Kryemadhi-Gjiknurit: Nuk merrem me këlyshë dhe “gishta”…

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë bashkëbisedimit me gazetarët u pyet edhe për Damian Gjiknurin, me të cilin opozita është ulur në tryezën e reformës edhe pse kishte lëshuar akuza të ashpra ndaj tij.

Ajo tha se Gjiknuri është këlysh i Ramës dhe ajo nuk e ka në plan të merret me këlyshët por me vetë bishën.

“O zotëri unë do luftoj me bishën ti më thua lufto me këlyshët. Të gjithë janë këlyshët e tij, çfarë i ka kërkuar Rama kanë bërë. Dënimi i tij është një test për Edi Ramën se është kusht nga Bundestagu”, tha ndër të tjera Kryemadhi, referuar kërkesave të parlamentit gjerman për të hetuar krimet zgjedhore, ku dyshohet se Gjiknuri është perfshirë (dosja 184).

Po kështu ajo u pyet nga gazetarët edhe për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. “Ka një hezitim nga LSI kur vjen puna për të folur apo akuzuar Veliajn”, i tha gazetari, ndërsa Kryemadhi u përgjigj: “Erion Veliaj është një zgjatim, një nga 10 gishtat e duarve të Edi Ramës. S’kam pse merrem me gishtat e dorës…”.

Kryemadhi e vlerësoi punën e nisur për Reformën Zgjedhore në Shqipëri midis Opozitës dhe mazhorancës, por nga ana tjetër zhvlerësoi figurën e kreu të Qeverisë, Edi Rama, pas lajmit tronditës që ai vetë dha dje, ngritjen e padisë ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në fjalën e saj në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryemadhi tha se, ne pa humbur kohë kemi qënë dhe jemi të gatshëm, për të ecur përpara me miratimin e Reformës Zgjedhore, që Shqipëria në Samitin e Zagrebit të ketë një PO, qoftë dhe me kushte, për hapjen e negociatave.

“Ne si Opozitë e Bashkuar jemi në unison të plotë të këtij procesi dhe sot mbledhja e Këshillit Politik do të ketë pjesëmarrjen tone.

Më pas, me firmosjen e asaj dakortësie në bashkëpunim dhe me partnerët tanë ndërkomëbatrë, detyrimet e opozitës kanë mbaruar dhe janë detyrimet e mazhorancës për të vazhduar, tetë kushtet e mazhorancës parlamentare.

Agjenda opozitare nuk do të ndryshojë, do të jetë e njejta axhendë e aksionit politik, hap pas hapi në realizimin e të gjitha detyrimeve dhe do të intensifikojmë aksionin tonë politik, jo vetëm në denoncime korruptive dhe kriminale po dhe me mjetet e protestës që janë të domosdoshme. Sot kemi parlamentin monopartiak që është detyruar të pranojë Këshillin Politik.

Sot Shqipëria ka një dritë shprese.

Për Reformën Zgjedhore, pse jo dhe në 15 shkurt?! S’kemi pse të presim deri më 15 mars. Opozita është e gatshme të japë rekomandimet e veta dhe të ecim me Reformën Zgjedhore. Nëse do të ketë një pozitivitet dhe vullnet dhe nga pjesa tjetër parlamantare, ata të shfuqizojnë gjendjen e emergjencave civile që të vazhdojmë me Kodin Zgjedhor”, tha Kryemadhi.

Për kryeministrin, Kryemadhi tha se, mjafton të shikojmë se çfarë ndodhi dje, ditën e përkujtimit të viktimave të Reçakut, Edi Rama gjeti ditën të padisë luftëtarin dhe vëllain e dëshmorëve të UÇK -së në gjykatë. Ky është Edi Rama dhe mendoni se çfarë mund t’u bëjë akoma më shumë shqiptarëve.

“Ne jemi për të ecur në një axhendë të qartë me hapjen e negociatave, me hapjen e vendeve të punës për të rinjtë në mënyrë që Shqipëria të jetë shtëpia e tyre. Shpopullimi është problemi më i madh që ka sot Shqipëria dhe sa më shpejt që t’u japim shqiptarëve një vend të paintimiduar nga bandat kriminale do të jetë një zgjidhje shprese”, u shpreh Kryemadhi.

kryemadhi 1

Artikulli paraprakAksident i rëndë, një i vdekur nga përplasja e dy makinave
Artikulli tjetërHaradinaj ftohet në SHBA