kryemadhi, LSI, jo vetëm është pozicionuar qartë dhe prerë në anën e qytetarëve, por ka vendosur që të jetë zëri dhe fjala e tyre, përballë arrogancës që buron nga injoranca dhe kapja e qeverisë nga krimi dhe trafiqet. Motoja jonë qytetari i pari, na bën të jemi jo vetëm të qartë e të vendosur, por edhe të bindur në mbrojtje të kauzës tonë të drejtë. Ajo tha se, krimi dhe qeverisja tashmë janë bërë një dhe se kanabizimi i vendit si strategji e qeverisjes së kriminalizuar i parapriu zgjedhjeve, paratë e drogës së grupeve kriminale të lidhura me kryeministrin, me ministra e përfaqësues të mazhorancës u përdorën për të blerë votat. “Grupe të njohura kriminale si suport i Rilindjes e të angazhuar në fushatën e saj si në Shkodër, Lezhë, Berat, Elbasan, Fier, arritën që me mbështetjen e policisë të deformojnë drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve; E kapur nga krimi, mazhoranca e ka kthyer edhe Parlamentin në mburojë të krimit dhe parlamentarizmin e ka zëvendësuar me vasalizëm ndaj krimit, duke veshur atë me mburojë politike, siç qe edhe rasti më i fundit i Saimir Tahirit, rast i paprecendent në të gjithë rajonin tonë ku një ministër i Brendshëm akuzohet si lidhje e bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës”, tha Kryemadhi. “Në çdo vend tjetër normal e demokratik, një situatë e tillë do të çonte në dorëheqjen e qeverisë. “Mirëpo, të kapur prej krimit, Edi Rama dhe shpurra e tij e korruptuar nuk kanë rrugë tjetër, veçse ta hedhin vallen sipas ritmeve që imponon orkestra e krimit! Dhe në fakt ata këtë gjë po bëjnë. Mjafton vetëm fakti që ish-ministri i Brendshëm rezulton pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal sëbashku me kushërinjtë e tij trafikantë, për të kuptuar se cili është perceptimi që kanë qytetarët tanë, por edhe qytetarët europianë për vendin tonë, të cilët nuk mund ta imagjinojnë se si një situatë e tillë jo vetëm nuk shoqërohet me dorëheqjen e Kryeministrit, po përkundrazi Kryeministri bëhet mburojë e drurëve të tij të shtrembër e të kriminalizuar. Në qershor, ne fituam numrin më të madh të vendeve në Parlament e numrin më të madh të votave në historinë e partisë sonë të re. Ne e arritëm këtë, pavarësisht veprimeve të Ramës dhe shokëve të tij që kërcënuan votuesit dhe përdornin paratë e drogës për të prishur dhe deformuar zgjedhjet”.

Artikulli paraprakBumçi: Vizita e Minnitit për shkak të pushtetit të drogës në Shqipëri
Artikulli tjetërDuket sikur shteti në 2016 nuk ka ekzistuar!