Kryeeksperti delirant Edi Rama

Nga Bardh SPAHIA

Ka dy muaj që justifikon cdo vendim për Covid-19 me komitetin e ekspertëve dhe as Edi Rama nuk thotë dot emrin e drejtuesit të këtij komiteti. Kaq olimpik është niveli i mashtrimit që i bëhet qytetarëve, sa as për fasadë, nuk kujdeset të caktojnë një emër. Sepse nuk ka ekspert që guxon të dalë para atij, kryeministrit gjitholog-epidemiolog.

Eshtë vetëm ai, që vendos për gjithcka në këtë vend. Të tjerët janë vetëm marioneta që i binden verbërisht. Ky është personalizimi skandaloz i cdo strukture të shtetit nga një individ, që deri tani ka provuar se bën me pasion të vecantë, vetëm rolin e ndëshkuesit ndaj qytetarëve të vet.

Ka 7 vjet që po ua vështirëson jetën shqiptarëve me rritje taksash e shërbimesh, edhe tek shërbimet bazë, dritat, uji, karburanti, ndërsa nuk ka fre për luksin qeveritar. E nuk ka pikë reflektimi as në këtë situatë të vështirë që ka goditur edhe vendet më të fuqishme të botës.

Dy muaj pasi ka pranuar zyrtarisht praninë e Covid, është për të qeshur e për të qarë sesi shmang konstatimet se virusi ka qarkulluar të paktën që në janar në vend. Pas manipulimit të realitetit, duke prodhuar shifra me numër tejet modest testimesh, vazhdon të improvizojë edhe për hapat e mëpasëm, duke na dëshmuar se nuk ka asnjë plan për të nxjerrë vendin nga pasojat, edhe ekonomike të Koronavirusit.

Qytetarët e bizneset janë lënë të vetëm teksa humbin punën, ndërsa u premtoi një shumë qesharake që e quan pagë lufte, e më pas i gënjeu duke i lënë në mëshirë të fatit. Bizneset e vogla po shkojnë drejt falimentimit, ndërsa mijëra të punësuar janë hedhur në rrugë, e nuk figurojnë as si statistikë.

Kjo sepse Edi Rama, që vazhdon të grumbullojë pushtet edhe në kohë edpidemie, nuk ka menduar për asnjë moment për qytetarët, nuk ua kupton sfidën e përditshme për mbijetesë, se nuk e ka patur ndonjëherë problem të vetin.

Cdo ditë e më shumë njerëzit po e kuptojnë se njeriu që ka rrëmbyer cdo funksion në hierarkinë e shtetit, po ushtron me forcë një pushtet personal, që mbron vetëm interesin e tij e të një pakice pranë tij, me të cilët po grabit cdo pasuri e të ardhmen e këtij vendi.

Me Edi Ramën ky vend do vazhdojë të zhytet në varvëri e errësirë pa shprese për të ardhmen. E provoi edhe kjo epidemi, njëlloj si tërmeti i 26 nëntorit, ku Rama tani hesht për përgjegjësitë e të zgjedhurve të tij, për humbjen e 51 jetëve njerëzore.

Artikulli paraprakVeliaj dhe Mazniku paditen në SPAK
Artikulli tjetërTempujt e oligarkisë!