Kriza, represioni tatimor

Bizneset ankohen se përballen me rënie të shitjeve për shkak të krizës që ka ulur konsumin e popullatës. Por gjendja financiare e biznesit veç situatës së shtrënguar ekonomike, gjatë viteve të fundit është goditur rëndë edhe nga politika fiskale, në të gjitha nivelet. Në tre vitet e fundit biznesi në Shqipëri është përballur me rritje taksash nga të gjitha anët. Fillimisht ishte qeveria, e cila ndërmori dy rritje taksash rresht në vitet 2015-2015 me nga 200 milionë dollarë secila. Por veç qeverisë barra fiskale është rënduar edhe nga taksat lokale. Vitin e kaluar, veçanërisht në Tiranë taksat lokale u rritën ndjeshëm duke goditur më fort bizneset e vogla familjare. Për disa taksa apo tarifa të caktuara, si ajo e pastrimit, barra u rrit deri në tre herë duke çuar shumë subjekte në mbyllje të përkohshme dhe të tjera drejt mbylljes së plotë. Përgjatë kësaj kohe, autoritetet fiskale kanë rritur edhe masat represive. Në vitin 2015 qeveria nisi një aksion kundër informalitetit, që u karakterizua nga një agresivitet shumë i lartë i tatimorëve dhe strukturave të tjera shtetërore. Verën e vitit të kaluar aksioni kulmoi me një valë gjobash, të cilat kanë rezultuar fatale për shumë biznese, duke i detyruar të mbyllen. Një tjetër faktor që ka goditur biznesin e vogël, është dhe monopolizimi i ekonomisë. Shumica e bizneseve familjarë operojnë në sektorin e tregtisë me pakicë. Por vitet e fundit një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik është përqendruar në qendrat tregtare, të cilat zotërohen nga një grusht korporatash të mëdha. Kjo ka sjellë rënien e shitjeve për shumë biznese të vogla duke i detyruar ato të falimentojnë.

Artikulli paraprakNumri i ndërmarrjeve të mbyllura kalon bizneset aktive
Artikulli tjetërNishani “Qytetar Nderi” i Prizrenit