Krimet e “etërve” dhe përçarja kombëtare

Besim NDREGJONI

Sot mbas 72 viteve të Luftës së Dytë Botërore shoqëria shqiptare ndodhet e ndarë. Komunistët barbarë të vetquajtur “çlirimtarë” vranë pa asnjë faj brenda muajt nëntor 1944 mbi njëmijë qytetarë të Shqipërise së Mesme. Në mes të të cilëve janë dhe 39 intelektualët e Tiranës, që ne po i nderojmë sot, ku përpara pafajësisë së tyre ndihemi të turpëruar se akoma nuk ju kemi gjetur eshtrat që të ju ndërtojmë një varr, ku familjarët t’i përkujtojnë dhe shoqëria të përulet përpara veprës së tyre kombëtare.
Ne përulemi sot përpara pafajësisë së gazetarit Nebil Çika, Dr. Isuf Allamanit, Prof. Lorenc Rashës, deputetit Deliallisi, biznesmenit Panariti, avokatit Kokalari, patriotit Ismail Agë Petrela, ushtarakëve Sakici, Liku, Saraçi, Stërmasi, Çuka, Shtejfni, Greblleshi, Tërshana, Kalenja, Fekeqi e deri tek studenti Selaudin Ali Korça. Kurse pushtetit politik të trashëgimtarëve të barbarëve të vetquajtur “çlirimtarë” nderojnë vrasësit e këtyre intelektualëve, duke manipuluar me termin “çlirim”.
Përkujtimi i vrasjes së 39 intelektualëve të Tiranës u çjerr maskën, mashtrimit të historigrafisë së gënjeshtër komuniste. Një ndër manipulimet më të rënda e dramatike që ka bërë historiografia komuniste është manipulimi me të ashtuquajturën Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila ka prodhuar  kaq shumë  ngatërresa, përçarje e genocide mes shqiptarëve saqë efekti i saj  zor se do të zhduket për një kohë ende të gjatë. Lufta Nacionalçlirimtare krijoi aq shumë përçarje dhe armiqësi mes klasave, kastave, kulturës, religjioneve, sa pasojat e saj edhe sot mbas 72 vitesh vazhdojnë të  përthellojnë natyrën anarkike të tyre. Futja e diskurseve tona në qorrsokak e pas viteve ‘90 ka një origjinë të hershme, që na çon te rrënjët e atij fondamenti të tradhëtuar, mbi të  cilën u hodhën themelet e ngrehinës sonë shoqërore. Prandaj, kthimi ynë dhe verifikimi i të vërtetave që lidhen me Luftën Nacionalçlirimtare ka qenë një mision i papërmbushur i demokracisë shqiptare.
Rishikimi i historisë së Shqipërisë në një masë të madhe është rishikimi i situatës që krijuan komunistët shqiptarë e jugosllavë  pas 26 korrikut 1943 në Tapizë e njohur si “Marrëveshja e Mukjes”. Gjithsesi pa i gjykuar ashpër të ashtuquajturit dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare mund të them me bindje se idealet e tyre u manipuluan dhimbshëm dhe sakrificat e tyre nuk u drejtuan në altarin e shenjtë të interesave kombëtare. Dhe për këtë para gjyqit të historisë duhet të japin llogari komunistët, qoftë për partizanët e vrarë, të cilët në vend që të vriteshin si luftëtarë të lirisë kundër okupatorit, u dërguan të vriteshin në një luftë të pamoralshme civile kundër vëllezërve të një gjaku e të një gjuhe. Rikthimi i syve nga ato krime që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me vendosjen e diktatures nga “çlirimtarët”, është thirrja për të kuptuar se përveç përpjekjes për dije, na duhet edhe të kthejmë sytë nga njeriu, nga vetja, nga vlerat, që të mos rrëzohemi sërish. Leximi i së djeshmes është njëkohësisht thirrja që të mos dorëzojmë para asnjë oferte lirinë tonë për të besuar, për të folur, për të guxuar. Antikomunistët shqiptarë që dhanë jetën nga plumbat e barbarëve të quajtur çlirimtarë, luftuan për një Shqipëri të lirë, ne të u lëmë brezave një Shqipëri të lumtur.

Artikulli paraprakPërdhosja e imazhit të një reforme të dështuar
Artikulli tjetërGjendje e Jashtëzakonshme “de facto” në qytezën e Mbrostarit!