Kriza “zhyt” në punë përmbaruesit

Përmbaruesit janë ndër të paktat aktivitete që po shohin rritje të fortë të biznesit. Megjithëse tregu privat numëron aktualisht mbi 163 përmbarues, numri i dosjeve që kërkohet të ekzekutohet është shumë i lartë në raport me numrin e përmbaruesve, raporton Ministria e Drejtësisë. Për vitin 2016 ishte planifikuar ekzekutimi i 11,713 titujve, por në fakt janë realizuar vetëm 8864 tituj, për shkak të ngarkesës së madhe që kanë përmbaruesit, arsyeton dikasteri i Drejtësisë.
Një përmbarues gjyqësor kishte për ekzekutim mesatarisht 750 dosje më 2016-n, ose dy dosje në ditë, çka e ka bërë të pamundur përballimin e punës. Shoqëritë përmbarimore kanë lulëzuar së fundmi si rezultat i kërkesës së shtuar në ekonomi për sekuestro. Zinxhiri i borxheve ndërmjet individëve dhe shtetit, bizneseve me njëra-tjetrën dhe me bankat bashkë me një mori detyrimesh që janë krijuar nga mungesa e likuiditetit pas krizës së vitit 2008, kanë shtuar kërkesën për të arkëtuar detyrimet me forcë.
Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ekstraktet e kompanive janë të mbushura me kërkesat e shoqërive përmbarimore, të cilat kanë lëshuar urdhra sekuestrosh, në këmbim të arkëtimeve cash për llogari të klientëve të tyre.
Teksa bizneset e përmbarimit janë duke përjetuar një periudhë të artë në aktivitetin e tyre, ato janë gjithashtu skaneri i dobësive që po shfaq ekonomia dhe sektorë të veçantë të saj. Aktorët e tregut pohojnë se ende ka mangësi ligjore në rregullimin e aktivitetit të përmbarimit, por biznesi ka qenë në rritje vitet e fundit. Volumi më i madh i punës kryesisht po vjen nga bankat tregtare në vend, të cilat po kërkojnë ekzekutimin me forcë të kolateraleve për shkak të kredive të pakthyera në banka.
Numri më i madh i praktikave në zyrat e përmbarimit është me objekt “kthim shume”, që subjektet e biznesit kanë ndaj njëra-tjetrës. Disa kompani përmbarimore janë renditur në listën e 200 kompanive më të mëdha, sipas fitimeve, teksa kanë raportuar edhe norma fitimi prej 80-90%, teksa ato nuk kanë shpenzime të mëdha administrative.

Artikulli paraprakAlitalia, 600 milionë euro për të mbajtur operatorin italian në fluturim
Artikulli tjetërKonfidustria: Qeveria të mos firmosë për “Divjaka resort Albania”