Krimi i tmerrshëm në hotelet e Spanjës dhe ndërrimi i emrit të Edvin Ramës

Ish-Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje Ramës të japë llogari para shqiptarëve se cilat janë arsyet që e detyruan të ndryshojë emrin e tij nga Edvin në Edi. “Le të vijë këtu Edvin Kristaq Rama, për të cilin jam akuzuar mijëra herë se po i ndërroj emrin, ja që del se nuk i kam ndërruar unë emrin, por e ka ndërruar ai emrin e tij. Unë pra, i kam thirrur atij në emrin e vërtetë. Ai të vijë këtu të tregojë se nga Edvin u bë Edi për shkak të dosjes spanjolle, për shkak të Kadriovskit, për shkak të akuzave të Kadriovskit e shkaqeve të tjera që duhet t’i sqarojë, sepse ai ndërrim emri në një kohë kur pikërisht janë përfolur këto që them unë, në një kohë kur mediat e kanë akuzuar për një krim të tmerrshëm në hotelet e Spanjës, në një kohë kur Kadriovski e akuzonte në një letër për të shoqen, Dilën, implikim direkt, janë në media të gjitha këto. Të vijë këtu të thotë ç’është ky ndërrim i emrit”.
Pas këtyre akuzave të ish-Kryeministrit, Rama ka reaguar përmes një mesazhi në Facebook duke i konsideruar ato si përçartje. Ndërkohë një kundërreagim në formën e një paralajmërimi ka ardhur më pas nga Berisha po përmes rrjetit Facebook. “Më mirë shpjegohu”, ka qenë fjalia e fundit e mesazhit të Berishës. “Edhe për ndërrimin e emrit të tij fajin sërish e ka Saliu dhe jo dosja! Të dashur miq, Edvin Kristaq Rama në vend të shpjegimit të detyruar që duhet t’i japë publikut shqiptar për ndërrimin e emrit të tij nga Edvin në Edi, pikërisht në kohën e dosjes spanjolle dhe të Kadriovskit, reagon ndaj meje me fjalë të denja vetëm për të. Ai përpiqet të kalojë lumin për këtë akt duke fajësuar edhe kësaj here Saliun. Me këtë rast më duhet t’i them Edvin Shullazit se me këtë shpjegim vetëm sa fakton dyshimet e hedhura mbi ty. Prandaj më mirë shpjegohu!”, shprehet Berisha.
Rama nuk ka dhënë asnjëherë shpjegim se cilat ishin arsyet që e kanë shtyrë atë që të ndryshojë emrin nga Edvin në Edi. “A qëndron tek ky ndërrim emri nënshtrimi dhe poshtërimi i tij para krimit dhe shndërrimi i Parlamentit, qeverisë dhe administratës së tij në një strofull krimi dhe organizatë kriminale?”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri theksoi se është Rama, i cili futi vrasësit dhe trafikantët në Parlament, ndërsa tha se ligji për dekriminalizimin zbuloi fytyrën e krimit në Parlament.
“Pas një përpjekje titanike dyvjeçare të opozitës shqiptare, ligji për dekriminalizimin e Parlamentit zbuloi fytyrën e vërtetë të krimit në Parlament, zbuloi vrasësit, trafikantët dhe jo vetëm dhe njerëzit me dy fytyra, me dy emra, me 4 fytyra e 4 emra. Dhe këtu nuk bëj fjalë kurrë për atë që ndërron emrin me dëshirën e tij, sepse absolutisht çdo njeri është i lirë të ndërrojë emrin me dëshirën e tij, të ndërrojë mbiemrin me dëshirën e tij, por bëj fjalë për ata, të cilët ndryshojnë emrat për të fshehur veprat kriminale, bëj fjalë për ata, të cilët kanë gjetur si rrugë pastrimi ngjarjesh me dosje të zeza, akuzave të tmerrshme për krime të shëmtuara në të cilat janë të implikuar.
Edhe një herë shpreh vlerësimin tim të madh për këtë ligj, i cili u faktoi shqiptarëve si drita e diellit, se vrasësit i futi në Parlament Edi Rama, se trafikantët i futi në Parlament Edi Rama, u faktoi turpin e madh se si përpiqen për të fshehur kokën si struci në diell, të krahasojnë vrasjen me kundravajtjen ligjore në rrugë, të krahasojnë vrasjen me arrestimin politik, me nenet 55 dhe nene të tjera. Me këtë gjë vetëm sa i hiqni maskën vetes dhe dukeni më kriminelë se kurrë”, vijoi më tej ish-Kryeministri.

Asnjë nga lista e deputetëve të PD me predecentë kriminalë

Asnjë nga lista e deputetëve demokratë të zgjedhur nga listat e zgjedhjeve të vitit 2013 nuk ka precedentë kriminalë për vrasje apo trafik droge e prostitucioni e për këtë, ish-Kryeministri Sali Berisha sfidoi dje Ramën në Parlament duke i kërkuar të gjejë qoftë edhe një emër që ka lidhje me precedentë të tillë.
“Ju e shikoni se ata që kanë mbytur çdo shpresë, çdo mundësi dhe potencial për fjalën në stanin e tyre, në shpellën e tyre, duan të njëjtin ligj t’u imponojnë dhe Parlamentit, duan të njëjtin ligj t’i imponojnë Sali Berishës. Por kjo nuk mund të ndodhë kurrë! Fola këtu i revoltuar, sepse dy vite me radhë jam ulur me vrasës, dy vite me radhë jam ulur në Parlament me trafikantë vajzash shqiptare, grash shqiptare. Dy vite me radhë kam duruar presione nga më të ndryshmet të klaneve të drogës. Fola këtu me vlerësimin se ligji i dekriminalizimit hoqi maskat, ligji tregoi se këtu janë ulur vrasës, se këtu janë ulur trafikantë grash e vajzash, trafikantë droge, kriminelë të shëmtuar që s’meritojnë kurrë të jenë në Parlament. E kam thënë disa herë, por do e them prapë, se midis atij që bën dhe atij që hesht apo mbështet, e thotë Viktor Hygoi diku, 100 herë më i keq është ai që hesht dhe mbështet. Ata nuk erdhën këtu në Parlament vetë, nuk erdhën me këmbët e veta. Ata i solli një njeri dhe ky njeri është Edi Rama. Dhe ky njeri justifikohet para diplomatëve të huaj, e kam zyrtare këtë nga persona që kanë qenë aty, se ata vërtet janë kriminelë, por ai i mori sepse në ato zona vetëm me ta fitohej dhe se ja mori Berishës se ai i përdorte përpara. Zoti Kryetar, unë jam këtu për t’ju thënë ju, deputetëve dhe çdo qytetari shqiptar se ky grup parlamentar që është i ulur këtu, i tëri i PD është firmë e Sali Berishës në zgjedhjet e vitit 2013. Siç e patë asnjëri prej tyre nuk ka një penalitet më të voglin, për asnjërën nga veprat e parashikuara nga konventat e cituara në ligj. Por unë sfidoj më tej, le të marrim listën e 140 deputetëve. Përgjegjësia ime është e njëjtë si për secilin prej këtyre që është këtu. Nëse gjendet një i vetëm me antecedentë kriminalë vrasësi, trafik droge, trafik prostitucioni, vjedhje. Por unë shkoj më tej, t’i them këtij njeriu që urren Veriun më shumë se armiqtë më të egër të shqiptarëve… Po, po, është Rama që thotë se nga Laçi deri në Vermosh apo Tropojë ka vetëm kriminelë. Një copë injoranti që s’di se ça flet, që nuk njeh as histori dhe asgjë. Ai që flet si papagall i Ramës dhe hiqet si njeri i kulturës. Po ai është i pafajshëm fare, është Rama ai që ja thotë këto. Është Rama që u thotë të huajve, se ata (veriorët) me kriminelë qeverisen, është Rama që u thotë të tjerëve se vetëm me Ndokën e merrja Lezhën. Merrni listat e deputetëve të PD, në të gjitha legjislaturat nga ‘91 deri tani dhe gjeni një të vetëm, silleni këtu po e gjetët, nga Jugu apo Veriu e çdo vend tjetër. Unë në fakt reagova sot për Veriun. Dhe për këtë doni të më mbyllni gojën ju? Po ju nuk njihni as Veriun, as Jugun, as Shqipërinë, ju jeni apartidë që i lejoni vetes të mbroni deklarata të tilla. Merrini, nxirrni listat që janë bërë nga zgjedhjet e ‘91 deri sot. Doni të krahasoni kundravajtjet rrugore, nxirrni ligjin e arratisjes së Ramiz Alisë, turp kush ju dëgjon. Dhe del ti këtu për çështje kombëtare dhe flet për linjën e interkonjeksionit. Ajo linjë është iniciativë e Sali Berishës e ta dish mirë zotëri. Është garantim i financimit nga Sali Berisha, është garantim i projektimit nga Sali Berisha, është tenderim nga Sali Berisha dhe kur doli 8 mln më shumë, e anulova dhe u bë sërish tenderi dhe zbriti 8 mln më pak, ndërsa tani doni të mbushni xhepat. Bëni ç’të doni, por ato s’i kaloni dot ju. Ajo linjë është kërkuar nga unë, është porositur projekti nga unë, është garantuar kredia nga qeveria e mëparshme, është tenderuar nga qeveria e mëparshme, është anuluar nga qeveria e mëparshme, është ritenderuar nga qeveria e mëparshme dhe çdo gjë që bëtë ju është që e shtytë siç shtytë çdo punim sepse doni t’i vidhni, siç bëtë me rrugën Tiranë-Elbasan apo siç bëtë me të gjitha rrugët e tjera të vendit”.

Propozimi i Berishës: Qytetarëve kosovarë, t’u jepet e drejta e shtetësisë shqiptare

Ish-Kryeministri Berisha propozoi dje në Kuvend dhënien e të drejtës së shtetësisë shqiptare ndaj qytetarëve kosovarë. Berisha denoncoi indiferencën e qeverisë dhe mosangazhimin e saj në realizimin e projekteve madhore të përbashkëta me Kosovën. “Nëse doni të mburreni me nismat e mia dakord, mburruni, por ato janë nisma të qeverisë së mëparshme. E di ç’keni ju me Kosovën? Keni një foto. Foton e keni nuk jua mohoj, por asgjë tjetër në mënyrë absolute. Por në vend se të dilnit me hekurudhën Tiranë-Prishtinë, që është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm si për Tiranën dhe për Prishtinën, por dhe më tutje, edhe për Serbinë e Hungarinë, sepse i bie aksi më i shkurtër e më i drejtë me Europën Qendrore, ju s’e gjetët kohën dhe s’e çuat projektin, nuk thatë asnjë fjalë as në Berlin e as në Vjenë sepse juve ju duhet foto dhe jo progresi. A jeni patriotë ju? Urdhëro të japim të drejtën e shtetësisë dhe ta proporcionojmë si të dëshironi ju përfaqësimin parlamentar të shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Po t’ua japim të drejtën e shtetësisë se e ka dhënë çdo vend përveç qeverisë albanofobe shqiptare, që ka bllokuar vendimin në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.
Mua më nderon me ato masa që propozon ti. Dhe mësoje mirë se çdo herë në Parlament këto fjalë do të dëgjosh. Pse e bllokuat ligjin e shtetësisë ju, pse e bllokuat vendimin e qeverisë për shtetësinë? Se ju jeni albanofobë, se keni fobi nga shqiptarët. Pse nuk ja jepni shtetësinë ju atyre në një kohë kur çdo vend i Ballkanit ja u ka akorduar atyre, pa komplekse fare, pa pyetur fare? Në një kohë kur Greqia jua ka dhënë dy kryeministrave shtetësinë greke. Pse i bllokoni ju, jeni dhe patriotë ju? Po të ishit patriotë do të kishit sensin e materies kombëtare dhe nuk shpallni kriminele një zonë të tërë.
Unë e mbështes kërkesën e Shalsit, qëndron ajo, por kur e kam kërkuar në këtë Parlament unë, ju të gjithë keni qeshur. Po kjo ndodh se ai që ti s’ke kurajon t’i përmendësh emrin (Ramën) fillon flet për kumbullën e kuqe, jonxhën e verdhë dhe flet për çdo gjë tjetër, por vetëm për ato që duhet të flasë Kryeministri këtu nuk flet. Atëherë nëse veprohet kështu, atëherë dhe ne detyrohemi të përgjigjemi për të gjitha problemet. Është pikërisht ai, që vjen e lexon këtu fjalimet e përkthyera të Musolinit, herës tjetër të Ben Blushit, një herë tjetër merr batutat e mia. Pse kështu vjen flet Kryeministri në Parlament? Kryeministri vjen flet në Parlament për qeverisjen. Ai kështu na ofendon të gjithëve ne. Herën e fundit nuk e merrte fjalën se s’kishte ç’të thoshte.
Juve s’ju bëjnë përshtypje këto, por mua më bëjnë përshtypje, se të gjitha këto thyejnë rregullat e Parlamentit. Dhe ju doni ta zgjidhni këtë duke më përjashtuar mua?! Po mua më nderoni kështu. Kaq”, u shpreh Berisha në vijim të fjalës së tij.

A.Shahini

Artikulli paraprakVidhen 100 milionë lekët e pensioneve në Dibër
Artikulli tjetërFaqja e parë