Kryebashkiaku i Ramës rreh mësuesin: Pse nuk je me PS?

Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotka, ka rrahur në mes të qytetit një mësues vetëm pse nuk është me PS-në. Ngjarja është denoncuar nga tre qytetarë nga qyteti i Poliçanit, të cilët i janë drejtuar me mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Në një postim në rrjetin social, Berisha shkruan se, në Banditistan mësuesi rrihet për vdekje nga kryebanditi i qytetit! “Qytetarët dixhitalë denoncojnë:
– Kryebanditin e Poliçanit, Adriatik Zotka dhe të vëllain në arrest shtëpie për trafik droge, sepse rrahin për vdekje mësuesin e nderuar Feim Hoxha së bashku me djalin e tij, po mësues.
– Çunat e krimit me uniformë nuk ndërhynë dhe nuk marrin padinë e viktimave.
Lexoni vetë mesazhet e qytetarëve të një qyteti të Banditistanit!
I bëj thirrje Prokurorisë të vendosë para ligjit këta kriminelë me pushtet!”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarëve.
“Përshëndetje zoti Berisha, një ngjarje e shëmtuar dhe alarmante ka ndodhur sot në Poliçan. Kryetari i Bashkisë, Adriatik Zotkaj ka rrahur një mësues, Feim Hoxhën së bashku me djalin e tij, s’ka as dy orë që ndodhi. Arsyeja, kryetari i thotë pse më shikon kur kaloj rrugës apo ngaqë s’je me PS-në. E bënë gjak dhe atë dhe djalin. Policia s’u duk fare, po fare, ngaqë dhe policët dhe banorët e këtij qyteti kanë frikë. Jua thashë ju këtë lajm që të ngrini zërin, se ndryshe policia nuk ndërhyn, gjynah. Ju lutem po denoncuat mos ma nxirrni emrin, kam familjen këtu dhe unë jam dhe femër. Ka ndaluar policinë që të shkojë që të pyesë pse e rrahën, pse ndodhi sherri, madje do e kërcënojnë që të mos bëjë denoncim. Gjynah, shumë gjynah, babë e bir i bënë gjak. Aman vetëm emrin, ju lutem mos ma nxirrni”, shkruan qytetarja.
“Mirëmbrëma zoti Berisha. Sot në orën 17:00 në qender të qytetit të Poliçanit, kryetari i Bashkisë, Adriatik Zotka bashkë me të vëllain që e ka në arrest shtëpie për drogë, rrahu barbarisht një mesues shembullor bashkë me të birin, që edhe ai ishte mësues, por që sot e pushuan nga puna. Ju lutem ta denonconi se ky bandit s’ka limit. Për këtë arsye edhe numri im të mbetet anonim. Ju faleminderit. Emri i mësuesit është Feim Hoxha”, shkruan qytetari nga Poliçani.
Ka qenë edhe një qytetar tjetër që i ka dërguar mesazh ish-Kryeministrit Berisha po për këtë ngjarje të rëndë. “Përshëndetje, desha të denoncoj një akt kriminal të kryebashkiakut Adriatik Zotkaj në Poliçan. Sot me bandën e tij, rrahu në mes të sheshit “Tomori” një mësues të respektuar, moshatar, Fehim Hoxha. Nuk është akti i parë i kryebashkiakut për dhunë ndaj qytetarëve. Është bërë i tërbuar tani që i ka dalë edhe emri, që ligji i dekriminalizimit e shpall fajtor për shumë vepra kriminale. Me zemër me ju zoti e shpëtoftë Shqipërinë nga këta kriminelë”, shkruan qytetari.
Dhuna ndaj mësuesit Feim Hoxha nga banditi i Ramës është pranuar edhe nga djali i kryebashkiakut Zotkaj, por ai thotë se rrahja ka ndodhur për shkak të tij dhe jo për motive politike. Djali i banditit që drejton Bashkinë e Poliçanit i është drejtuar portalit “Jeta Osh Qef” ku thotë se, babai i tij kryebashkiak ndërhyri pasi i biri u përfshi në sherr me djalin e mësuesit.
Ai shkruan më tej se, babai i tij nuk është bandit dhe mësuesin e ka rrahur në rrugë për të mbrojtur të birin. “Ne nuk jemi të tillë, ju betohem për këtë. Kam bërë gabim, pasi isha në xhiro me babin dhe nuk i mendova pasojat që mund ta lidhin me politikën. Gabimi im. Nuk po ju kërkoj as të fshini lajmin, asgjë, po të paktën të dali dhe versioni jonë i ngjarjes”, shkruan djali i kryebashkiakut.
Nuk është rasti i parë, që banditi i Ramës në krye të Bashkisë së Poliçanit dhunon qytetarët. Para disa kohësh, ai dhunoi mjekun e Qendrës Shëndetësore të Poliçanit, Dritan Hoxha, në sy të pacientëve. Mjeku deklaroi atëherë se, nuk kishte pasur asnjë debat me kreun e Bashkisë dhe se gjithçka ka ardhur papritur. Hoxha tha se është qëlluar nga Zotkaj në fytyrë dhe si pasojë ka dëmtime në syrin e majtë. Mjeku pohoi se, dhuna ka ndodhur në sy të dhjetëra pacientëve, të cilët kanë mbetur të tmerruar dhe janë larguar me shpejtësi, megjithëse ishin të sëmurë. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri të shohin me precedencë rastin, pasi sipas tij nuk është hera e parë që Kryetari i Bashkisë së Poliçanit dhunon qytetarët e tij. Por Rama jo vetëm që nuk mori asnjë masë për banditin, por e inkurajoi që të vazhdojë të dhunojë qytetarët se ka mbrojtjen e tij.

R.POLISI

Artikulli paraprakKërcënohet shkrimtari Tufa pse kërkoi ndalimin e filmave të kohës së Enverit
Artikulli tjetërTropojë, banorët e Zogajt protestë për rrugën: Është e pakalueshme