Gjendje e Jashtëzakonshme “de facto” në qytezën e Mbrostarit!

Ilir HILAJ

Gjendje e Jashtëzakonshme “de facto” në qytezën e Mbrostarit! Protesta Mbrostar shënon ditën e pestë. Radhë kilometrike makinash të krijuara sot nga gratë dhe fëmijët e Mbrostarit u kthyen në makth, por ky është fare pak nga makthi i jetës së këtyre banorëve. Në takim me kryebashkiakun e Fierit banorët mësuan se ky icenerator do të djegi 250 ton mbetje në ditë. Teknikisht kaq plehra të djegura do të çlirojnë gazra pa masë. Përllogaritet 373 000 m3/ditë gazra toksik në ajrin e Mbrostarit ose 259.3 m3/ minutë gazra toksik. Në fakt të dhënat janë për t’u dyshuar. Referuar Ministrisë së Mjedisit Qarku i Fierit prodhon 163214 m3 mbetje urbane në vit apo afro 500 ton në ditë që do të thotë 520 m3/minutë gazra toksik do të çlirohen në Mbrostar.
Logjika e dyshimit shtohet, kur qeveria mendon të importojë mbetje. Sa, nuk e dimë. Një gjë dimë të sigurtë, që ne nuk jemi në gjendje të mësojmë të vërtetën. Ajo mbahet e kyçur në mendjet e ideatorëve të kësaj masakre mjedisore. Flitet shumë për vendimin e Këshillit të Bashkisë Fier në partneritet me qeverinë, i cili nuk ka kthim pas. Nëse hedhim një sy faqes zyrtare të Bashkisë, nuk gjejmë as relacion teknik, as projekt, as markën e iceneratorit që të marrim një tablo të saktë për anën teknike të realizimit.
Pra, sipas kësaj logjike bashkiake-qeveritaro-policore ndalohet të bllokosh qarkullimin në aksin nacional, sepse proteston për të mbrojtur jetën e fëmijëve nga helmatisja. Pra, jeta e një mbrostaraku vlen kaq pak në rilindje, që mund të shkëmbehet me djegien e ca shisheve plastike, bile për këtë edhe dënohesh penalisht, nëse vullnetarisht nuk pranon të vdesësh. Ku jetojmë, në Apartheid!? Edhe në Afrikën e Jugut shoqëria ka evoluar, dhe afrikanët me ngjyrë kanë të drejta, bile ndalohet të diskriminohen, në Shqipëri qytetari trajtohet si në geto. Në vend që pushteti lokal të shkojë dhe të sqarojë pozicionin e vet, ndodh e kundërta, kërkon që qytetarët të shkojnë në bashki.
Në vend të diskutojnë zgjidhjet më të mira, u deklarojnë qytetarëve se vendimi me vdekje për ju është marrë dhe s’ka apel. Kur qytetarët refuzojnë të kthehen në lepuj, vërshojnë policë Bashkiak e të Rendit me shumicë të largojnë qytetarët e thirrur në takim, tipike prerje në besë. Bile ironizohen, sepse qenkan instrumentalizuar politikisht, dmth, nëse je demokrat paske humbur moralisht të drejtën për të kundërshtuar vendimet e Bashkisë. Kjo logjikë perverse, se mes qytetarëve lejohen ndahen ata, mes të nënës dhe të njerkës në konsulta publike është fundi i demokracisë. Konsulta publike e gjerë dhe e pakufizuar për vendimet e qeverisjes vendore është parakusht për ligjshmërinë e vendimeve.
Publikimi i hapur i të dhënave të qeverisjes vendore është parakusht për ligjshmërinë e vendimeve. Ruajtja e mjedisit është parakusht i vendimmarrjes vendore. Për sa më sipër, vendimi i Këshillit Bashkiak Fier është nul, dhe policia në mbrojtje të një vendimi joligjor, pozicionon veten krah të paligjshmëve, duke u bërë armike e qytetarëve me presionin e panevojshëm si në rrugë dhe në salla publike. Mbrëmja e 19 nëntorit në Mbrostar e gjen qytezën në panik policor dhe intimidim qytetar masiv. Kryefamiljarët në panik, policë civilë e me uniformë kudo, thua këtu është shtetrrethim, thua Parlamenti paska votuar gjendjen e jashtëzakonshme, jo për trinomin Krim-Korrupsion-Kanabis, por për krimin penal se mbrostarakët refuzojnë vdekjen!

Artikulli paraprakKrimet e “etërve” dhe përçarja kombëtare
Artikulli tjetërDisa të vërteta rreth “Bunkerit”