Konfidustria: Qeveria të mos firmosë për “Divjaka resort Albania”

Konfindustria kërkon nga qeveria dhe vendimmarrja politike shqiptare të tregohet e kujdesshme dhe të pezullojë procesin e miratimit të projektit të ndërtimit me koncesion të kompleksit turistik në Lagunën e Karavastasë-Divjakë, deri në plotësimin e plotë të standardeve ndërkombëtare përkatëse dhe përcaktimit të qartë të interesit publik në afatgjatë. Përmes një njoftimi për mediat, Konfindustria shprehet se, Laguna e Karavastasë dhe Pylli i Divjakës përbëjnë nga pasuritë e mëdha të mbetura për zhvillimin e industrisë turistike shqiptare në përfitim të gjithë qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare në tërësi. Konfindustria vlerëson si të papranueshëm marrjen e vendimeve të tilla të rëndësisë së veçantë dhe me ndikim afatgjatë për ekonominë kombëtare në kushtet e mbarimit të mandatit qeveritar dhe për më tepër në kulmin e krizës politike, që vendi po kalon. “Është e domosdoshme mospërsëritja e gabimeve të mëdha të ngjashme, që kanë shkatërruar përfundimisht pasuritë e mëdha turistike të vendit në bregdet si për shembull, në Golem, Durrës, Gjirin e Lalzit, Sarandë, etj”. Konfindustria kërkon, që duke marrë shkak nga gabimet e mëdha strategjike të së kaluarës dhe mospërsëritjen e tyre në rastin e koncesionit të projektit të kërkuar të resortit turistik të Lagunës së Karavastasë dhe pyllit të Divjakës, legjislacioni i tashëm duhet të përmirësohet rrënjësisht me vendosjen e standardeve të reja mjedisore, ekonomike dhe garancive financiare për investitorët. “Është e papranueshme marrja e vendimeve të ekzekutivit në rastin e projektit në fjalë, por edhe të projekteve të ngjashëm në vijim – pa paraqitjen e plotë të raportit ekonomik përfitim-humbje për gjithë rajonin dhe vendin në afatgjatë, – vlerësimin e plotë të ndikimit në mjedis sipas standardeve të fundit ndërkombëtare dhe – vendosjen e kushteve të qarta të garancive financiare të bllokuara në emër të shtetit shqiptar në të paktën 30% të vlerës së investimit të pretenduar”.

Artikulli paraprakKriza “zhyt” në punë përmbaruesit
Artikulli tjetërSchlausch, pastruesi i parave të Ramës i akuzuar për mashtrim!